Anija “Libra” solli mëngjesin e së premtes tetë emigrantë të tjerë në Portin e Shëngjinit, të cilët pritet të mbyllen në kampin e Gjadrit.
Nisur prej datës 5 nëntor nga Lampedusa, anija solli burra dhe djem të ndaluar në Mesdhe, të cilët përpiqeshin të arrinin brigjet italiane.
Kjo është hera e dytë që kjo anije i drejtohet brigjeve shqiptare në kuadër të marrëveshjes Meloni-Rama, të nënshkruar në nëntor të 2023 për menaxhimin e flukseve migratore.
Hera e parë përfundoi në “dështim me sukses” pasi Gjykata e Romës e konsideroi të parregullt zhvendosjen e 12 emigrantëve me prejardhje nga Egjipti e Bangladeshi në Gjadër. Ajo u shpreh se prejardhja e tyre ishte nga vende të pasigurta dhe për rrjedhojë kërkesa për azil duhej shqyrtuar në procedura të tjera.
Vendimi i Gjykatës së Romës u bazua në një vlerësim të mëhershëm bërë nga Gjykata Evropiane, e cila është shprehur se vendet e sigurta duhet të konsiderohen ngjashëm nga të gjitha vendet e BE-së.
Kjo solli që më 18 tetor emigrantët të ktheheshin sërish në Itali.
“Nuk janë gjyqtarët ata që mund të vendosin se cilat vende janë të sigurta. Kjo është një detyrë që i takon qeverisë” – ishte reagimi i Melonit pas vendimit të Gjykatës së Romës.
Por me sa duket ky vendim nuk është marrë në konsideratë, pasi edhe këtë radhë emigrantët e mbërritur janë nga Bangladeshi dhe Egjipti.
“1200 emigrantë kanë mbërritur për pak ditë në Lampedusa, por qeveria italiane rizgjedh tetë persona në mënyrë arbitrare ti depërtoj me anijen ushtarake Libra drejt Adraikut” – shkroi organizata joqeveritare italiane “Sea Watch” në një postim teksa e konsideroi “shaka çnjerëzore”.
Funksionaliteti i kampeve të Gjadrit po ndez diskutime edhe në tryeza ndërkombëtare.
Eurodeputetja italiane Ilaria Salis e solli në vëmendje marrëveshjen “Meloni-Rama” gjatë seancës dëgjimore në Komitetin e Punëve të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, ku rikujtoi se Kryeministri Rama në 2021 shprehej se “Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend ku vendet shumë të pasura krijojnë kampe për vendet e tyre”.
Marta Koss, Kandidatja për Komisione për Zgjerimin e Bashkimit Evropian ju përgjigj Salisit se qendrat pritëse bazohen në marrëveshjen dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë dhe se ky nuk është një projekt i Bashkimit Evropian.
“Do të shohim sesi do funksionojë kjo marrëveshje. Për momentin nuk po funksionon mirë” – theksoi Koss.
Tetë emigrantët janë vendosur në qendrën pritëse ku do t’iu nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor dhe më pas do të transferohen në kampin e Gjadrit.
Fillimisht ishin parashikuar të vinin nëntë persona, por një burrë nga Bangladeshi është konsideruar në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.