Punonjëset e kompanisë së këpucëve “Alba Shoes Group” në Vlorë protestuan sot kundër shkeljes së të drejtave të tyre në punë. Drejtuesit e kompanisë u zotuan t’ua marrin parasysh kërkesat pas një ballafaqimi që ata bënë në Inspektoratin e Punës.
Protesta, e katërta në radhë, nisi në mëngjes me bojkotimin e punës ku dhjetra gra me pankarta në duar drejtuan thirrje kundër kompanisë. Ajo u mbështet nga Lëvizja Bashkë, teksa një përfaqësi e grave iu drejtua më pas Inspektoratit të Punës në Vlorë.
Ata kërkuan zgjidhje të situatës teksa ky institucion kërkoi takim mes palëve duke thirrur edhe drejtuesit e kompanisë.
Gratë pretendojnë se prej tetë muajsh nuk u janë paguar sigurimet shoqërore, dhe nuk u janë shlyer rregullisht pagat, madje një pjesë iu është dhënë në formë informale – në bankë dhe në dorë, – duke shmangur kështu deklarimet e plota.
Mungesën e shlyerjes së rregullt të sigurimeve ata e kanë kuptuar rastësisht në situata shëndetësore apo kur u është dashur të bëjnë blerje me këste. Punonjëse në prag moshe për pension thanë se kanë hasur gjithashtu mungesë deklarimesh të rregullta.
Shqetësim i përsëritur për punonjëset ka qenë edhe mungesa e pushimeve vjetore si dhe mosrespektimi i ditëve të festave.
Situata është tensionuar për shkak të vendimit të fundit të kompanisë për të zhvendosur filialin e Vlorës në një njësi të re në Nartë, një zonë më e largët nga ajo aktuale.
Vendimi ka ngjallur kundërshti, pasi shumë nga gratë e angazhuara në këtë kompani janë me fëmijë dhe nuk kanë mundësi të përballojnë distancën shtesë pa cenuar përgjegjësitë familjare.
Ballafaqimi me drejtuesit e kompanisë duket se ka dhënë një zgjidhje për punonjëset.
Drejtuesit kanë rënë dakord për një aneks kontrate në të cilën të parashikojnë pagesat për orët shtesë dhe gjatë festave zyrtare, si dhe caktimin e një turni me 5 orë punë me pagesë të shtunave.
Sa i takon sigurimeve është premtuar shlyerja e tyre brenda muajit dhjetor, teksa dy muaj (mars-prill) u kaluan brenda ditës së sotme.
Ndërkohë për pretendimin lidhur me zhvendosjen në Nartë punonjëset janë të detyruar t’i përgjigjen kompanisë me përjashtim të rasteve ku kanë arsye të rëndësishme apo nevoja familjare si për shembull fëmijët e vegjël apo familjarë të sëmurë.
“Alba Shoes Group” me aktivitet qepje, prodhim dhe import-eksport këpucësh zotërohet nga sipërmarrësit Nikolin Lleshi dhe Teuta Pistolja. Kompania është themeluar në vitin 2012, por aktiviteti fillestar në sektorin fason daton vitet 90-të me filialin e parë në zonën e Laçit.
Në web-faqen e saj “Alba Shoes Group” thotë se ofron rreth 2000 vende pune duke respektuar rregullat e sigurisë, cilësisë dhe të drejtave në punë me kushte dhe standarde bashkëkohore.
Përveç filialit të parë në Laç dhe atë në Vlorë ku së fundmi po ka protesta, kompania ka filiale edhe në Kamëz, Çorovodë dhe më tej në Trani të Italisë.
Në një bisedë telefonike për Citizens.al, drejtuesit e kompanisë mohuan pretendimet e punonjësve.
“Nuk u është thënë në asnjë moment punonjësve që do të ikin nga puna apo se nuk do t’u jepet paga,” tha Nikolin Lleshi për Citizens.al.
Sipas Lleshit zhvendosja në Nartë është parashikuar vetëm për një pjesë të punonjësve dhe ka ardhur për arsye “kur nuk ka pasur punë në filialin e Vlorës”.
“Që të mos shkojnë në shtëpi, por të paguhen,” shtoi Lleshi.
Pyetur për pagat dhe sigurimet, Lleshi theksoi se “çdo gjë kalon sipas ligjit”, teksa kujtoi se “nëse ka vonesa për siguracionet shteti shqiptar aplikon gjoba”.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).