Citizens.al

Me fëmijët në protestë për një kthesë të madhe në Shqipëri

Citizens.al/ Foto ilustrim nga protesta e së hënës para Ministrisë

E hëna e fundit e nëntorit ishte më e ftohtë se ditët e tjera në Tiranë. Pasdite, termometri shënoi gjashtë gradë celsius, e megjithatë njerëz të shumtë iu drejtuan “Rrugës së Durrësit” për të qenë atje në orën 17:00, ku prindër dhe aktivistë të ndryshëm kishin thirrur protestë para Ministrisë së Arsimit.

Temperaturat e ulëta bënin që tymi i cigares së policëve që qëndronin në fillim të rrugës të binte më tepër në sy. Të vendosur rresht, ata njoftonin kalimtarët për bllokimin e qarkullimit, teksa mungesa e makinave, e më tutje shfaqja e siluetave të forcave të tjera policore, të kthente në mend arsyet e protestës: vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pikërisht nga mungesa e sigurisë.

Tutje, e zeza, uniformë e veshjeve të një grupi qytetarësh të mbledhur në trotuarin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, krijonin kontrast të fortë me mustardën e godinës së ministrisë. Përtej, tre autobusë urbanë ishin ndaluar prej pak minutash, ndërsa makinat e tjera pas tyre po ktheheshin.

Fëmijë, prindër, të moshuar, qytetarë të njohur në ekranet televizive të vendit, shumë kamera e gazetarë dhe një palë shkallë në të kuqe qëndronin në hyrjen e ministrisë. Dalëngadalë rruga nisi të mbushej me qytetarë që nisën të afroheshin në shenjë solidariteti për atë që ishte protesta e dytë për “përgjegjësi dhe siguri në shkolla”.

Ermelinda Hoxhaj, me profesion gazetare, teksa i hidhte vështrimin shpotitës kujtdo që i afrohej grupimit qytetar, mbante në dorë një fletë të bardhë, në të cilën në ndryshim nga herët kur mund të ishin pyetje kërkesë-llogarie, ishte mbushur me një listë emërore të personave që ishin interesuar të flisnin në megafon.

E hëna shënonte shtatë ditë nga vrasja e Martinit me të kapërcyer rrugën përballë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet. Jetën ia mori një moshatar në një ngjarje që zbrazi zemrat dhe ngjalli revoltë.

Thirrjet për drejtësi e siguri në shkolla u shtuan, fillimisht në hapësirën online, në media, e më pas me një marshim-protestë në rrugët e qytetit, të enjten e 21 nëntorit.

Pak më tutje, vëmendjen ma tërhoqi Aneo Hila, një prind që kishte marrë në protestë dhe njërin prej fëmijëve.

Nevoja për transparencë për ngjarjen dhe garanci për fëmijët ishin disa prej arsyeve pse Ermelinda dhe Aneo kishin marrë familjen për të protestuar para Ministrisë.

“Aktivizimi im në këtë protestë është për fëmijët e mi, por edhe për fëmijët e të gjithë Shqipërisë, sepse unë e ndjej që ka një rrezik të madh,” më tha Ermelinda.

Sipas saj, është absurde që të ndodhë një ngjarje e tillë në shkollë dhe prindi të mos njoftohet. Ndërsa theksoi se kjo nuk është një ngjarje e izoluar.

“Unë e kam përjetuar këtë në fillim të shkollës, sepse në shkollën ku kam fëmijët ka ndodhur një ngjarje dhe aty gjithçka u mbulua, ndërkohë që unë vetëm se jam gazetare kam marrë vesh që aty është qëlluar një nxënës me thikë,” më tregoi më tej Ermelinda.

Grupimi i qytetarëve, që narrativën protestuese vendosën ta kalojnë nga rrjetet sociale në rrugë, filloi të shtohej ndjeshëm pak pasi ora kaloi 17:30, ndërsa në shkallët e kuqe të protestës hipën dhe zbritën të tjerë qytetarë duke buçitur të vërtetat e hasura nga përditshmëria e tyre.

Megjithëse numri i protestuesve ishte aq i madh sa të mbushte dy anët e rrugës, për disa prej prindërve prezentë, numri mbetej i ulët në raport me reagimin që nevojitet përballë shkallës së rëndë të ngjarjes.

“Shikoj që jemi më pak se dy ditë më parë, është fatkeqësi. I është bërë një interpretim politik qasjes sonë. Ne jemi prindër pa afilacione politike dhe thjesht kërkojmë çfarë është më e mira për të gjithë fëmijët tanë,”- m’u shpreh i shqetësuar Aneo duke replikuar në distancë me deklaratën e Kryeministrit sipas së cilit “kjo ngjarje po përdoret politikisht”.

Për Aneon, rritja e dy fëmijëve në një shkollë të sigurt, qytet të sigurt, shoqëri të sigurt është ajo çfarë qëndron mbi të gjitha.

“Jam këtu për të njëjtën arsye që jemi mbledhur të gjithë sot, për të ngritur pyetjet e sigurisë së fëmijëve tanë në shkolla. Duam të kemi përgjigje për një problem që mesa duket është shumë më madhor se ç’kemi menduar më parë. Ne duhet të dimë që fëmijët tanë janë të sigurtë”.

Pyetjes se si ia ka komunikuar ngjarjen fëmijëve teksa ka vendosur ti marrë edhe në protestë, Aneo i përgjigjet: duke ju treguar të vërtetën.

“Unë me fëmijët e mi kam zgjedhur gjithmonë të jem transparent. Ia tregoj të vërtetën nga e pavërteta, i tregoj gjërat ashtu siç janë, në mënyrë që është e  përgjithshme për moshën që ata kanë, sigurisht duke hequr elementët grafikë nga korniza,” shton ai më tej.

Për Ermelindën, ky nuk është një moment për të drejtuar gishtin as nga shkolla, as nga mësuesit, prindërit apo platforma online si Tik-Tok-u.

“Unë jam që sot, në këtë ngjarje tragjike, të bëhet një kthesë e madhe në Shqipëri, të bëhet një kthesë e madhe sidomos në arsim që ne të flasim më shumë për arsimin, për edukimin, për të qenurit qytetarë. Nuk ka rëndësi se sa dhjeta merr ti. Për mua ka rëndësi që ti të jesh qytetar,” argumentoi Ermelinda.

Paralelisht me “qytetarët e shkallëve të kuqe” që kërkonin dorëheqjen e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit ligjëronte para një përfaqësie prindërish, por jo aty, rreth 650 metra më larg, në gjimnazin “Sami Frashëri”.

“Çfarë kontrasti me kasaphanën etike dhe zhurmën çoroditëse të mexhelisit politik dhe mediatik,”– përshkroi ministrja Ogerta Manastirliu videon bashkëngjitur takimit, të cilën vendosi ta përcjellë si ngjarje “Live!”, të nesërmen.

Prezent në protestën e së hënës para Ministrisë ishin dhe familjarët e Martinit, gjyshi, i ati dhe njerëz të tjerë që i shoqëruan. Gjyshi gjeti forcë për të thënë dy fjalë, ku njëra prej tyre që ai përsëriti më shumë ishte drejtësia.

“Drejtësi, drejtësi për Martinin! Drejtësi për Martinin!” shoqëroi me duartrokitje familjen e 14-vjeçarit që u largua mes lotësh në fund të protestës.

Në mes të “Rrugës së Durrësit” qytetarë të ndryshëm ndalën për t’i shprehur mbështetje të atit të Martinit. Shumë iu afruan për ta takuar në një tjetër skenë tragjike, ku një baba pret dhe përcjell njerëz rrugëve në kërkim të drejtësisë.

Prindërit për arsim cilësor

Përmes një grupimi të përbashkët vullnetar, prindërit e kryeqytetit, njëkohësisht edhe organizatorë të kësaj proteste, sollën në vëmendje disa kërkesa kryesore për institucionet shtetërore.

Sipas Ermelindës, kërkesa e llogarisë nuk duhet të reduktohet vetëm me këtë në shesh, por të jetë e përditshme në shkolla.

“[prindërit] të venë në shkollat e fëmijëve dhe të kërkojnë llogari. Të dinë çfarë ndodh në shkollë, kjo është shumë e rëndësishme. Të dimë çfarë bëhet në shkollat tona, çfarë bëhet më fëmijët tanë, si për cilësinë, por edhe për sigurinë e tyre”.

Për Aneon, nëse nuk reagohet për fëmijët dhe beteja mbetet te të tjerë, do të jetë thjesht çështje statistikash më pas.

“Do presim rastin e radhës, rastin e radhës dhe në fund të ditës mund të jetë fëmija im, fëmija juaj ose i gjithkujt tjetër. Kur na vjen e keqja në shtëpi pastaj të gjithë duam të luftojmë e ulërasim, por unë jam prind dhe çdo prind e di që të shkulësh fëmijën nga shpirti është e paimagjinueshme”.

Grupimi i prindërve kërkon që buxheti për arsimin të rritet në nivelin 5% të GDP-së, duke plotësuar kësisoj shkollat jo vetëm me infrastrukturën e duhur, por edhe me staf mbështetës.

Mes të tjerash ata kërkojnë edhe plotësim të shkollave me shërbim psikosocial dhe oficerë të sigurisë.

“Është shtuar realisht numri i psikologëve, punonjësve socialë, i oficerëve të sigurisë, por ne ende nuk kemi një raport se çfarë pune ato bëjnë. Ndonjëherë ka edhe mbivendosje kompetencash. Ndonjëherë nuk e dinë se kush duhet të bëjë kë. Dhe duke qenë se është kjo kakofonia e udhëzimeve një mbi një, kjo sjell edhe një problem tjetër”, tha Ermelinda.

Për Aneon, krijimi i një ambienti pranues dhe jo diskriminues duhet të jetë parësor në një institucion si shkolla.

“Unë dua zgjidhje të problemeve, krijimin e kushteve ku fëmijët të mund të mësojnë, të kenë një kujdes social sepse në fund të ditës shkolla për fëmijët është komuniteti dhe ai komunitet që është sot në bankat e shkollës do t’i ndjekë nesër në jetën e përditshme”.

Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00, heqjen e telefonave në orarin e mësimit, vendosja e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje për moshën nën 18 vjeç në hapësirën digjitale dhe krijimi i një sistemi mbështetës ku të ndërlidhen të gjitha hallkat sikurse mësuesit, komuniteti i prindërve dhe drejtorive të shkollave, janë disa nga kërkesat e prindërve.

Po ashtu, situata e krijuar dhe mos marrja e përgjegjësive nga institucionet shtetërore ka shtuar një tjetër pikë në kërkesat e prindërve, sikurse dorëheqja e Ministres së Arsimit.

Në përmbyllje të protestës, qytetarët kërkuan që të mërkurën të bojkotohet mësimi dhe të mblidhen sërish në protestë, duke marshuar nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW