Citizens.al

Porto Romano, destinacioni i fundit për mbetjet e kthyera nga Tajlanda

Facebook/Anija Moliva e ankoruar në Portin e Durrësit.

Ngarkesa me 2100 tonë mbetje të dyshuara si të rrezikshme, e cila u kthye nga Tajlanda më 28 tetor, do të vendoset përfundimisht në Porto Romano.

Pas dhjetë ditësh pritjeje në radën e portit të Durrësit, anija “Moliva” u ankorua mëngjesin e sotëm duke i hapur rrugë shkarkimit të 102 kontejnerëve që mbante në bord.

Kontejnerët pritet të zhvendosen me kamionë drejt Porto Romanos rreth 10 kilometra në veri nga Porti i Durrësit. Ato do të vendosen në një zonë nën juridiksionin e Agjencisë së Menaxhimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Sipas urdhrit të prokurorëve Suela Beluli dhe Mediana Meta, ngarkesat do të vihen nën monitorim me kamera dhe do të hapen me një procedurë të veçantë, e cila parashikon analizimin e kodeve të sigurisë, gjendjen e plumbçeve dhe marrjen e mostrave nga materialet përkatëse.

Nuk është e qartë se si do të veprohet me analizimin e tyre.

Jim Puckett, kreu i organizatës “Basel Action Network” (BAN), e cila sinjalizoi rrezikshmërinë e ngarkesave që në muajin korrik, shprehu më 28 tetor gatishmërinë për të marrë pjesë në proces, por deri më sot nuk ka pasur një njoftim zyrtar për hetime gjithëpërfshirëse.

Sipas Puckett “me 95% siguri” mbetjet kanë buruar nga pluhuri i furrave të metalurgjikut në Elbasan, pasi përmbajnë mbetje plumbi, arseniku apo kadmiumi të cilat kërkojnë trajtim të specializuar pasi janë helmues.

Prej 16 gushtit Prokuroria e Durrësit dhe Zyra Evropiane e Luftës kundër Mashtrimeve (OLAF) po hetojnë për kontrabandë, transport mbetjesh dhe shpërdorim detyre. Aktualisht nuk ka asnjë person apo zyrtar përgjegjës të akuzuar.

Ngarkesa në fjalë dyshohet të jetë blerë prej kompanisë KURUM nga kompania Sokolaj, e cila e ka nisur përmes kompanisë kroate GS Minerals DOO drejt një kompanie të panjohur në Tajlandë.

Ky është rasti i dytë me mbetje të rrezikshme që u sinjalizua ndërkombëtarisht nga BAN për shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

Më herët një ngarkesë me 115 kontejnerë me “koncentrat zinku” u bllokua në Kinë, pasi dyshohej se kishte përmbajtje të larta plumbi.

Ngarkesa ishte transportuar tranzit prej Portit të Durrësit nga kompania kosovare Apfelbaum, e cila i kishte marrë nga miniera e Trepçës për llogari të Achro AG.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW