Citizens.al

Aktivistët italianë protestojnë në Shqipëri kundër marrëveshjes ‘Rama-Meloni’

Citizens.al/Protesta e aktivistëve italianë e shqiptarë kundër marrëveshjes "Rama-Meloni".

Aktivistë italianë dhe shqiptarë protestuan sot kundër marrëveshjes “Rama-Meloni”, që mbyll në kampin e Gjadrit emigrantët e paligjshëm që kapen në ujërat e Mesdheut.

“Stop deportimeve”, “Italisë nuk i detyrohemi asgjë”, “Marrëveshje antikushtetuese”, ishin disa nga thirrjet që u drejtuan nga aktivistët teksa një parrullë me mbishkrimin “No lager” kryesoi manifestimin, i cili nisi me një grumbullim para Kryeministrisë e më pas vijoi me marshim drejt “Europe House” dhe më tej para Ambasadës Italiane.

“Lager” njihet gjerësisht lloji i birrës së fermentuar në proces të ngadaltë, por në gjermanisht do të thotë kamp, depo apo magazinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u përdor si nënkuptim për kampet e përqendrimit nisur nga shkurtimi i fjalës “Konzentrationslager”.

Me “No lager” aktivistët paralelizuan pikërisht këtë kuptim të kampeve naziste me atë çka po u bëhet emigrantëve që mbyllen në kampin e Gjadrit në Shqipëri.

Ky ishte organizimi i dytë i aktivistëve, pas marshimit që u mbajt të dielën para qendrës së pritjes në Shëngjin dhe kampit në Gjadër.

Organizimi dypalësh, nga aktivistët shqiptarë dhe italianë kundërshton bazën ligjore të kësaj marrëveshje, e cila deri më tani ka dështuar të zbatohet.

Javën e tretë të nëntorit, punonjësit socialë në kampin e Gjadrit u kthyen në Itali. Sipas “La Repubblica”, në Gjadër qëndruan vetëm 7 punonjës të “Medihospes”, organit drejtues të Qendrave Italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve.

Deri më tani në Gjadër janë mbyllur 24 emigrantë, por zhvendosja e tyre zgjati pak ditë pasi të gjithë janë kthyer mbrapsht në Itali, pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për përcaktimin e shteteve të sigurta, vendim që gjeti zbatim nga Gjykata e Romës në shqyrtimet e procedurave të shpejtuara për azil.

Qeveria Meloni ka apeluar vendimin e Gjykatës së Romës në Gjykatë të Lartë, kjo e fundit pritet të shprehet më 4 dhjetor nëse do të pranojë apo jo shqyrtimin e rekursit nga qeveria.

Paralelisht shumica qeverisëse në Itali ka diktuar ndryshime ligjore, të cilat kërkojnë heqjen nga juridiksioni për shqyrtimin e kërkesave për azil të emigrantëve që përfshihen në paktin “Rama-Meloni” të Gjykatës së Romës. Qeveria italiane synon t’ia kalojë këtë juridiksion gjykatave të Apelit.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW