Ministria e Arsimit dhe Sportit u bë sërish pikëtakim i dhjetëra qytetarëve të cilët u mblodhën pasditen e së hënës për të shprehur revoltën e tyre për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Me thirrjen “Jua kemi detyrim fëmijëve të protestojmë!”, prindër dhe qytetarë kërkuan veprime konkrete për të garantuar sigurinë në shkolla.
Protestuesit ngarkuan me përgjegjësi Ministrinë e Arsimit dhe institucionet e tjera të cilat sipas tyre dështuan në parandalimin e ngjarjes që ndodhi më 18 nëntor. Ata kërkuan më tepër vëmendje dhe investim për edukimin, psikologë dhe punonjës të sigurisë në shkolla.
“Është e pafalshme, ne nuk kthehemi mbrapa dhe nuk tolerojmë që gjaku i fëmijëve tanë të derdhet pranë shkollave dhe Ministria e Arsimit të mos mbajë përgjegjësi,” theksoi një prind i revoltuar, teksa të tjerë kërkuan hetime të pavarura dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
“U bëj thirrje organit të hetimit, që të bëjë hetim të pavarur dhe transparent mbi ngjarjen, sepse është e vetmja mënyrë që ne të ngushëllojmë babain dhe familjen e Martinit,” tha Gentjan Serjani.
Transparencë dhe hetim të plotë të ngjarjes kërkoi edhe aktorja Eljona Pitarka, e cila theksoi se ende një javë pas ngjarjes, dinamika mbetet e pasqaruar për opinionin publik.
“Të kemi sa më shumë shembuj për t’u pranuar, e jo heronj të heshtur për t’u vajtuar,” u shpreh aktori Florian Binaj, prezent edhe ai në protestë.
Kjo është protesta e dytë pas asaj që u mbajt të enjten, ku qindra qytetarë marshuan në shenjë simbolike nga shkolla 9-vjeçare deri te Ministria e Arsimit, ku u kërkua tekstualisht dorëheqja e Ministres Ogerta Manastirliu.
Martin Cani humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një sherri mes moshatarësh në një rrugicë pranë shkollës 9-vjeçare.
Policia arrestoi një të mitur, të cilin e akuzoi fillimisht për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Megjithatë, Prokuroria e rikualifikoi akuzën në “vrasje në rrethana cilësuese”, që parashikon dënim deri në burgim të përjetshëm.
Deklaratat e Kryeministrit dhe përplasjet politike
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me shqiptarët në Britaninë e Madhe, e cilësoi ngjarjen tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cami si “të shfrytëzuar politikisht nga opozita”.
“Në asnjë vend demokratik, pa u varrosur ende viktima, nuk dalin ‘djajtë nga shishet’ për të ngritur vallet e përçarjes mbi trupin e një fëmije të pafajshëm,” tha Rama, duke akuzuar partitë opozitare se po maskojnë interesat e tyre si revolta qytetare.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, duke nxitur debate të forta për sigurinë dhe cilësinë në sistemin arsimor.
Asnjë reagim konkret nga Ministria e Arsimit
Në seancën parlamentare të buxhetit për vitin 2025, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu u përpoq të shmangte përgjegjësinë, duke thënë se “ngjarja ndodhi jashtë rrethimit të shkollës dhe pas përfundimit të mësimit”.
Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama doli me një propozim për të kufizuar ose ndaluar aktivitetin e rrjeteve sociale si Tik-Tok apo Snapchat, të cilat ai i lidhi si faktorë përshkallëzues në dhunën mes të rinjve.
Lexo gjithashtu:
- “Fajin e ka TikTok-u”, Kryeministri shmang përgjegjësinë për vrasjen e 14-vjeçarit
- Vrasja e 14-vjeçarit, prindërit në protestë: Institucionet e papërgjegjshme vrasin
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).