Kryeministri Edi Rama në daljen e parë publike pas ngjarjes tronditëse ku mbeti i vrarë 14 vjeçari M.C., zgjodhi të fliste për mbyllje të rrjeteve sociale TikTok dhe SnapChat.
Ngjarja tragjike ndodhi të hënën në rrugicën para shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku një sulm me thikë mes dy të miturve, shkaktoi një viktimë, teksa autori i sulmit u arrestua nga policia pas ngjarjes.
Për kreun e qeverisë fajin e ka “Snapchat” dhe “TikTok”, pasi këto platforma sfidojnë përpjekjet e familjeve për edukim. Por nuk ka ende asnjë evidencë që ngjarja të jetë shkaktuar si pasojë e një mosmarrëveshje mes të miturve në këtë rrjet social. Rama shtoi, në atë që dukej si gjykim personal, i pambështetur në asnjë të dhënë të qenësishme, se vendosja e filtrave në këto platforma nuk ka funksionuar në shtetet e Bashkimit Evropian, ndaj gjetja e tij në këtë situatë, është propozimi i mbylljes përfundimtare të këtyre platformave.
Kryeministri nuk shpenzoi asnjë minutë për të folur mbi problemet strukturore, përgjegjësinë e institucioneve, oficerëve të sigurisë në shkolla dhe programeve të edukimit dhe sigurisë në institucionet arsimore.
Një raport i “Qëndresë Qytetare” tregon se qeveria dështoi në Paketën e Sigurisë në Shkolla, të prezantuar në shtator 2023 nga ministri i Brendshëm asokohe, Taulant Balla.
Balla dhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi premtuan në 2023 një ashpërsim të masave rreth perimetrit të shkollës, me qëllim sigurinë.
“Strukturat vendore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Bashkitë, do të identifikojnë dhe përcaktojnë Perimetrin e sigurisë së çdo shkolle, sipas vlerësimit të situatës në terren, por në çdo rast jo më pak se 50 metër rreth gardhit kufizues të secilës shkollë”, tha në 2023 Balla.
Pika kryesore e kësaj pakete është “parandalimi i kriminalitetit” dhe “përdorimi i substancave narkotike”.
Projekti parashikonte 150 oficerë në të gjitha gjimnazet e vendit. Qëndresa Qytetare përmes një raporti nxori në pah se, këto premtime nuk u mbajtën. Shumica e shkollave deri në pranverë të 2024, nuk kishin një oficer sigurisë, po ashtu në mungesë ishte psikologu dhe punonjësi social.
Nisur nga ngjarja e rëndë, një grup aktivistësh të mbështetur nga prindër të nxënësve, kanë lajmëruar një protestë ditën e nesërme në orën 11:00, pranë shkollës Fan Noli në Tiranë.
“Deklarata shkakton reagime”
Deklarata e kryeminsitrit Edi Rama ngjalli reagimin e ekspertëve të komunikimit, të cilë janë shprehur kundër propozimit dhe e kanë cilësuar si autoritarizëm apo qasje populiste.
Pedagogu i Gazetarisë Ervin Goci përmes një reagimi në rrjetin social Facebook e cilësoi si një rritje të autoritarzimit reagimin e kryeminsitrit.
“Kur e degjova tani gjuhën dhe mënyrën me të cilën përpiqet të justifikojë mbylljen e rrjeteve sociale m’u ndermendën dënime kapitale nëpër sheshe me djegje para 4 shekujsh dhe propaganda putiniane me mbledhje me prindër për të justifikuar të pajustifikueshme”, tha përmes postimin të tij Goci.
Elvin Luku, po ashtu pedagog në Departamentin e Gazetarisë u shpreh se “është për t’u përshëndetur se ka një shqetësim për ndikimin rrjeteve sociale” por theksoi se kjo ky shqetësim duhet drejtuar dhe kërkon një analizë.
Ai renditi disa pika, duke thënë se vendimi i prindërve duhet marrë patjetër por “asnjë rrjet nuk duhet të mbyllet por platformat duhet të integrohen në kurrikulat shkollore”.
“Brezi i ri nuk ka nevojë për censurë por për edukim, në mënyrë që të dije ti përdorë rrjetet në mënyrë kreative dhe të dobishme”, tha Luku.
Po ashtu ai pyeti qeverinë se ku janë hulumtimet që ka përmendur, mbi ndikimin e këtyre platformave dhe kush i ka bërë këto studime.
“Së treti, TikTok, Instagram, Snap apo Threads jo vetëm që nuk duhen mbyllur por duhet të kthehen në aleatet më t mirë te agjencive ligjzbatuese”, rekomandoi më tej Luku.
Së fundmi ai tha se kjo çështje nuk duhet trajtuar me qasje populiste, duke iu referuar retorikës së kryeminsitrit.
Akademiku Artan Fuga po ashtu reagoi ndaj propozimit të qeverisë, duke kërkuar të dijë se kush i ka bërë raportet, që tregojnë se TikTok ka rritur dhunën mes të rrinjve.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.