Citizens.al

Lëvizja në Bulevardin e Kamzës, sfidë për personat me aftësi të kufizuara

Foto ilustrim nga qyteti i Kamzës

Gjithë-përfshirja mbetet koncept abstrakt kur flitet për qasjen në hapësirat publike të të gjitha komuniteteve. Kjo mund të thuhet për Bulevardin “Nënë Tereza” në qytetin e Kamzës.

Sipas një monitorimi të kryer nga organizata “Së bashku”, e cila punon dhe lobon për më tepër të drejta për personat me aftësi të kufizuara, në këtë bulevard mungon infrastruktura lehtësuese për këtë komunitet.

Qyteti u pamundëson lëvizjen e pavarur personave me aftësi të kufizuara në ecje, dëgjim dhe shikim.

Raporti thotë se bulevardi i Kamzës ofron kohë të kufizuar për kalimin e këmbësorëve nga një anë në anën tjetër ndërsa ka mungesë rampash, sipërfaqesh me reliev, semaforësh akustikë, apo dhe parkingjesh të rezervuara.

Sipas Suela Lalës, një nga autoret e raportit, problemi qëndron te zbatimi i ligjit nga institucionet shtetërore.

“…nga pushteti lokal veçanërisht, i cili është përgjegjës për dhënien e lejeve të ndërtimit, si për projektet publike ashtu dhe private, për kolaudimin e tyre dhe dhënien e certifikatës së përdorimit,” argumenton Lala.

Trotuare të ngushta

Monitorimi ka nxjerrë si shqetësim standardet e trotuareve. Pavarësisht se Bashkia Kamëz është përpjekur për t’i rregulluar ato nuk janë mjaftueshëm të gjera, duke mos kaluar 120 centimetrat gjerësi.

“[…] shpeshherë kemi konstatuar që standardet dhe cilësia e këtyre ndërhyrjeve [të Bashkisë] nuk janë sipas rregullores dhe standardeve teknike,” thekson raporti.

Foto ilustruese nga trotuaret në Bulevardin e Kamzës Burimi: Raporti i “Së Bashku”

Vështirësi në ecjen përgjatë trotuareve kanë edhe personat me aftësi të kufizuar në shikim dhe dëgjim.

“Kjo situatë përkeqësohet nga mungesa e semaforëve akustikë, struktura e paplotë e aksit rrugor. Vërehet mungesë totale e prerjeve dhe bordurave dhe rampave, si dhe mungesa e vijëzimeve dhe semaforëve akustikë, duke kontribuuar në një ambient të rrezikshëm për lëvizje,” argumentohet në raport.

Në raste të tjera rampat nuk janë rrafsh me rrugën, por të shkëputura dhe distancuara nga trotuari. Përgjegjësia për këtë situatë sipas Suela Lalës bie jo vetëm mbi bashkinë, por edhe mbi profesionistët e fushës.

“Inxhinierë, arkitektë, të cilët duken që kanë mungesë të theksuar për sa i përket njohjes së standardeve teknike të aksesueshmërisë,” vijon Lala.

Mes të tjerash autorja e raportit thekson se ka mungesë konsultimi me grupet e interesit.

“Mendimet e tyre nuk merren parasysh dhe ne nga një eksperiment i vogël që bëmë na rezultoi që feedback-u që na vjen nga përdoruesit e mundshëm të rrugës është shumë i vlefshëm se sa opinioni i ekspertëve sepse ata e jetojnë qytetin dhe e dinë çfarë mungon në qytet”.

Stacionet e autobusëve të pa aksesueshme

Stacionet e autobusëve pranë Bulevardit “Nënë Tereza” në Kamëz sipas raportit qasen me vështirësi nga personat me aftësi të kufizuara dhe po kështu edhe nga të moshuarit dhe nënat me karroca.

Stacionet nuk kanë rampa që mundësojnë lëvizjen e personave me karrocë dhe as platforma të lëvizshme të përshtatshme për t’u lehtësuar hyrjen në urban të personave me aftësi të kufizuara.

Foto ilustrim nb stacionin e autobusit Burimi: Raporti i “Së Bashku”

“Mungesa e informacionit dhe shërbimit të autobusit, mungesa e strehës dhe pankinës”, janë problematika të tjera që ngre me shqetësim raporti.

Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara që prej 2013-ës dhe ka një sërë ligjesh në fuqi për të garantuar akses, mirëpo ende ka mungesë njohurish mbi legjislacionin.

Sipas Suela Lalës nuk ka monitorime dhe masa ndëshkuese kur gjërat nuk bëhen siç duhet.

“Për fat të keq edhe ligji është pak evaziv dhe do të duhet të kishte masa më të forta ndëshkimore nga shkelësit. Është për të ardhur keq që në 2024 jemi ende në këtë situatë sa i përket aksesueshmërisë edhe në një qytet kaq afër kryeqytetit”, përfundon Lala.

Hapësira publike jo për të gjithë

Të pamundur për t’iu qasur hapësirave publike janë edhe të moshuarit.

Raporti sjell në pah si shqetësime kryesore prej të moshuarve mungesën e tualeteve, çezmave dhe lulishteve në infrastrukturën publike.

“Një nga kërkesat më të shpeshta nga banorët është instalimi i çezmave me ujë të pijshëm në hapësirat publike,” thekson raporti.

Po ashtu mungesa e hapësirave të veçanta për pensionistët ngrihet si nevojë në raport.

“Krijimi i hapësirave të dedikuara për të moshuarit, si kafene ose dhoma të posaçme për ndërlidhje sociale është thelbësore,” citohet në raport.

Mes të tjerash, mungesa e hapësirave të gjelbëruara, trotuaret e dëmtuara dhe mungesa e koshave të plehrave janë disa prej shqetësimeve të tjera që vështirësojnë jetesën në komunitet.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW