Prej një muaji sheshi “Avni Rustemi” pranë Pazarit të Ri, – ndër zonat më të vizituara nga turistët në Tiranë, – është kthyer në kantier ndërtimi. Bashkia parashikon të ndërtojë aty një parking nëntokësor, i cili pritet të jetë i gjashti në kryeqytet.
Punimet do të zgjasin një vit e gjysmë, ndërsa projekti kthen në vëmendje menaxhimin e parkingjeve të tjera të kësaj natyre, që sipas konstatimeve të Citizens.al lë për të dëshiruar.

Projekti: Parking dhe rehabilitim fasadash
Sheshi “Avni Rustemi” u rrethua në fund të muajit shtator në krahun e ish-parkingut publik.
Rreth-rrotullimi që bashkon rrugët “Hoxha Tahsim”, “Tefta Tashko” dhe “Luigj Gurakuqi” u kufizua në vetëm një korsi, – rruga “Tefta Tashko” u bllokua për makinat.
Bashkia ka menduar të rehabilitojë fasadat e ndërtesave historike të kësaj zone dhe të ndërtojë një parking 210-vendesh me dy kate nëntokë.
Projekti kushton rreth €6.5 milionë dhe po zbatohet nga “Alba Konstruksion”. Punimet parashikohet të zhvillohen për 18 muaj me dy faza, të cilat do të kufizojnë pjesërisht qarkullimin.
Linja urbane “Qendër-Porcelan” pritet të spostojë një nga stacionet ndërsa vijat e bardha për këmbësorët janë devijuar dhe korsia dedikuar biçikletave është hequr.









Parkingjet nëntokësore me fitim, por pa mirëmbajtje
Parkingjet nëntokësore nisën si politikë e Bashkisë Tiranë në vitin 2016. Ato u prezantuan si zgjidhje që kursejnë dhe përdorin më mirë hapësirat publike, por tetë vite më vonë ato duket se kërkojnë më tepër mirëmbajtje.
Citizens vëzhgoi gjendjen e 5 parkingjeve aktuale nëntokësore dhe konstatoi mangësi serioze sa i përket kushteve: mjedise të vandalizuara, ashensorë që nuk kanë punuar kurrë, tabela sinjalizuese jashtë përdorimit apo tualete që në shumicën e rasteve nuk qasen dot.
Tirana Parking është ndërmarrja publike që administron shërbimin e parkimit në kryeqytet.
Ajo arkëton deri në €6 milionë në vit nga rreth 4,400 vende parkimi me pagesë (1,500 të tjera ofrohen pa pagesë), prej së cilave €1.5-2 milionë vijnë vetëm prej rreth 1 mijë vendeve në parkingjet nëntokësore.
Kostot për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore kanë kushtuar miliona euro:
⦁ “Sheshi Skënderbej” 300 vende (2017: €2.25 milionë)
⦁ “Bulevardi i Ri” 328 vende (2017: €3.5 milionë)
⦁ “Rruga Elbasanit” 140 vende (2019: €2.5 milionë)
⦁ “Sheshi Italia” 200 vende (2020: €3.2 milionë)
⦁ “Kopshti Zoologjik” 100 vende (2022: €1.5 milionë)
Por pavarësisht këtij investimi prej rreth €13 milionë dhe niveli të kënaqshëm të ardhurash, gjendja që këto parkingje nëntokësore ofrojnë tregon për mungesë investimi dhe mirëmbajtje.
Mosfunksionimi i tabelave elektronike për vendet e lira të parkimit është shqetësimi i parë. Kjo nxit radhë për të parkuar edhe në rastet kur parkingu në të vërtetë është plot.
Për personat me aftësi të kufizuara parkingjet nëntokësore janë për t’u shmangur, pasi përveçse ato ofrojnë pak vende parkimi për ta, nuk ka asnjë mënyrë se si ata të zbresin duke shmangur shkallët.
Asnjë ashensor i parkingjeve nëntokësore nuk punon. Citizens iu drejtua Tirana Parking për të mësuar arsyet pse parkingjet nëntokësore janë në këtë gjendje.
Në përgjigje me shkrim ajo tha se po punon për t’i kolauduar ashensorët dhe riparuar tabelat, duke pranuar se ashensorët nuk janë vënë kurrë në punë.
Po ashtu iu drejtuam për të ditur nëse ka një strategji për të mbrojtur mjediset e parkingjeve, pasi shumica e tyre vandalizohen.
Tirana Parking tha se po shikonte mundësinë për të angazhuar roje private pasi Policia Bashkiake dhe Policia e rendit nuk u ishte përgjigjur ankesave të saj.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.