Prej muajit tetor, çdo mes jave Qani Shino bashkë me dhjetëra pensionistë, protestojnë para Kryeministrisë për pensione më dinjitoze. Profili i tij është i veçantë pasi spikat si aktivisti më i zëshëm i kësaj kauze edhe pse mosha nuk ia toleron sforcimet fizike.
Çdo të mërkurë në orën 10:00, ai i përkushtohet protestës, përkushtim i cili më shtyu ta takoj nga afër për një bisedë më të gjatë me të.
“Takohemi në 9:00,”-iu përgjigj Shino ftesës sime për kafen e mëngjesit. Si ish-minator, tashmë pensionist në të 70-at, aktet protestuese nuk i ka të parat.
“Kam punuar në minierë të Valiasit dhe në minierë të Priskës. Sa filloi ndryshimi i sistemit ne na nxorën në mënyrë selektive nga puna. Na dhanë një vit rrogë dhe një vit asistencë. Mbas kësaj na lanë si peshku pa ujë,”- tregoi Shino teksa ktheu kafen, së cilës i hodhi edhe pak raki, që siç shpjegoi ai “bën mirë për zërin në protestë”.
Prej rreth 35 vitesh ai dhe ish-minatorë të tjerë protestojnë për statusin e minatorit. Mirëpo, në hijen e një Shqipërie që përpiqet të kapë integrimin në Evropë, zëri i ish-minatorëve, tanimë pensionistë, mbetet kujtesë e qartë e padrejtësive sociale.
Ai e përshkruan periudhën e tranzicionit si kohë ku gjithë djersa dhe mundi i punëtorëve të investuar në miniera, uzina dhe fabrika u shkatërrua “për skrap”.
“Demokracia na erdhi me kazmën për të prishur gjithë mundin e djersën që kishim lenë. Kemi një politikë disavjeçare që thotë: jo e majta jo e djathta. Për ne janë të gjithë të djathtë,” vijoi Shino.
Pensionet minimale dhe një luftë e vazhdueshme
Sot, Shino jeton me 18,700 lekë pension, një shumë e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet mujore bazë. Ai ndjen hidhërim për mënyrën se si politika ka keqpërdorur kontributet e viteve të tij të punës.
“Kam 45 vite pune. Sigurimet i kam paguar sipas rregullave të shtetit të asaj kohe, por përllogaritjet janë bërë sipas qejfit të këtyre që qeverisin,”- tregon më tej ndërsa paralelizon situatën me deputetët.
“Çfarë do të bënin këta sikur të kishin kaq lekë?! Sot një deputet merr baraz me 33 pensionistë rrogë. Vetëm rrogë! Pa këto komisionet, dietat e karburantet etj.”
Për Shinon indeksimi i pensioneve, detyrim ligjor i qeverive përballë zhvlerësimit të parasë si rrjedhojë e inflacionit, është një politikë boshe që hidhet në diskursin publik si një premtim apo përkrahje e qeverisë.
“Indeksimi është detyrim, jo nder që na bëjnë këta. Ne na duhet një minimum jetik, jo lëmosha!” -shpjegoi Shino me revoltë.
Prej muajit tetor, pensionistët janë organizuar në protestë. Të mbështetur në këtë nismë nga Lëvizja Bashkë, një parti e re që synon të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ata kërkojnë rritje pensionesh, miratim të statusit të minatorit, përcaktim të një minimum jetik, shërbime në shëndetësi e më gjerë.
Në fillim këto protesta u morën me rezervë nga qeveria.
“Doli gjatoshi ynë që kemi në Kryeministri dhe tha: ‘Kanë dalë ca, një grup pleqsh që i gënjen dikush, Sudja tha’…” -citoi me ironi Shino një nga deklaratat e Kryeministrit Rama.
Mirëpo, prej nisjes së protestave, çështja e pensioneve është vendosur në agjendën qeveritare, duke nisur nga takimet me pensionistët dhe deri te tryezat për të adresuar mbështetjen e tyre.
Takime, të cilat u kurorëzuan me një bonus për fundvit, më të lartë se vitet e shkuara, duke u dhënë 10-15 mijë lekë shpërblim pensionistëve.
“Do ketë dhe një bonus të dytë, do jepet në hyrje të çdo pranvere,”– premtoi Kryeministri Rama, duke i paraprirë zgjedhjeve parlamentare.
Për Shinon, ky bonus është i gënjeshtërt.
“Ishte për të mbyllur gojën, bonusi nuk është zgjidhje për ne. Për ne zgjidhja është të sigurohet minimumi jetik për të gjitha shtresat në nevojë dhe pastaj sipas specialiteteve, sipas profesioneve të punës secili të marrë pjesën që i takon,” -shpjegoi ai.
Një jetë në kërkim të dinjitetit
Qani Shino thotë se politikat e padrejta ndaj pensionistëve i kanë detyruar ata “të rrojnë me lëmoshën e fëmijëve”.
“Por fëmijët kur ikën, kur u prish sistemi ishin 17-18 vjeçarë. Tani janë bërë familjarë, me dy-tre fëmijë. Atëherë vërtetë [si emigrantë] dërgonin, tani ç’të dërgojë, të ushqejë fëmijët e tij apo të qajë hallin e pleqve këtu në Shqipërinë e politikës 34-vjeçare që vjedhin, uzurpojnë pasurinë e shtetit”.
Citizens.al realizoi më herët një anketë online, ku mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni, të cilët ndanë përvojat e tyre për kostot e jetesës. Shumica u shprehën se ilaçet ishin shpenzimi kryesor më i kushtueshëm i muajit dhe se në fund nuk ju mbeten para.
Shumica tregoi se ndihmohej nga fëmijët me para për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërsa një pjesë e vogël u shpreh se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.
Dita e zakonshme e Qaniut është si një betejë për të mbijetuar.
“Dal të pi një kafe, por zgjedh vendin më të lirë. Të mirën ne s’e kemi, se nuk del. Me 187 mijë lekë pension që kam unë, nuk del, sidomos në qytet, se në qytet ke katër faqet e murit, do dalësh, do futësh dorën në xhep. Lepe thotë xhepi.”
Megjithatë, Shino është shembull qytetarie për faktin se nuk ka hequr dorë nga lufta për të drejtat e tij.
“Sa të kem frymë, nuk do ndalem. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë dinjitet për punën tonë dhe për jetën tonë.”
Një politikë që harron të moshuarit
Hera e fundit që Kryeministri Rama kishte folur për pensionistët ishte 10 vite më parë.
Fillimisht në vitin 2013, teksa nisi fushatën elektorale për t’u bërë Kryeministër, duke e konsideruar rritjen e pensioneve si angazhimin kryesor të qeverisë që ai do të formonte.
Në 2014, teksa krijoi qeverinë u shpreh se “nuk mund të vazhdojë edhe 30 vite të tjera duke i parë pensionistët si qenie që thjesht duhet të mbijetojnë me një grusht lekësh”.
Mirëpo, prej asokohe e deri më sot pensionistët kanë qenë në vëmendjen e qeverisë për aq kohë sa ka zgjatur një “valle me dajre” në fushatë dhe kur vinte puna për të indeksuar pensionet.
Rikthimi i vëmendjes tanimë, na kujton se zgjedhjet janë pranë dhe fushata zgjedhore ka nisur.
Shino kujton se nuk ka qenë asnjëherë anëtar partie, mirëpo edhe tani që dalin në protestë, ka shumë që kanë frikë të bëhen pjesë.
“Kemi shumë prej tyre që kanë frikë se kanë fëmijët në punë dhe më thonë unë dua të vij edhe në protestë, por kam fëmijët në punë, këta i heqin menjëherë. Të heqin nga puna”.
Në 21 tetor, teksa Kryeministri Rama kryente takim me pensionistët te piramida, Shino mori librezën e tij dhe u përpoq të futej në takim. Mirëpo, nuk u lejua nga rojet e sigurisë.
“Më thanë kemi pensionistë, u thashë ‘Na more djalë’ dhe i tregova librezën. Jo tha s’e ke emrin në listë,”-kujton Shino.
Në mungesë të mediave atypari, ai ndjeu nevojën të kryente një akt simbolik të revoltës së tij.
“Një t’u shtrirë te xhami atje duke bërtitur: ‘O Edi Rama pse nuk i do njerëzit e ndershëm? Pse nuk i do njerëzit e vuajtur?”
Aktivist politik në moshë pensioni
Duke përsëritur disa herë faktin që nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike në vend, Qani Shino rrëfen se tanimë është një simpatizant i një partie të re: Lëvizja Bashkë.
“Jam simpatizant i Lëvizjes Bashkë, jo anëtar. Kjo erdhi në moshën 72 vjeçare,”– më shpjegon ai.
Angazhimi në një kauzë të mbështetur nga kjo lëvizje erdhi prej kohës që protestonte për statusin e minatorit, pak vite më parë.
“Si ish-minatorë kemi 34 vjet që protestojmë. Në këto protesta na erdhi Lëvizja Bashkë. Na erdhën shumë nga këto partitë, nuk i pranuam, por pamë një seriozitet te të rinjtë e kësaj lëvizje që na mbështetën”.
Ai ka harruar moshën, ndërsa rrëfen aktivizmin politik së fundmi, të rrallë për bashkëmoshatarët e tij.
“Ta harrojnë këta votën e pleqve. Kemi dalë derë më derë. Unë kam një palë këpucë, opinga që ngjitem shkallë më shkallë, shtëpi më shtëpi dhe vete u çoj fletushka, ju them mos votoni më qeverinë, por votoni Lëvizjen Bashkë”.
Qani Shino shprehet i bindur se pensionistët dhe ish-minatorët do t’i vijojnë protestat deri sa të arrihen kërkesat e tyre.
“Këtu nuk duhen vetëm protesta, por ne jemi pleq e nuk rrimë dot, por të marrim ndonjë stol e të rrimë atje nja 40-50 orë. Se ajo godinë [e Kryeministrisë] ka tre dekada që na gënjen. Ajo godinë duhet shkërmoqur nga fundi. Katër dekada i kaluam në diktaturë. Tani po mbyllet dekada e katërt, po kalojmë në uzurpaturë. Diktaturë dhe uzurpaturë, kjo është Shqipëria”.
Për Shinon dhe shumë të tjerë si ai, rruga drejt drejtësisë sociale mbetet e gjatë dhe e vështirë. Mirëpo, angazhimi i tyre në këto protesta është një kujtesë se dinjiteti dhe integriteti nuk duhen marrë si privilegje, por si të drejta që duhen mbrojtur me çdo kusht.
“Na kanë shkelur me këmbë dinjitetin. Ne jemi kufoma, por jemi dinjitet. Një popull pa dinjitet nuk mund të integrohet. Nëse nuk ndalet kjo tallje me brezin tonë, nuk ka të ardhme as për të rinjtë,”- përfundoi ai.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).