– Nga Anila Hoxha
“Jemi në një situatë që përmban në vetvete urgjencë dhe nevojë imediate për gjykim sa më të shpejtë”. Kështu e nis lutjen e tij i moshuari, Qani Tafa, i cili i drejtohet me një kërkesë për të përshpejtuar procesin Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë. Afatet janë zgjatur tej çdo limiti.
Por në horizont nuk duket asnjë datë seancë që do ia reduktonte pritjen. Dhe nuk është i vetmi. Në raste të mëparshme gjykatat janë shprehur për zvarritje procesesh që kanë kapur rekorde. Qeveria e gjyqësorit (Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ) ka hartuar strategji e megjithatë malet me dosje në të gjitha gjykatat vazhdojnë të jenë shqetësuese.
I moshuari i cili është nga fshati Sohodoll i Dibrës, e fitoi procesin për vitet e humbura të pensionit në shkallën e parë në vitin 2021. Por tashmë që fitorja e tij u apelua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore atij i duhet të presë në radhë sipas një vendimi të KLGJ-së (Nr. 79), që përcakton kalendarin.
Por Ardian Dvorani, nënkryetar i Gjykatës Administrative të Apelit tregon për Citizens.al se “çështjet që po shqyrtohen janë ende të vitit 2018, ka shumë qytetarë që kërkojnë përshpejtim dhe kjo varet nga natyra e çështjes”.
Nga një përllogaritje e thjeshtë kjo do të thotë se i moshuari Tafa duhet të presë radhën për disa vite derisa të vijë koha e vendimeve që janë apeluar për 2021.
“Pensioni është burim jetik minimal për ekzistencën e individit,” i shkruan gjykatës Tafa “dhe në kushtet kur jam i moshuar marrja e shumës që më takon do ta humbte kuptimin nëse vonohet pafundësisht. Jam pa të ardhura të tjera financiare”, ankohet paditësi që hapi betejë me drejtësinë disa vite më parë.
Ai i tregon gjykatës se duhet të nxitojë mbasi ai dhe bashkëshortja Liria janë në gjendje të rënduar dhe “vuajnë nga sëmundje të ndryshme, të cilat kërkojnë shpenzime financiare për kurim”.
Blerta Ngucaj, eksperte e KLGJ-së shprehet se stoku i çështjeve që janë në pritje të gjykimeve ka shkuar në 143,597 çështje.
“Më problematike situata paraqitet në Gjykatën e Apelit me 41,158 çështje të prapambetura dhe në Gjykatën Administrative të Apelit me 23,613 çështje,” thotë Ngucaj.
Sipas qëndrimit të KLGJ dhënë për Citizens.al në korrik 2023 është ndërmarrë një strategji për uljen e stokut të çështjeve të prapambetura si dhe “janë propozuar numër ndryshimesh ligjore, të cilat janë në pritje të miratimit nga ana e Kuvendit”.
Në përpjekje për të shpëtuar Gjykatën Administrative të Apelit nga “backlog” (ngecja) në fillim të tetorit është propozuar rritja e numrit të gjyqtarëve nga 13 në 22, që rrjedhimisht e rrit numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në rang vendi në 417.
Por, kjo nuk e ndryshon situatën e stokut në këtë gjykatë, ku mes tyre ka që kanë ndërruar jetë në pritje të drejtësisë, apo të shkarkuarit nga detyra presin me vite të tëra për zgjidhje të situatës së tyre.
Oficeri Alban Ramaj (47) kërkon gjithashtu përshpejtim procesi gjyqësor mbas padisë së ngritur kundër policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Gjyqi i 47-vjeçarit që pret në këtë gjykatë ka si objekt rikthimin në detyrë.
Ramaj ka dorëzuar tre kërkesa të njëpasnjëshme për përshpejtim procesi dhe për këtë ka renditur shkaqet ekonomike dhe sëmundjen e fëmijës, kurimi i të cilës kërkon të ardhura.
“Vështirësia shtohet edhe më tepër në kushtet kur mundësitë e mia për punësim janë të kufizuara për shkak të procesionit tim si punonjës policie dhe vonesa në shqyrtimin e çështjes sjell pasoja të rënda në familjen time dhe shëndetin e fëmijës” lutet paditësi.
Gjyqtari Dvorani thekson se kërkesa për përshpejtim kanë të gjithë gjyqtarët ndërkohë që pyetjes se për sa vite mund të zgjidhet kriza, ai parashikon një fashë tre deri në pesë vjet, por me kushtin e zbatimit të strategjisë dhe të miratimit të ndryshimeve që presin në Kuvend, mes tyre edhe kërkesa për shtim të ndihmësve ligjore.
Megjithatë, në këtë gjykatë si edhe në Apel po implementohet i njëjti projekt si në Gjykatën e Lartë për “evadimin e çështjeve”.
Edlira Petri, aktualisht gjyqtare për median në një gjykatë tjetër, atë të Apelit, që sipas hartës gjyqësore është një e vetme në rang vendi dhe e vendosur në Tiranë, tregon se vetëm për 2024 deri në 13 nëntor 2024 janë regjistruar 12,226 çështje të reja, të cilat i shtohen stokut të mëparshëm.
“Rezulton se numri i çështjeve në pritje për t’u gjykuar jo vetëm që nuk arrihet të ulet, por shtohet. Për rrjedhojë, trupa aktuale gjyqësore duket se nuk e përballon dot fluksin e çështjeve të ardhura nga gjykatat e shkallës së parë,” tha gjyqtarja Petri.
“Vlen të përmendet edhe fakti se trupa gjyqësore e shkallës së parë është ndjeshëm më e plotësuar në raport me organikën totale të saj, krahasuar me trupën gjyqësore në Apel” vijoi Petri.
Nga investigimi i Citizens.al dhe të dhënat e disponuara, rezulton se kësaj gjykate i mungojnë 50 gjyqtarë për sa kohë duhet të ishin në detyrë 78, por janë vetëm 28.
Por Znj. Petri i tha Citizens.al se “në pritje për plotësimin e trupës nëpërmjet procedurave të ngritjes në detyrë që po zhvillohen nga KLGJ, në Apel po implementohet projekti ‘ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit’ financuar nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimi të Ligjit Ambasada e SHBA.”
Por ndryshe nga dhjetëra qytetarë që kërkojnë në të gjitha gjykatat përshpejtim, duke ju drejtuar edhe qeverisë së gjyqësorit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, Liman Durici ka zgjedhur një mekanizëm krejt tjetër për të tërhequr vëmendjen.
Në pritje të hapjes së procesit, ai protestoi në SPAK për një proces të startuar shumë vite më parë dhe që ka në themel pronën.
“Po zvarritem edhe shtatë vjet të tjera. Në 18 nëntor më ka dalë data. Procesi ka nisur në 1994, fitova dhe mora vendimin e formës së prerë dhe një urdhër ekzekutimi dhe më pas çështja u prish dhe shkoi prapë në shkallë të parë. Hapa dhe procedim penal, u pushua. Gjyqi për të cilin jam peng është një kontratë shitblerjeje e falsifikuar” tregoi Durici për Citizens.al.
E investuar nga paditë e qytetarëve që ankohen për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm, Gjykata e Lartë argumenton për një kërkesë të ngjashme me paditëse D. P.
“Përbën një fakt të njohur botërisht se reforma në drejtësi ka shkarkuar/pezulluar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh […] Ky proces natyrshëm ka krijuar kosto për qytetarët në tejzgjatjen e afateve për gjykimin. Këto vështirësi janë proporcionale në raport me të mirën e përgjithshme që padyshim krijon procesi i reformës,” u shpreh Gjykata e Lartë.
“Komisioni i Venecias ka theksuar se reforma në drejtësi, procesi i verifikimit të gjyqtarëve/prokurorëve, ishte e domosdoshme edhe nëse do të sillte pasoja të paparashikuara. Përveç aspekteve të padyshimta pozitive mbi cilësinë e gjyqësorit në planin afatgjatë, në një periudhë afatshkurtër procesi i verifikimit ndikon në numrin e gjyqtarëve aktiv në sistem duke shkaktuar probleme të përkohshme praktike derisa të bëhet zëvendësimi i tyre,” argumentoi më tej Gjykata.
Qëndrime në nivel kushtetues për “drejtësinë e vonuar” ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese.
Avokati Drilon Cami, i cili së fundmi po përfaqëson në Gjykatën Civile një çift, që u divorcua mbas dy vitesh, por tanimë presin në Apel, tha se “situata e stokut po ndikon direkt edhe tek mbrojtësit”.
“Përveçse duhet të përballemi me frustrimin e qytetarëve, të cilët nuk arrijnë të kenë një vendim gjyqësor në një kohë të arsyeshme, duhet të mbartim çështje të shumta që kanë filluar vite më parë dhe nuk kanë përfunduar, gjë që shton ngarkesën”.
Dhe në këtë panoramë ku edhe Gjykata Kushtetuese ka shprehur në jo pak vendime konstatimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor brenda afatit te arsyeshëm, Maksim Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë këmbëngul se nuk mund të parashikojë sa i kushton një qytetari vonesa.
Por ai është i qartë se një proces në Shqipëri ka një mesatare kohëzgjatjeje nga 7 deri në 8 vjet.
“Goditjen më të rëndë me efekt negativ e solli aplikimi i hartës gjyqësore pasojat e së cilës i bëri prezent Dhoma e Avokatisë, e cila u injorua tërësisht duke e predikuar hartën si një zgjidhje efektive,” u shpreh Haxhia.
“Kjo hartë dhe procesi i vetingut krijuan stok që minimalisht do të kërkojë dhjetë vjet kohë për më tepër që çështjet sa vijnë e shtohen,” vijoi kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Njësoj mendon edhe Saimir Vishaj, një avokat të cilit i janë përcjellë në zyrë ftesat për dy klientë që ndërkohë kanë ndërruar jetë.
“Jam njoftuar për nisjen e gjyqeve për Saimir Kucin dhe Can Karriqin, të cilët nuk jetojnë më. Kam frikë se për fat të keq, shumë paditës apo të akuzuar do marrin drejtësi pas vdekjes” e mbylli Vishaj.