Citizens.al

“Lamtumirë Noel: Kullat po fshijnë shpirtin e Tiranës”

Në Tiranën e rrëmujshme, mund të gjesh qindra lokale të mbipopulluara me muzikë të lartë e të keqe. Nevoja për t’u arratisur në një vend ku mund të bisedosh shtruar, të shtyn drejt cepave të harruar.
I tillë ishte, deri para pak ditësh “Noel”-i, një bar-restorant i vogël, i vendosur buzë pedonales “Murat Toptani”.

Në të vërtetë, Noel ishte më shumë se një hapësirë arratisje– ishte një pikë takimi, një vend i ngrohtë që bashkonte njerëz, histori dhe kujtime. Lajmi se Noeli do të shembet për t’i lënë vend “zhvillimit të pashmangshëm”: kullës 34-katëshe, që do të ngrihet edhe mbi tokën publike që Bashkia e Tiranës i fali kompanisë Fusha pas Teatrit Kombëtar; më zemëroi jo pak. Mendova të ulem, të shkruaj diçka, jo thjesht raportimin e radhës mbi mënyrën abuzive si publikja vazhdon t’i falet të njëjtave kompani, por një kujtim për Noelin dhe trashëgiminë urbane e intelektuale që po humb çdo ditë qyteti i Tiranës.

Nuk arrita ta vizitoja dot për herë të fundit, pasi kur shkova dera ishte e kyçur. Kur pronarët më thanë se nuk shërbenin më, më ngërtheu një ndjenjë revolte, dhe kuptova se çdo ditë po humbim hapësira të tilla.

“Iku dhe Noeli!” i thashë mikeshës sime, për vendin ku mblidheshim e diskutonim për orë të tëra.

Hyrja për në Noel, tashmë i kyçur pas lajmit/ Foto: Arbjona Çibuku

Pronarëve, gjithnjë të palodhur e të buzëqeshur me të gjithë, u kërkova një bisedë këto ditë, teksa ata janë duke mbledhur kujtimet e fundit nga Noel, por e patën të vështirë. Ngarkesa emocionale që kanë nga boshllëku që do të lërë në jetën e tyre ndarja me atë vend, ku kanë kaluar më shumë se gjysmën e jetës, është tepër e madhe, e kështu nuk këmbëngula më tej, duke respektuar vendimin e tyre.

Noelit shpesh me shoqërinë i referoheshim si “Maja”, për shkak te emrit të pronares, një grua me energji të pashtershme pavarësisht viteve.

“Cifti i Noelit”, Maja dhe i shoqi Miri,  kanë ruajtur gjithnjë një profil të ulët, mbase kjo ishte dhe arsyeja tjetër pse nuk donin të ishin personazhe të historisë sime.

Në fakt, personazhi në këtë histori është Noeli dhe gjallëria që ata i kanë dhënë gjithkujt që ka kaluar kohë aty ndër vite.

Maja dhe Miri e quajtën bar-restorantin “Noel” pasi ai u hap në periudhë Krishtlindjesh – e për ironi të fatit po mbyllet në të njëjtën periudhë.

Në fillim kishin menduar ta quanin “Rruga e Qumështit”, pasi në kohën e komunizmit, në pedonale, që asokohe quhej “Rruga Labinoti”, njerëzit dyndeshin për të mbajtur radhën e qumështit në dyqanet e pakta që kishin furnizim.

Por për të mos përcjellë kujtimet e së kaluarës famëkeqe, e quajtën “Noel”.

Ambienti i brendshëm i Noel, muret e mbushura me postera dhe fotografi/ Foto arkivë në telefon

Historinë e emrit Noel e kam mësuar teksa lexoja librin “Nëntëdhjeteshtata: Apokalipsi i rremë” të Fatos Lubonjës. Lubonja e përmendte si një vend që mblidhte në gjirin e vet, artistë, poetë, aktorë dhe politikanë.

Koha e ktheu Noelin në një vend trashëgimie intelektuale e qytetit. Artistët mblidheshin aty, pasi Noeli ndodhet krah ish-Teatrit Kombëtar, një nga shumë “ish vendet” që kanë renë pre e “zhvillimit veritkal”.

Kjo bënte që Noeli të ishte njëfarë shtëpie për aktorët dhe artdashësit.

Kështu e kam njohur Noelin, që të priste derëhapur, me shkallët që merrnin për poshtë në një ambient të ngrohur nga moria e fotografive, posterave dhe revistave të ngjitur për muresh.

Për mua Noeli ka qënë vendi ku mblidheshim pas protestave, për të rrahur idetë, e për të shkëmbyer biseda me miqtë.

“Si ju shkoi protesta sot, pati njerëz, me kujdes atje?”, na thoshte përherë Maja teksa na merrte porosinë, e na referohej si “kalamajtë”, si më të rinjtë mes klientëve, që ishim.

Teksa po përshkruaj Noelin, më erdhi ndërmend një udhëtim në Madrid që kam bërë disa vite më parë. Kisha listuar baret që doja t’i vizitoja pasi i kisha hasur në librat e Hemingueit. Ndër ta,  “La Venencia” i ndërtuar diku në vitet 1920, mendohej se gjatë luftës civile në Spanjë antifashistët mblidheshin aty.

Pronarët kishin bërë ndërhyrje të vogla në infrastrukturën e barit, vetëm për mirëmbajtje, dhe sapo hyje ndieje aromën karakteristike të verës së kuqe andaluze përzierë me aromën e mobileve të vjetra, si një udhëtim në kohë. Teksa prisja porosinë aty, po mendoja po në Tiranë, a ka mbetur ndonjë vend i tillë? E përgjigja më e shpejtë që më erdhi ndërmend ishte Noel, në një farë mënyrë mendova se mund t’i përafrohet.

Noeli nuk ndryshoi ndër vite, ishte po ashtu siç e përshkruante në librin për vitin 1997 Lubonja, e kjo gjë e bën të veçantë në krahasim me lokalet me emra kryeqytetesh evropiane që shndërrijnë nga dritat LED dhe arredohen nga e para çdo gjashtë muaj.  

Ai përfaqësonte një tjetër lloj Tirane – një Tiranë ku kujdesi për të kaluarën dhe kujtesa kishin ende një vend.

Për fat të keq, Tirana po humb çdo ditë e më tepër hapësira të tilla, të cilat me historitë njerëzore që mbledhin ndër vite ndërtojnë identitetin historik e urban, atë Tiranën alternative.

Pallate, kulla, parqe që prishen, vila që shemben, këto janë zhvillimet që po e shoqërojnë Tiranën vitet e fundit. Prej vitit 2018 kullat po shpërhapen më shumë duke bërë që të mos kuptohet më ku fillon dhe ku mbaron kantieri.

36 objekte monument kulture në Tiranë u zhveshën nga statusi i mbrojtjes, e të paktën 17 prej tyre janë rrafshuar për pallate.

Ne foto muri rrethues i kantierit ku po ndërtohet teatri i ri dhe një billboard i një shfaqeje të teatrit shëtitës Çajupi/ Foto: Arbjona Çibuku

Pedonalja “Murat Toptani”, ku ndodhet dhe Noeli, ishte zona e lakmuar nga kompania Fusha, e cila, pasi u tërhoq nga negociatat aspak transparente me Bashkinë Tiranë për të ndërtuar me paratë e saj Teatrin e ri Kombëtar, siguroi një “marrëveshje më të leverdishme”.

Fusha do të ngrejë kullën duke marrë dhe tokë publike, ndërsa teatri do të ndërtohet me para të taksapaguesve, pas një beteje të gjatë të qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të një objekti me arkitekturë të veçantë, siç ishte vepra e italianit Giulio Bertè.

Vilat e vjetra karakteristike të qytetit vit pas viti po ia lënë vendin kullave. Sa hërë ndonjë mik i huaj më viziton në Tiranë, sikletosem se ku mund ta shëtis, pasi më kërkojnë diçka autentike, të vjetër dhe historike. Me intesitetin e ndërtimeve dhe ato pak vende që kishin mbetur, po largohen duke ja lënë çdo ditë vendin një pallati, apo një kulle.

Prandaj historia e Noelit nuk është thjesht humbja e një “lokali interesant” të qytetit, por simbolizon metamorfozën e tij.

Në këtë epokë “zhvillimi,” kujtimet për Noelin janë një thirrje për të mbrojtur dhe dokumentuar atë çfarë ka mbetur nga Tirana autentike – një qytet që ka dalë në shitje dhe po matet me m2 beton dhe që na përket çdo ditë e më pak.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW