Citizens.al

“Shqipëria i thotë jo krimit”, qytetarët protestojnë për jetë të sigurt

Citizens.al/Pankartë gjatë protestës kundër krimit përpara Ministrisë së Brendshme.

“Shqipëria i thotë jo krimit” ishte slogani që bëri bashkë dhjetëra qytetarë, të cilët protestuan pasditen e së mërkurës para Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

Pasi u grumbulluan para Ministrisë ata mbajtën një deklaratë, e cila ishte shkruar në disa fletushka që u shpërndanë nga të pranishmit.

“Krimi po na pamundëson jetën normale,” – tha Gentjan Serjani, aktivist i “Drejtësi Sociale” pjesëmarrës në protestë.

“Atentatet mafioze në rrugë, pazar, sheshe, në mes të ditës dhe në injorim të plotë të organeve të rendit, po e bën gjithmonë e më të pasigurtë jetën e secilit prej nesh,” – vijoi më tej Serjani.

Pasi mbajtën deklaratën ata ndezën qirinj për të paktën 14 persona, të cilët mendohet se kanë humbur jetën pafajësisht nga krimi vitet e fundit, të gjendur rastësisht apo si kalimtarë në atentate apo vrasje mafioze.

Pikërisht për të nxitur përgjegjësi nga autoritetet protestuesit ngjitën në muret e Ministrisë posterin me sloganin “Shqipëria i thotë jo krimit!”.

Organizimi i së mërkurës u mbajt pas thirrjeve që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Ai erdhi si reagim ndaj ngjarjes së ndodhur më 30 tetor në Shkodër ku një atentat mafioz u mori jetën katër personave, dy prej të cilëve ishin thjesht kalimtarë të rastit.

Persona të paidentifikuar qëlluan me armë drejt makinës ku po udhëtonin Arlind Bushati e Hamza Lici. Ata humbën kontrollin dhe përplasën motorin me të cilin po lëviznin Bashkim e Flutura Basha.

Hamzai dhe Flutura vdiqën në vendngjarje, Arlindi ndërroi jetë dhjetë orë më vonë në spital, ndërsa Bashkimi pas katër ditësh.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW