Citizens.al

Të rinjtë krah pensionistëve: ‘Të mos mendojmë vetëm për sot!’

Pankartë në protestën e pensionistëve/ Foto: Arbjona Çibuku

Mes pensionistëve që dolën të mërkurën për të pestën herë përpara Kryeminsitrisë, ishin dhe dhjetra të rinjë, të cilët protestuan për “një të ardhme me pensione dinjitoze”.

Mes turmës së mbledhur, përveç të rinjve aktivistë të Lëvizjes Bashkë, që janë përfshirë prej kohësh në organizimin e protestës, vura re të rinj të tjerë që po protestonin.

Foto: Arbjona Çibuku/ Të rinjtë duke protestuar për "Pensione Dinjitoze"
Foto: Arbjona Çibuku/ Të rinjtë duke protestuar për “Pensione Dinjitoze”

I afrohem së pari një grupi të rinjsh prej 4 personash, për të ditur se çfarë i shtyu t’i bashkohesh protestës së pensionistëve. Prej tyre, një djalë 22-vjeçar, ishte i pari që rendi të shprehej edhe pse iu shmang prezantimit me emër. Ai tha se e kishte ndjerë detyrë morale për t’iu bashkuar protestës.

“Së pari prindërit dhe gjyshërit nuk munden”, tha ai duke shpjeguar se kishte dalë për ta, e së dyti “nuk mendohet vetëm për sot, nesër një ditë të gjithë do të jemi pensionistë”.

“Unë i shoh pensionistët si shtresa më e nëpërkëmbur, ndër vite, dhe mendoj se reagimi duhet të vijë nga të gjithë, jo vetëm pensionistët, prandaj si i ri i jam bashkuar”, tha më tej 22-vjeçari. 

Më tutje, krah një zonje të moshuar, ndodhej Sara Koçiaj, një vajzë 24-vjeçare, e cila prej 5 javësh del çdo të mërkurë në protestën e pensionistëve.

Foto: Arbjona Çibuku/ Sara Koçiaj në protestën e pensionistëve

Sara tha se proteston pasi “më prek sepse dhe unë kam gjyshër, dhe mendoj që pensionistët janë një nga grupet më vulnerabël të shoqërisë, kanë punuar një jetë dhe meritojnë të shijojnë frytet e punës së tyre”.

Besi Maçi është një nga dy të rinjtë që mbajnë banderolën me nënshkrimin “Pensionistët në Protestë”. Besi është 21 vjeç, dhe prej disa vitesh angazhohet si aktivist i Lëvizjes Bashkë. Kërkoj nga Besi të ndaj se pse e sheh ai të domosdoshme pjesmarrjen e të rinjve në këtë protestë. 

“Ky solidaritet lidhet me të gjithë kategoritë e jo vetëm pensionistët, pra nëse qeveria trajton pensionistët në këtë mënyrë, trajton edhe studentët, edhe punëtorët”, ma kthen Besi.

Foto: Arbjona Çibuku/ Aktivisti Besi Maçi duke mbajtur banderolën në protestën e pensionistëve

Ngjashëm, Gabriel Rakaj, një i ri nga Shkodra më tha se iu bashkua protestës si formë solidariteti.

Një shoqëri që trajton pensionistët pa dinjitet, nuk është një shoqëri e drejtë, e besoj se çdokush që e lufton padrejtësinë duhet me qenë sot këtu”, u shpreh Gabrieli teksa shtoi se gjyshërit e tij nuk i bashkohen dot protestës, e në një formë ka ardhur për t’i përfaqësuar ai ata.

Esi Zaimi, një vajzë 26-vjeçare më tregoi se babai i saj pas 2 vitesh do të dalë në pension dhe se “me pensionin e tij nuk do ketë mundësi të paguajë kredinë dhe të kujdeset për motrën që është me aftësi të kufizuara, e cila merr më pak se 20 mijë lekë”.

Për Esin, protesta është një domosdoshmëri. Ajo shprehet se kur padrejtësia të prek shtëpinë, jetesën “të protestosh është vetëm hapi i parë”.

Me megafonin gjithmonë në dorë, duke thirrur vargjet: “Shqipëria Latine, krim dhe korrupsion, rinia në gomone, pleqtë në depresion”, gjendet një prej aktivisteve të Lëvizjes Bashkë, Anxhela Nasto.

Prej 4 javësh Anxhela së bashku më aktivistë të tjerë dalin nëpër lagje të Tiranës për të shpërndarë lajmin se “Pensionistët po protestojnë”.

“Kur na shohin që jemi të rinjë, ka nga ata që thonë çne ju me pensionsitët, por shumica janë komente pozitive, që na thonë me rininë bëhet e ardhmja, kjo na motivon”, më tha Anxhela teksa ndau copëza nga puna e terrenit. 

Anxhela më tha se sa herë që i është dhënë mundësia për intervistë gjatë këtyre javëve protestë, thirrja e saj ka qenë piëkrisht për të rinjtë.

Foto: Arbjona Çibuku/ Aktivistja Anxhela Nasto në protestën e pensionistëve

“Mendoj që ne të rinjve na takon për shkak të energjisë, moshës dhe për shkak se janë gjyshërit tanë, prindërit tanë, të dalim këtu edhe për ata që nuk munden”, tha Anxhela, e cila mendon se nëse të rinjtë nuk reagojnë sot, pas shumë vitesh mund të jenë në të njejtën situatë si pensionistët sot.

Pasi përfundova bisedën me Anxhelën, kërkova me sy për një prej aktivsitëve të tjerë, Emiljando Kitën, i cili është gjithnjë i angazhuar me biseda me protestuesit. 

Emilajndo, një nga aktivsitët që ka ndihmuar në organizimin e grupimit “Pensionistët Bashkë”, tregoi se grup i pensionistëve fillimisht ishte i vogël, kryesisht me ata që kishin qenë minatorë, me të cilët Emiljando kishte kontakte prej disa kohësh.

Foto: Arbjona Çibuku/ Aktivisti Emiljando Kita duke biseduar me dy pensionistë gjatë protestës

Pas vendimit të qeverisë për të cilësuar si rritje, indeksimin me vetëm 40 lekë në ditë të pensioneve, mes këtij grupimi lindi ideja për protestë. 

“Është një numër shumë i madh pensionistësh që po i bëhet një padrejtësi, që marrin një pension poshtë minimumit jetik”, tha Emiljando teksa renditi disa prej arsyeve për të cilat protesojnë.

Foto: Arbjona Çibuku/ Aktivisti Emiljando Kita duke mbajtur fjalën e tij gjatë protestës

“Kërkesat janë të qarta”, theksoi ai, “kërkohen pensionie dinjtioze, minimum jetik dhe një kategori e madhe, miratimin e statusit të minatorit”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW