Autor: Brejdon Xhavara | Citizens.al | Tiranë
Problemet e komunitetit rom dhe egjiptian mbeten pa zgjidhje teksa autoritetet lokale të gjashtë bashkive në vend nuk kanë më as plane për integrimin e tyre. Një projekt i nisur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës për fuqizimin e komuniteteve nuk u zbatua plotësisht teksa u vijua më tej vetëm nga Bashkia Berat.
Prej vitit 2017, BE dhe KiE mbështesin komunitetet rome dhe egjiptiane në rajon me një program të përbashkët të quajtur “Romacted”, i cili synon fuqizimin dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
Programi ndihmon qeveritë lokale të integrojnë nevojat specifike të komunitetit në politikat, buxhetet dhe shërbimet publike. Kjo bëhet kryesisht përmes rekomandimeve nga ekspertë të kontraktuar prej programit, të cilët identifikojnë nevojat dhe sfidat kryesore të pakicave rome e egjiptiane.
Në këtë kontekst, në vitin 2018, si përgjigje ndaj kërkesave të organizatave ndërkombëtare për të përmirësuar përfshirjen e pakicave, shtatë bashki shqiptare – Elbasan, Vlorë, Fier, Berat, Korçë, Pogradec, Roskovec, – miratuan për herë të parë plane trevjeçare (2019-2022) për integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Por në tërësi, nga një monitorim i planeve dhe veprimeve të bashkive, duket qartë se zbatimi i tyre mbeti një sfidë e hapur, ndërsa pas vitit 2022 vetëm Bashkia Berat parashikoi një plan vijues (2022-2025) me një buxhet rreth 1.6 milionë euro.
Disa bashki bënë përparime, por shumë prej tyre nuk arritën të përmbushin premtimet e bëra (2019-2022), duke e lënë integrimin e këtyre pakicave në udhëkryq.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e vlerëson legjislacionin aktual të mjaftueshëm, por thekson se Shqipëria është ende larg përfshirjes dhe integrimit të plotë të këtyre pakicave. Ai përmend përjashtimet e vazhdueshme që komunitetet rome dhe egjiptiane përballen në arsim, punësim dhe shërbime sociale.
“Planet janë të pranishme në letër, por nuk shohim implementim efektiv nga ana e bashkive,” thotë Komisioneri Robert Gajda.
Aktualisht, nuk dihet nëse programi “Romacted” do të vijojë në Shqipëri duke e bërë më të paqartë të ardhmen e politikave fuqizuese për komunitetin rom dhe egjiptian.
Në një bisedë telefonike me zyrën e “Romacted” në Tiranë, përfaqësuesja e saj tha se programi përfundon në dhjetor të këtij viti dhe se për planet e reja lokale nuk kanë asnjë informacion pasi kjo vendoset në zyrën qendrore në Strasburg.
Të njëjtën gjë konfirmoi dhe Instituti i Kulturës Rome (IRCA) në Shqipëri, organizata e cila e zbatoi projektin.

Vlerësime të përgjithshme nga monitorimi i shtatë bashkive
Korça: Arsimi dhe strehimi në fokus
Në planin e saj për vitet 2019-2022, bashkia Korçë vuri theksin te përfshirja arsimore, duke identifikuar mungesën e kualifikimeve si një pengesë për integrimin e romëve dhe egjiptianëve. Shkolla “Naim Frashëri” vazhdon të ketë probleme me segregimin e nxënësve romë dhe egjiptianë, pavarësisht një vendimi nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sfidat shtrihen gjithashtu në aspektin e strehimit: në zonën “Gjeologjike,” 19 familje ende jetojnë në baraka, ndërsa të tjera që banojnë në ish-godinat e konviktit bujqësor përballen me kushte të rënda të jetesës dhe mungesë të legalizimit të pronës.
Vlora: Infrastrukturë e dobët dhe mungesë strehimi
Në Vlorë, minoritetet rome dhe egjiptiane jetojnë të shpërndara në zonat “Llakatund,” “Plazhi i Vjetër,” dhe “Skelë,” ku infrastruktura e dobët dhe banesat e papërshtatshme janë shqetësime të përhershme. Informaliteti i banesave, mungesa e ndriçimit dhe kanalizimi i dobët i ujërave të zeza ndikojnë në cilësinë e jetesës. Bashkia nuk ka ende një plan për përmirësimin e kësaj situate dhe thekson nevojën për një përditësim të vlerësimeve për strehim në zonat ku ka popullsi rome dhe egjiptiane.
Berati: Investime të njëanshme në zonat me shumicë rome
Komunitetet në Berat, përfshirë ato që jetojnë në Moravë dhe në lagjet “Ish-Pjeshkore” dhe “Donika Kastrioti,” përballen me mungesa të investimeve. Banorët tregojnë se ndriçimi dhe rrugët janë lënë pas dore, veçanërisht në lagjen Stan, ku nuk ka pasur asnjë investim për vite të tëra. Edhe pse bashkia raporton për përmirësime të infrastrukturës, këto ndërhyrje duket se kanë përfituar më shumë zonat me popullsi “shumicë” dhe jo banorët romë.
Elbasani: Projekte të paplotësuara dhe kushte të papërshtatshme
Në Elbasan, bashkia planifikoi ndërtimin e një tregu të ri për komunitetin rom dhe përmirësime në kanalizimet e ujërave, por deri më tani këto projekte mbeten të papërmbushura. Në zonën e Rrapishtes, kanalizimet mbeten një problem shqetësues, veçanërisht gjatë dimrit. Ndriçimi dhe infrastruktura rrugore gjithashtu mbeten shqetësime të pakapërcyera.
Elbasani dhe çështja e bursave për arsimin
Sipas dokumentacionit të bashkisë Elbasan, nuk ka pasur asnjë aplikim për bursa për fëmijët romë dhe egjiptianë, të cilat synonin të ulnin braktisjen e shkollës. Aktivistët e terrenit ngrenë shqetësimin se mungesa e informimit për këto skema mbështetëse ka penguar përfitimin nga ana e komuniteteve të synuara.
Roskoveci: Model për përfshirjen sociale
Ndër bashkitë pjesëmarrëse, Roskoveci është një nga ato që ka treguar progres. Nga viti 2016, bashkia ka realizuar rikonstruksione për 150 banesa dhe ka ndërtuar banesa sociale për disa familje rome. Bashkia po ndërton një objekt me 32 apartamente sociale me bashkëpunimin e Entit Kombëtar të Banesave, ku 2% e banesave janë të rezervuara për romët dhe egjiptianët.
Fier: Ndërhyrje të limituara dhe mungesa e financimit
Në Fier, bashkia nuk ka siguruar fonde të mjaftueshme për ndërtimin e banesave sociale, dhe shumë ndërhyrje mbeten të limituara për shkak të mungesës së financimit. Megjithatë, janë bërë disa përmirësime në asfaltimin dhe ndriçimin e rrugëve në zonat ku banojnë komunitetet rome, si në Levan dhe Kodër.
Ndërhyrje të pjesshme në Pogradec
Në Pogradec, bashkia ka nisur një projekt për rikonstruksionin e banesave për familjet e varfra, përfshirë edhe ato rome dhe egjiptiane. Ky projekt synon të përmirësojë kushtet e strehimit për 36 familje, duke përfshirë edhe ato nga komunitetet minoritare. Projekti kap vlerën prej 30 milionë lekësh dhe është mbështetur nga buxheti i shtetit.