Prindër, qytetarë, dhe aktivistë të shoqërisë civile nisën paraditen e sotme një marshim proteste pas vrasjes tragjike të nxënësit 14-vjeçar të shkollës “Fan Noli” Martin Cani.
Me moton “Prindërit në protestë për sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, marshimi nisi në rrugën “Qemal Stafa” në hyrjen e shkollës 9-vjeçare.
Pjesëmarrësit ndezën qirinj në shenjë homazhi për të miturin, e më tej marshimi vijoi me drejtim Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ku në shenjë simbolike rruga u shenjua me bojë të kuqe.
“Institucionet e papërgjegjshme vrasin” shkruhej në banderolën në krye të marshimit.
Pjesëmarrësit u shprehën të revoltuar me Ministrinë e Arsimit, e cila, në reagimin e parë për ngjarjen, u mjaftua me faktin se “ajo ndodhi jashtë mjediseve të shkollës”. Për këtë ata kërkuan dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu.
“Për çfarë e do karrigen, është njerëzore të japësh dorëheqjen,” u shpreh gjatë fjalimit të tij përballë Ministrisë, Migen Qiraxhi, një prej organizatorëve, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
“Dilini për zot edhe dështimit, jo vetëm propagandës dhe sukseseve,” thirri një 17-vjeçar i ardhur nga Lezha duke kërkuar edhe ai dorëheqjen e ministres dhe krahas saj edhe drejtuesit e shkollës “Fan Noli”.
“Ç’na duhen ngushëllimet tuaja?! Jeni aty për të mbajtur përgjegjësi dhe duhet të mbani përgjegjësi!” u shpreh Sidorela Vatnikaj, aktiviste.
“Hapim burgje, por nuk hapim teatro, nuk zhvillojmë aktivitete për fëmijët, për kulturën,” vijoi një prind teksa replikoi ndaj propozimit të Kryeministrit Rama se “mbyllja e TikTokut dhe Snapchatit nuk është zgjidhja, pasi ka plot rrugë ku promovohet dhuna”.
“Është tentuar të bëhet mësim sikur asgjë nuk ka ndodhur, kemi nevojë që mësimi të ndalohej të nesërmen dhe të flitej për socializimin, jo kështu,” theksoi një nënë e revoltuar, e cila shtoi se “të gjithë përballemi me dilemën a duhet ta rrisim fëmijën në këtë vend”.
“Mos u tallni me psikologun më, nëse psikologu do të funksiononte, ai sherr do të ishte sheshuar,” thirri një pjesëmarrës tjetër duke shtuar “kush i mbron fëmijët tanë?”.
Ngjarja tragjike ndodhi të hënën në një rrugicë përballë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, pak pas përfundimit të mësimit.
14-vjeçari Martin Cani vdiq pasi u godit me thikë gjatë një sherri mes moshatarësh ku mbetën dhe dy të lënduar. Policia arrestoi njërin prej tyre, të cilin e akuzoi “për vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Ndryshe nga referimi i policisë, prokuroria vlerësoi të enjten se i mituri në fjalë duhet të akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”. Për këtë akuzë Kodi Penal parashikon dënim me “jo më pak se njëzet vjet ose burg të përjetshëm”.
Lexo gjithashtu:
“Fajin e ka TikTok-u”, Kryeministri shmang përgjegjësinë për vrasjen e 14-vjeçarit
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.