Citizens.al

Turizmi rural dhe malor: Sfidat dhe perspektivat për zhvillimin e qëndrueshëm

Foto/Gjatë diskutimeve për perspektivën e turizmit në zonat malore.

Diskutim mbi Turizmin Malor në Shqipëri: Potencialet dhe Sfida për Zhvillim

Më 11 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Maleve, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizoi një tryezë diskutimi që trajtoi në mënyrë kritike sfidat dhe mundësitë e turizmit malor dhe rural në Shqipëri. Aktiviteti tërhoqi vëmendjen e aktorëve kyç, duke përfshirë qeverinë, opozitën dhe përfaqësues të komuniteteve malore. Në qendër të diskutimeve ishte Paketa e Maleve dhe projektligji i propozuar për shitjen e pasurive shtetërore në këto zona, që synon të sjellë një rigjallërim ekonomik në territoret e izoluara.

Përplasjet e Qeverisë dhe Opozitës

Debati u ngrit kur kryetari i Komisionit për Veprimtari Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, deklaroi se projektligjet po konsultohen gjerësisht me palët e interesuara. Deputetja e opozitës Emilia Koliqi e kundërshtoi këtë argument, duke shprehur shqetësimin se proceset ligjore shpesh anashkalojnë zërin e komuniteteve.

“Një shembull i qartë është ligji për Zonat e Mbrojtura,” tha ajo, duke theksuar mungesën e transparencës dhe ndryshimet e bëra në minutat e fundit të miratimit.

Në përgjigje, Pëllumbi mbrojti qëndrimin e qeverisë, duke argumentuar se shumica e shqetësimeve janë adresuar. Ai gjeti mbështetje nga zv.ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, i cili shprehu besimin se projektligji do të tërheqë investitorë të huaj dhe do të krijojë kushte që emigrantët të rikthehen për të investuar në këto zona.

Por Koliqi e sfidoi këtë optimizëm, duke deklaruar: “Turizmi në këto zona është zhvilluar falë përpjekjeve individuale të bizneseve vendore, jo falë ndihmës së qeverisë, e cila kujtohet për këto zona vetëm në prag zgjedhjesh.”

Rekomandimet për një Turizëm të Qëndrueshëm

Një ndër pikat kyresore të tryezës ishte prezantimi i rekomandimeve nga komunitetet ruruale dhe malore, përgatitur nga Evelina Azizaj nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD). Rekomandimet e saj theksuan disa prioritete:

  • Forcimi i kapaciteteve njerëzore për mbështetjen e turizmit malor dhe rural.
  • Promovimi dhe mbrojtja e produkteve lokale, duke i dhënë rëndësi trashëgimisë kulturore dhe traditave.
  • Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe dixhitale, element kyç për tërheqjen e vizitorëve dhe investitorëve.
  • Nxitja e të rinjve për t’u angazhuar në sipërmarrje turistike, duke përdorur burime alternative të energjisë për të garantuar qëndrueshmërinë.

Një pikë e diskutuar gjerësisht ishte ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve (HEC-eve) në zonat malore, një shqetësim që ka ngjallur debate prej kohësh. Ndërtimet duhet të jenë në harmoni me mjedisin, ndërsa funksionimi efektiv i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve u vlerësua si domosdoshmëri për të garantuar qëndrueshmërinë e turizmit.

Diskutimet mbi Paketën e Maleve dhe projektligjin shoqërues u përqendruan në nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse që merr në konsideratë shqetësimet e komuniteteve lokale, transparencën në proceset legjislative dhe prioritetin për ruajtjen e mjedisit. Kjo tryezë diskutimi u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të zonave malore dhe kthimit të tyre në destinacione turistike të qëndrueshme dhe atraktive për investitorët.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW