Citizens.al

“Drejtësi për Martinin!” qytetarët për herë të katërt para ministrisë së Arsimit

Citizens.al/Hyrja e shkollës "Fan Noli" në Tiranë.

Prindër, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan pasditen e së martës duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për ngjarjen e 18 nëntorit ku 14-vjeçari Martin Cani u vra para shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Pavarësisht motit të paqëndrueshëm pjesëmarrësit e nisën protestën e katërt të tyre me një marshim simbolik nga shkolla 9-vjeçare drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke bërë thirrje për sensibilizim dhe vijim të protestave deri në dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.

“Dilni prindër reagoni, mos heshtni, policia, drejtoresha, ministrja, duhet të dalin e të kërkojnë falje,” thirri mes protestuesve Arben Kola, qytetar i angazhuar.

“Po të mos ishit ju sot këtu, Martini do të ishte harruar,” theksoi Ermelinda Hoxhaj, gazetare, e angazhuar në protestë si qytetare.

“[Me protestat] i kujtuam ministres se është ministre e Arsimit, e shikoni çfarë kanë bërë këtë javë, takim-mbas-takimi, klasë-mbas-klase, a mund ta zhbëjmë propagandën e tyre? Nuk ka rrugë tjetër vetëm që t’i largojmë, Manastirliu largohu!” thirri Migen Qiraxhi, qytetar i angazhuar nga “Qëndresa Qytetare”.

“Nëse nuk dini ta bëni këtë punë, jeni të pushuar, që nga ministrja e më poshtë, largohuni!” thirri Entela Spahivogli nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

Si ndodhi ngjarja dhe çfarë thonë autoritetet?

Martin Cani humbi jetën më 18 nëntor pasi u godit me thikë gjatë një sherri mes moshatarësh në një rrugicë pranë shkollës 9-vjeçare, ku i plagosur rëndë mbeti edhe shoku i tij, Luis Meçja.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit vonuan të jepnin reagime sqaruese për ngjarjen, teksa ministrja Ogerta Manastirliu në një koment gjatë seancës parlamentare të buxhetit, u përpoq të shmangte përgjegjësitë duke u shprehur se “ngjarja ndodhi jashtë mjediseve të shkollës”.

Policia akuzoi M.P, 14 vjeç, për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Megjithatë, Prokuroria e rikualifikoi akuzën në “vrasje në rrethana cilësuese”, që parashikon dënim deri në burgim të përjetshëm.

Në media u raportua për një tjetër të mitur që dyshohet se mori pjesë në ngjarje, version që u mbështet nga babai i Luisit, ndërkohë që ky i fundit në një intervistë nga spitali është shprehur se është goditur nga dy thika të ndryshme dhe se në ngjarje u përfshinë të paktën tre persona.

Policia e Shtetit në një komunikim zyrtar u shpreh se “nuk ka autorë të dytë të përfshirë në ngjarje” dhe se “disponon pamje filmike të personave të përfshirë në konflikt”.

Mirëpo, në një dalje publike, i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, Zëvendës-Drejtori i Krimit në Tiranë, Erion Ismaili la sërish vend për diskutime teksa nuk e saktësoi faktin nëse videoja për të cilën bën fjalë policia ka fiksuar momentin e vrasjes apo jo.

“Nuk e kemi të filmuar këtë…Kemi video edhe gjatë momentit, ndoshta nuk kemi video që shohim konfrontimin direkt të tyre, por kemi video që ne sqarojmë gjihtë rrethanat”, deklaroi Ismaili.

Protestat dhe vëmendja e shtuar publike bëri që familja e të miturit të dytë të përmendur në media t’i drejtohej autoriteteve duke bashkëpunuar me hetuesit. Versioni i përcjellë prokurorëve është se K.B ka ndërhyrë në sherr për t’i ndarë dhe nuk ka goditur. Ende nuk dihet se kush është personi i tretë, i përshkruar nga Luis Meçja të jetë në moshë madhore.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW