Vitet e fundit përfaqësimi i Shqipërisë në Bienalen e Venecias, për seksionin e artit bashkëkohor, nuk është përzgjedhur me konkurs të hapur. Caktimi i artistëve përfaqësues në këtë event ndërkombëtar të kulturës nuk ka arsyetime për mënyrën e përzgjedhjes.
Në lidhje me këtë shqetësim, shkrimtarja dhe gazetarja Elsa Demo ka publikuar së fundmi hulumtimin “Shqipëria në Bienalen e Venecias, midis vullnetit, influencave dhe kontrollit politik”. Në sajë të këtij publikimi, pjesë e serisë së shkrimeve mbi kulturën dhe artin e quajtur “Harta’’, komisionuar nga United Nations Association Albania (UNAA), u mbajt një diskutim në librarinë e hapur në fundmi në Tiranë “Zef Valentini”.
“Nuk ka qenë temë kaq delikate dikur, para 2010, kishte vëmendje dhe të detajuar të gazetarëve, kurse sot pjesëmarrjen e Shqipërisë [në Venecia] e marrin me një portofol të gatshëm që i vjen nga Ministria e Kulturës,” tha Demo gjatë takimit.
Gazetarja thekson se ky botim nuk ka për qëllim të analizojë përfaqësimin e Shqipërisë përmes punës së artistëve, por sesi luajnë rol politikat kulturore.
Sipas hierarkisë Ministria e Kulturës duhet të caktojë një buxhet të patjetërsueshëm, të shpallë thirrje të hapur një vit para, të kryejë proces transparent konkurrimi ku komisioner ka partner kyç Galerinë e Arteve dhe informon dhe promovon me inteligjencë dhe profesionalizëm publikun dhe mediat.
Demo shpjegon se kjo hierarki nuk funksionon në asnjë shkallë të procesit, pasi Galeria Kombëtare është “inekzistente” dhe skena e pavarur është “e përçarë”.
“Dominojnë ndërkohë individë, – në menaxhim, sponsorizim, në prodhimin e veprave të artit dhe shfrytëzimin e hapësirave publike, – pas të cilëve qëndrojnë grupe të kriminalizuara në korrupsion, pastrim parashë dhe vjedhje votash,” theksoi Demo.
Sipas saj, në dekadën e fundit, kur pritej që qeveria e majtë të krijonte një sistem të pavarur për institucionet e artit, vetëm një herë ka ndodhur të hapet konkurs dhe të ngrihet një komision i pavarur që u bë publik dhe zgjodhi artistin Leonard Qylafi (2017). Atë edicion, në Venecia prezantohej sërish si artist kryeministri.
“Bienalja e Venecias është treg arti! Një e dhënë e 2015 thotë se shitjet në total arrijnë 58 miliardë euro, kurse artistë shqiptarë, si Sislej Xhafa, pjesëmarrja e tij në Bienale u sigurua veç në sajë të shitjes paraprake të punës tek një koleksionist nga Londra” vijoi Demo.
Mungesa e buxheteve dhe ndikimi jo vetëm i politikës, por edhe faktorëve të jashtëm, siç janë për shembull forca të pushtetit po luajnë rol kyç në përcaktimin e paraqitjes artistike të Shqipërisë në Bienale.
Ky diskurs u zhvillua në të njëjtën ditë kur Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ushtroi kontrolle në qendrën kulturore “Harabel”, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga Lira Kryeziu, Iris Ferati dhe Ajola Xoxa në vitin 2018. Xoxa aktualisht është nën hetim pasuror së bashku me bashkëshortin e saj, Erjon Veliajn, aktualisht kryetar i Bashkisë Tiranë.
“Ky është hap i mirë për të hapur diskursin, por duhet mbështetur me propozime konkrete, që mund t’i çohen Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe të thirren për dëgjesë,” përmblodhi artistja vizuale, Donika Çina.
Situata paraqitet më ndryshe për seksionin e arkitekturës për Bienalen e Vencias, ku së fundmi MEKI ka publikuar se përfaqësuese e Shqipërisë për 2025 do të jetë Anneke Abhelakh, me një projekt, i cili do të shfaqë arkitekturën e kullave të reja në Tiranë.
Citizens ka publikuar edhe më herët përmbledhje nga “Harta”, për artin dhe kulturën në Shqipëri.
Lexoni gjithashtu:
- Diskutim: “Deluzioni i të pasurit kinema në qytet”
- Tkurrja e hapësirave kulturore, artistët po vetorganizohen për të mbijetuar
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.