Gjatë fundjavës, punonjësit socialë në kampin e refugjatëve në Gjadër u kthyen në shtëpi. Sipas “La Repubblica”, në Gjadër qëndruan vetëm shtatë punonjës të “Medihospes”, organit drejtues të Qendrave Italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve.
Ministria e Brendshme italiane thekson se stafi është reduktuar dhe do të ndryshojë sipas nevojave të momentit. Por pavarësisht dështimit, në dukje, qeveria italiane e ka të pamundur ta pranojë publikisht.
“Modeli është përcaktuar. Nuk do të tërhiqemi. Së shpejti presim vendimin e Gjykatës së Lartë për apelimet tona,” vijoi në reagimin e saj Ministria e Brendshme italiane.
Gazeta italiane “Il Tempo” raportoi se qeveria Meloni po mendon për një “Plan B” rezervë, që kampi i Gjadrit të kthehet në burg ku do të dërgohen shqiptarët që vuajnë dënimet e tyre në Itali.
Megjithatë kjo duket e vështirë për t’u realizuar, për të mos thënë e pamundur.
“Është marrë një vendim kushtetues që kampi është vetëm për atë funksion dhe ligji vetëm për atë funksion e parashikon. Këtu çdo gjë bëhet por është e pabëshme!” analizoi për Citizens, ekspertja e migrimit Eda Gemi.
Sipas Gemit qeveria italiane do të mundohet të gjejë një arsye për të ripërdorur kampin për të mos e cilësuar dështim total, duke pasur në konsideratë që janë investuar miliona euro.
Kështu, transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm 8 burra që mbërritën herën e fundit në Shqipëri kushtoi 250,000 €, më shumë se 31,000 € për një azilkërkues në bord.
“U vërtetua që gjykata në Itali është e pavarur nga politika! Ligji evropian është mbi ligjin lokal,” tha Gemi, duke ju referuar vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila detyroi Italinë të merrte mbrapsht 24 emigrantët që sollën në Gjadër.
Gemi thekson se ky dështim do të ndikojë edhe në vende, të cilat filluan të merrnin në konsideratë një plan të ngjashëm, si për shembull e djathta në Holandë me në krye Geert Wilders, i cili hodhi për diskutim faktin që mund të dërgonte afrikanë në Uganda, që i ishte mohuar azili në Holandë.
Ajo çfarë është shqetësuese për Gemin lidhet me faktin se kryeministri Rama ka krijuar një precedent kushtetues që është “vendim i juridiksionit të dyfishtë” dhe që nuk e zhbën dot më njeri.
“Nesër Rama e bën me një shtet tjetër, se është krijuar precedenti. Ka një lloj impakti jo vetëm për rastin konkret, por për çdo rast tjetër të ngjashëm, ku mund të bëhen marrëveshje të tjera për t’i dhënë sovranitetin e një pjese toke të caktuar shqiptare një shteti tjetër,” përmbylli Gemi.
Ndërkohë mbetet e paqartë se cili do te jetë “plani shpëtues” për t’i dhënë kuptim milionave të investuara nga pala italiane.
Ajo çfarë thuhet me siguri në këto ditë në Itali është fakti se marrëveshja “Meloni-Rama” po cilësohet “dështim epokal”.
“Qeveria [italiane] ka dështuar duke e ditur se do të dështonte. Ata kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë,” tha Elisabetta Piccolotti, deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë në Itali.
Citizens.al ka publikuar edhe më herët një podkast në lidhje me këtë tematikë.
Lexo gjithashtu:
- Italia kthen 12 emigrantët nga Gjadri, plani i Melonit në pikëpyetje
- Pakti Meloni-Rama në krizë, 7 emigrantë të tjerë kthehen në Itali

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.