Tre vitet e fundit në Shqipëri ndodhën 32 vrasje të grave dhe vajza, ku shumica ishin vrasje me dashje për shkak të gjinisë, – femicide. Shifrat u bënë me dije nga Observatori Shqiptar i Femicidit, një organ monitorues i krijuar nga Avokati i Popullit, i cili ka ngritur shqetësimin në lidhje me sistemin e mbrojtjes së viktimave të dhunës.
Gjatë periudhës 2021-2023, në 19 bashki të vendit, ndodhën 32 vrasje të grave dhe vajzave, prej të cilave 24 vrasje rezultuan të ishin femicide. Numri më i madh i vrasjeve ndodhi në Tiranë (6), Fier (4) dhe Elbasan (3) duke dëshmuar se shoqëria shqiptare vijon të ketë probleme me respektin dhe barazinë gjinore.
“Çdo grua që vdes nga dhuna është një dështim i shoqërisë, i institucioneve dhe i edukatës sonë për barazi dhe respekt reciprok,” tha Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca gjatë prezantimit të raportit.
Autoritetet kanë bërë përgjegjës për vrasjet 28 autorë, ku vetëm në dy raste akuzat janë drejtuar mbi gra. Rreth një e treta e autorëve i përkasin moshës 45-59 vjeç, ndërsa thuajse në 60% të rasteve vrasjet kanë ndodhur në banesën e viktimës.
“Duhet të kuptojmë se femicidi nuk është çështje vetëm e viktimave, por është problem që ka të bëjë me të gjithë ne,” vijoi Ballanca.
Raporti, i realizuar nga Observatori i Femicidit i ngritur në mars 2024, shërben si një mekanizëm i rëndësishëm monitorimi për parandalimin e femicidit. Përmes tij, synohet të identifikohen boshllëqet në mekanizmat e mbrojtjes për viktimat e dhunës dhe të ofrohen rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.
“Femicidi nxitet nga diskriminimi gjinor, marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe normat shoqërore të dëmshme. Ai është manifestimi më ekstrem dhe brutal i dhunës ndaj grave, i cili shfaqet në vazhdimësi të formave të shumta dhe të ndërlidhura të dhunës,” shpjegoi Michele Ribotta, përfaqësues i “UN Women” në Shqipëri.
Në vitin 2023, shkalla e femicidit në Shqipëri ishte 0.84 për 100,000 gra. Statistikë më e lartë se në vitin 2022. Kjo shkallë është më e ulët se vendet fqinje si Mali i Zi dhe Greqia, por tejkalon Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.
Raporti thekson rëndësinë e mbledhjes së të dhënave të qëndrueshme dhe transparente, duke përdorur kornizën statistikore të OKB-së për matjen e femicidit.
Në shkallë globale, UN Women dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), raportuan se në vitin 2023 rreth 51,100 gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e tjerë të familjes (duke përfshirë baballarë, nëna, xhaxhallarë ose vëllezër).
Shifrat nënkuptojnë se, mesatarisht, 140 gra ose vajza vriten çdo ditë nga dikush brenda familjes së tyre.
Në lidhje me dhunën me bazë gjinore, femicidin, dhunën online, por edhe historikun e lëvizjes feministe në Shqipëri, Citizens ka publikuar një cikël dokumentarësh, me tre epsiode.
Dokumentari “Gjurmët e Dhimbjes”
Dokumentari “Në rrjetën e frikës”
Dokumentari “Rrënjët e rezistencës”
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.