Qeveria është tërhequr nga ligji për importin e plehrave, përkatësisht nga “Neni 73”, i cili përcaktonte se në “përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon”.
Të mërkurën, në mjediset e një hoteli në Tiranë, qeveria dhe organizata mjedisore u ulën një tryezë të përbashkët për të diskutuar mbi projektligjin për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili u hodh për konsultim publik nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në datën 20 gusht.
Ministria po konsulton me grupet e interesit projekt-ligjin tashmë të ndryshuar. Këto ndryshime u pritën me kundërshtime nga grupet e interesit. Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve (AKIP) i kundërshtoi menjëherë ato.
“Ky është një lajm pozitiv, qeveria u tërhoq, besoj dhe pas kundërshtimeve dhe protestave që bëmë. Kjo është një çështje sensitive dhe besoj që reagimi ynë dha efekt”, tha Lavdosh Ferruni nga AKIP.
Ferruni i tha Citizens se ata do të vijojnë monitorimin për shkak se i tremben ndonjë ndryshimi në moment të fundit nga qeveria, pasi kjo është një praktikë e aplikuar më parë, rasti i Ligjit për Zonat e Mbrojtura.
“AKIP do vazhdojë ta monitorojë fatin e projektligjit, duke shpresuar se nëse shkon në Kuvend të mos ndryshohet përsëri dhe të mbetet në ligj ndalimi i importit të mbetjeve”, tha Ferruni.
Pyetur për koment Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha përmes një zëdhënësi se “pas konsultimit publik, tani drafti (link) po konsultohet me grupet e interesit”.
Drafti tanimë nuk ndryshon asgjë thelbësore nga ligji i mëparshëm, por AKIP i druhet faktit se shumica e ligjvënësve mund ta ndryshojnë gjatë procesit të konsultimit në komisione apo në seancë parlamentare.
Në dy dekadat e fundit, përpjekjet e qeverive – si të djathta, ashtu dhe të majta, – për të lejuar importin e mbetjeve janë përballur me kundërshtime dhe protesta.
Në vitin 2004, Kryeministri Fatos Nano nënshkroi një marrëveshje me Italinë për importimin dhe riciklimin e mbetjeve.
Kur drafti i kësaj marrëveshjeje u bë publik, Nano u vu nën trysni për favorizime ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, i cili sot pret një dëmshpërblim prej 135 milionë euro nga Shqipëria, sipas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.
Në vitin 2009, qeveria e Kryeministrit Sali Berisha nisi hartimin e një projektligji për importin dhe riciklimin e mbetjeve. Ky projektligj u kundërshtua nga Partia Socialiste dhe shoqëria civile, të cilët protestuan kundër miratimit të tij në Kuvend.
Në vitin 2011 pavarësisht kundërshtimeve dhe kthimit për rishqyrtim nga Presidenti Bamir Topi, shumica demokrate e qeverisë Berisha e miratoi ligjin.
Në vitin 2012, një grupim qytetarësh dhe organizatash të shoqërisë civile, njohur si AKIP, mblodhi rreth 64 mijë firma për organizimin e një referendumi kundër importit të mbetjeve. Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012, dhe një vit më vonë, në mars 2013, Gjykata Kushtetuese miratoi mbajtjen e referendumit pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013.
Por referendumi nuk u mbajt. Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, e cila kishte premtuar gjatë fushatës se do ta rrëzonte këtë ligj, e shfuqizoi atë me të marrë pushtetin.
Megjithatë, në vitin 2016, Kryeministri Rama ndryshoi qëndrim dhe propozoi sërish një projektligj për lejimin e importit të mbetjeve. Ky projektligj u miratua në parlament, por u kthye nga Presidenti Bujar Nishani dhe “ngeci”, pasi aleati i Ramës, Ilir Meta, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (sot Partia e Lirisë), refuzuan rrëzimin e dekretit të Nishanit.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.