Citizens.al

Monitorimi zbulon mangësi për transparencë dhe qasje në arsim e shëndetësi

Foto/Gjatë prezantimit të gjetjeve të monitorimit për transparencën dhe qasjen në arsim e shëndetësi.

Sistemi shëndetësor dhe arsimor vijon të mos u garantojë qytetarëve shqiptarë transparencë dhe akses të mjaftueshëm. Kjo u vu në dukje nga një monitorim i kryer nga katër organizata joqeveritare, të cilat nxorën në pah nevojën për ndërhyrje në infrastrukturë, ligje dhe administrim.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN) së bashku me Together for Life, Qëndresa Qytetare dhe Destiny Center for Excellence monitoruan tetë drejtoritë rajonale të shëndetësisë dhe arsimit , nga ku u vu re se niveli i transparencës dhe aksesit ishte në kufijtë minimalë.

Gjetjet e monitorimit u prezantuan të martën. Ai përqendrohej te faqet zyrtare të drejtorive, programi i transparencës, rregulloret e brendshme, kodi etik, buxhetet, raportet vjetore financiare dhe raportet e performancës.

Përqendrimi i shërbimeve në katër rajone të mëdha u konsiderua jo-optimal nga ana administrative pasi ky organizim u kufizon qasjen në shërbime grupeve vulnerabël.

“Nëse flasim për pacientët, nxënësit dhe familjarët, por sigurisht edhe me një fokus të veçantë në grupet vulnerabël, largësia e drejtorive rajonale për ato shërbime të cilat janë drejtpërdrejt të lidhura me mirëqenien e tyre mund të krijojë më shumë problematika,” -u shpreh Kristina Voko, drejtuese e BIRN Albania.

Monitorimi nxori si gjetje një nivel të ulët transparence nga drejtoritë rajonale të shëndetësisë ku drejtoritë rajonale Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan nuk kanë as faqe zyrtare të tyren. Ardita Shehaj, një prej autoreve, tregoi se aktiviteti i këtyre drejtorive përfshihet në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme, por që sidoqoftë informacioni i përcjellë aty është minimal.

Ngjashëm, drejtoritë rajonale të arsimit shërbejnë informacion të kufizuar në faqet e internetit duke plotësuar pjesërisht detyrimet ligjore sa i përket njoftimeve.

Qasja në sistem

Monitorimi i kryer nga organizatat u fokusua edhe te qasja fizike në drejtoritë e sistemit shëndetësor dhe arsimor, ku perceptimi u mor përmes intervistave nga komunitetet në nevojë.

Rezultoi se vetëm dy nga katër drejtoritë rajonale të shëndetësisë kishin rampa për personat me aftësi të kufizuara. Mungesa u vunë re dhe në drejtoritë arsimore, ndërsa në ato institucione ku ishin të pranishme rezultonin jashtë standardit.

Personat e pyetur treguan edhe për mungesën e ashensorëve ndërsa u vu re mungesë e tabelave, apo sistemeve të veçanta sinjalizuese për ata që kanë pamundësi në shikim.

“Mungesa e qasjes së barabartë në këto shërbime krijon pabarazi të konsiderueshme midis grupeve të ndryshme socio-ekonomike dhe zonave gjeografike,” -u shpreh Aida Myftaraj nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER).

Sipas raportit monitorues, sistemi heziton të publikojë të dhënat se sa fëmijë romë dhe egjiptianë ndjekin shkollën, “pasi duan të mos zbulohen shifrat e braktisjes nga këta nxënës”. Ndërkohë në portalin “Mësues për Shqipërinë” ky komunitet ka hasur probleme me procedurat që kërkohen pasi informacionet botohen të përgjithshme, pa shumë detaje.

Probleme të tjera

Përfaqësues të komuniteteve ndoqën nga afër prezantimin e raportit monitorues duke dhënë edhe komente të volitshme, të cilat nxorën në pah problematika të tjera.

Suela Lala nga Fondacioni së Bashku ndau shqetësimin se në shkolla mungojnë mësuesit-ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara kjo edhe për shkak të një përcaktimi të ngurtë ligjor.

“…sepse nëse nuk janë katër fëmije me aftësi të kufizuar, sipas ligjit, [shkollat] nuk mund të marrin mësues ndihmës,” theksoi Lala.

Mungesa e intepretëve të gjuhës së shenjave për nxënësit që nuk dëgjojnë shtyn fëmijët me aftësi të kufizuara në dëgjim të mos frekuentojnë shkollat e zakonshme.

Për Romina Sefën, nga Qendra për Advokim Social, segregimi në shkolla i nxënësve të komunitetit rom dhe egjiptian vijon të jetë shqetësues.

“Kemi problematika të përbashkëta se të gjithë vuajmë për shërbime më të mira, më cilësore. Është një diskriminim i shumëfishtë kur je edhe pjesë e një komuniteti të caktuar,” -u shpreh Sefa.

Sipas saj, në sistemin arsimor parauniversitar ka një VKM (666) që parashikon trajtim financiar për fëmijët e këtij sistem, “por ndër to nuk janë fëmijët romë dhe egjiptianë”.

Për Xhenin Karaj, nga Aleanca LGBT, shqetësues mbetet fakti se personat transgjinorë nuk kanë qasje në sistemin shëndetësor.

“Mungesa e aksesit në terapinë hormonale. Nuk ka një protokoll mjekësor në Shqipëri për këtë proces, por nuk ka pasur edhe vullnet politik që të bëhet ky protokoll mjekësor, duke i detyruar personat transgjinorë të shkojnë në tregun e zi,” -deklaroi Karaj.

Sipas saj edhe ligji i ri për shëndetin riprodhues është diskriminues për komunitetin LGBT, pasi sipas ligjit vetëm çiftet “hetero” kanë të drejtë të bëjnë fertilizim “in vitro”, duke përjashtuar personat në marrëdhënie të tjera.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW