Citizens.al

Revolta e Luçiana Xhuvelit – Një zë për pensionistët dhe drejtësinë sociale

Lëvizja Bashkë, Facebook/Luçiana Xhuveli gjatë protestës për pensione dinjitoze.

Mes qindra pensionistëve që vijuan të mërkurën protestën për pensione dinjitoze para Kryeministrisë, dalloi një grua, e cila bëri përpara dhe hipi në paletën e drurit përshtatur si pedanë nga ku mbaheshin fjalët e rastit nga organizatorët.

“I bëj thirrje të gjitha grave pensioniste të bashkohen në këtë protestë të drejtë”, tha Luçiana Xhuveli, 67 vjeçe, teksa rreshtoi dhjetëra arsye se përse kjo nismë duhej mbështetur.

Lë mikrofonin dhe i afrohet një grupi pensionistesh që po ndanin shqetësimet e përbashkëta.  “Të lumtë goja, na nderove”, iu drejtua njëra prej tyre, teksa Luçjana ia ktheu se “nuk e di mirë çfarë thashë, por ato që thashë më dolën nga zemra”.

Luçiana, ish-disenjatore në qytetin e Vlorës, sot jeton në Tiranë më bashkëshortin. Tre fëmijët i ka në emigrim, kjo është dhe plaga më e madhe që vuan.

“Këtu nis revolta ime, kjo qeveri mi largoi fëmijët”, tha me ndjenjë të fortë pakënaqësie Luçiana.

Ajo përfiton pension prej vetëm 11,000 lekësh në muaj, me të cilat nuk mbulon as nevojat bazike të familjes, si pagesat për energjinë, ujin dhe ilaçet.

Si shumë pensionistë të tjerë në protestë, të cilët më treguan se jetojnë më ndihmën që i japin fëmijët, që kryesisht i kanë jashtë vendit, kështu ndodh edhe me Luçjanën. Duke biseduar me të, ajo më tregoi se pjesa tjetër e nevojave të përditshme i mbulon falë mbështetjes financiare të tre fëmijëve.

Luçjana Xhuveri, pensioniste në protestë përballë Kryeministrisë
Luçiana Xhuveri gjatë protestës së pensionistëve për pensione dinjitoze.

Gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, Luçiana punoi si disenjatore në sektorin e pikturës në Vlorë, ku kontribuoi për dy dekada.

Me ardhjen e demokracisë nuk punova më në zanatin tim”, tha Luçiana, por “bëra punë të tjera”. 

Pas rënies së diktaturës, puna e saj në këtë sektor përfundoi, por ndryshimet politike sipas saj sollën përmbysje të forta dhe “privati nuk paguante sigurimet”.

Ajo që vuan më shumë Luçiana sot, teksa më rrëfeu vështirësitë që ka jeta e një pensionisti si dhe historinë personale të saj, është largimi i fëmijëve.

“Unë sakrifikova gjithë këto vite për shkollimin e fëmijëve, të kishin një punë e t’i kisha këtu afër, por nuk mundëm, ja ky regjim i largoi”, tha e prekur Luçiana. 

Fëmijët përfunduan studimet në Tiranë dhe për t’iu bërë krah, Luçiana tregoi se me bashkëshortin la qytetin e Vlorës dhe u zhvendos në kryeqytet.

“Erdhëm për t’ju bërë krahë, i lamë ato që kishim atje, por për çfarë erdhëm?! Fëmijët sot nuk janë këtu!”, tha gati e përlotur Luçiana teksa më ndau këtë realitet të trishtë.

Ajo vijoi duke treguar se për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të gjetur punë në profesion, fëmijët nisën të punonin në “Call-Center”. Pas disa vitesh punë në këtë sektor ata nisën të vuanin shqetësime me dëgjimin dhe përqendrimin.

“Djali arriti një moment nuk duronte do më as zhurmën e televizorit”, kujtoi Luçiana.

Ngjashëm dhe vajza, e cila pasi filloi të shfaqte probleme, u këshillua nga mjekët të linte punën në këtë sektor, e më pas u detyrua të emigronte.

“Ti pret që gjithë ky mund të të kthehet një moment, por kjo nuk po ndodhte, për një punë në shtet na thoshin që duan para, shumë para, por ku t’i gjeja unë?”, tha Luçiana.

E gjithë kjo situatë pa të ardhme i shtyu fëmijët drejt emigrimit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot ata janë bërë krahu mbështetës për Luçianën, por kjo nuk e lehtëson shpirtërisht.

“Më lehtëson ekonomikisht, por pse fëmijët mos të më paguanin një biletë udhëtimi për qejf, por duhet të mendojnë për nevojat bazike si ilaçet, ku është ky shtet?”, u shpreh sërish e revoltuar Luçiana.

Ajo tregoi se prej kësaj situate prej vitesh ndjente një revolte të brendshme, të cilën këto javë në protestën për pensionet arriti ta nxirrte. Luçiana më tregoi se me organizimin e protestës ishte njohur përmes internetit, sikurse thotë ajo.

“Ndiqja Lëvizjen Bashkë, djem e vajza të reja që i simpatizoj, e më duken të drejtë, Emilajndo, njëri prej tyre më ftoi për t’u bashkuar dhe erdha pa hezitim”, tregoi Luçiana teksa e pyes se pse ju bashkua protestës, pyetje së cilës mu përgjigj se iu bashkua pasi nuk ka asgjë për të humbur.

“Ç’do më bëjë ai [Kryeministri] mua, më ka lënë më 110 mijë lekë pension e më ka larguar fëmijët, më bën dot më keq se kaq?”, tha Luçiana.

Teksa ndau rutinën e saj të përditshme, që përfshin kujdesin për qenin e saj, kafet me fqinjët, ajo u ndal tek përpjekjet për të përballuar shpenzimet bazike të ushqimit. 

Luçiana tregon se tashmë, me buxhetin e kufizuar që ka, blen vetëm atë që i duhet për një ditë të vetme.

“Më përpara blija ushqime për një javë, sot marr 2 domate, 1 qepë, aq sa më duhen për gjellën”, tha ajo. Çdo mëngjes Luçiana dhe bashkëshorti dalin për të blerë perimet që mbulojnë nevojat e ditës, duke planifikuar gjithçka me kujdes. “Ja kështu jetojnë pensionistët sot në Shqipëri”, thotë ajo.

Për të ndryshuar pak emocionet, e pyeta se si është ndjerë këto ditë që është bërë “e famshme”, me nota humori Luçiana ma ktheu se të gjithë e kishin komplimentuar.

Më thanë në lagje, na ke nderuar sa mirë që ke folur”, tha duke buzëqeshur Luçiana dhe shtoi se edhe fëmijët e kishin mbështetur.

Në fillim tregoi se e ka pasur të sikletshme të fliste në publik, por “sa të filloje pastaj të dilnin vetë fjalët se aq shumë kisha për të thënë sa kur shkoja në shtëpi thosha, si s’e thashë edhe këtë!”.

Një “merak” i Luçianës është pjesëmarrja e grave në këtë protestë. Ajo shprehet se do të donte që më shumë gra të merrnin pjesë në mënyrë që zëri i tyre të përfaqësohej më mirë.

Kemi vuajtur kaq vite, i bëj thirrje të gjitha grave të vinë në shesh, pse të dalin vetëm burrat aty të flasin, edhe ne kemi vuajtur e mos më shumë”, këmbënguli ajo.

Luçiana Xhuveri është një simbol i luftës së përditshme që bëjnë shumë prej pensionisteve që kanë dalë ose jo në protestat e kësaj vjeshte. 

Një grua që ka kaluar sfida të panumërta në një kohë ndryshimesh të mëdha në Shqipëri, dhe sot është në pension, kërkon një jetë më të denjë për veten dhe moshataret e saj, që çdo ditë përballen me të njëjtat vështirësi.

Por më shumë se kaq, ajo kërkon një të ardhme më të mirë për brezin e ri. 

“Jetën duhet ta jetojnë ata, e ardhmja është e tyre”, u shpreh Luçiana teksa shtoi se i vjen mirë që sheh të rinj që i janë bashkuar protestës.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW