Citizens.al

Mbrojtja e Vjosës, gjykata anulon kontratën e hidrocentraleve në Shushicë

Foto/Lumi Shushica, Vlorë, Nick St. Oegger.

Beteja ligjore për mbrojtjen e lumit Shushica, degë e Vjosës, ka përfunduar me sukses në gjykatë duke krijuar një precedent të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri.

Shkalla e parë e Gjykatës Administrative shpalli sot vendimin për anulimin e kontratës që parashikonte ndërtimin e 4 hidrocentraleve në shtratin e saj duke u dhënë të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore.

“Të gjithë banorët e luginës së Shushicës dhe Parkut Kombëtar të Vjosës kanë triumfuar me këtë vendim. Drejtësia për mbrojtjen e lumit tonë nga hidrocentralet vonoi, por fatmirësisht erdhi në favorin tonë,” tha Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brataj, rreth 190 kilometra në jug të Tiranës.

Gjykata legjitimoi 28 banorët që paditën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për koncesionin 35-vjeçar dhënë “Shushica Hydropower” në vitin 2017 për shfrytëzimin e ujërave të lumit. Ajo i konsideroi banorët palë e drejtë për të paditur jo vetëm mbi bazën e “interesave pronësore”, por edhe “shpirtërore dhe kulturore”.

Ky legjitimim u shtri edhe mbi organizatat “EcoAlbania” dhe “Impetus”, të cilat së bashku me qendrën “Res Publica” kanë kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen e mjedisit.

Besjana Guri, përfaqësuese e EcoAlbania, u shpreh se ky vendim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për autoritetet.

“Ne shpresojmë që ky vendim të mos apelohet, por të pranohet si një sinjal për mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore,” tha Guri.

“Pas gati tre vitesh, kjo është një fitore e rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e Shushicës, por edhe për jurisprudencën shqiptare,” deklaroi avokatja Irena Dule nga qendra Res Publica.

Sipas saj, vendimi krijon një praktikë të re juridike që lejon publikun të kundërshtojë juridikisht kontratat administrative pa qenë palë kontraktore. Vendimi gjithashtu forcon statusin e mbrojtjes së lumit të egër të Vjosës, i cili është shpallur Park Kombëtar.

Shushica, që njihet ndryshe dhe si Lumi i Vlorës, rrjedh nga Mali i Thatë dhe Mali i Gjoshnikoshit në lindje të fshatit Kuç të Vlorës. Ky lum bën bashkë të paktën tre përrenj të ftohtë – Smokthina, Vajza, Vllahina – dhe përshkon rreth 82 kilometra nga jugu në veri duke iu bashkuar Vjosës si një nga degët kryesore të saj.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW