Citizens.al

“Çështja Xhaçka” përplas socialistët edhe me Komisionin e Venecias

LSA/Deputetja socialiste Olta Xhaçka gjatë një seance parlamentare.

Autorë: Arbjona Çibuku dhe Erblin Vukaj | Citizens.al

Një opinion i Komisionit të Venecias ka shtuar paqartësitë rreth së ashtuquajturës “Çështja Xhaçka” duke thelluar përplasjet e shumicës socialiste me opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit thekson se me veprimet dhe mosveprimet e tyre socialistët po minojnë themelet e shtetit.

Ky është rasti i shtatë ku Kuvendi injoron Kushtetuesen. Duke qenë shumicë parlamentare barra bie mbi socialistët, të cilët me interpretime të ndryshme po i ofrojnë mbrojtje politike ish-ministres së tyre.

Çështja Xhaçka

Në mars të vitit 2021 bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, Artan Gaçi, përfitoi nga qeveria status investitori strategjik për ndërtimin e një resorti në Dhërmi si dhe shfrytëzimin për 30 vite të bregdetit.

Resorti i Gaçit, një kompleks vilash 2-3 katëshe, do të quhej “Dreamades Luxury Suites”. Ai do ta ndërtonte me kompaninë e tij “AG.TCC” sipas një plani investimi prej €5.5 milionë. Kompleksi me mbi 100 suita do të operonte për hoteleri nën menaxhimin e një kompanie të nënkontraktuar.

“Unë jam thjesht investitori […] për të shmangur konfliktin e interesit gjeta kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin,” do të shprehej Gaçi për BIRN në vitin 2022.

Por duket se Gaçi, ish-deputet i PS-së nuk iu shmang dhe aq konfliktit të interesit. Kompania në fjalë – me të njëjtat iniciale: AG.TCC Hotel Managment, – rezultoi në emër të kunatës së Xhaçkës, partneres amerikane të vëllait.

Asokohe Xhaçka ishte ministre e Punëve të Jashtme.

Aktualisht resorti i Gaçit është vënë nën sekuestro pas hetimeve të nisura në vitin 2023 nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion nën dyshimin për tjetërsime pronash.

SPAK dyshon se ish-Kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, në bashkëpunim me katër vartës dhe zyrtarë të Kadastrës tjetërsuan troje shtetërore në favor të privatëve, ku “përfitues fundor” rezulton të jetë Gaçi.

“E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2 [trualli që merrte në shfrytëzim resorti i Gaçit], […] është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat,” tha SPAK në një njoftim për shtyp muajin maj.

Goro dhe katër zyrtarë të tjerë janë vënë nën masë arresti ndërsa Gaçi është thirrur dy herë për të dëshmuar në SPAK si “person në dijeni”.

Mbrojtja politike dhe përplasja me Gjykatën Kushtetuese

Për “Çështjen Xhaçka” opozita ngriti pretendime për “konflikt interesi” dhe “papajtueshmëri në ushtrimin e mandatit”. Paralelisht ajo kallëzoi për shpërdorim detyre Kryeministrin Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Investimet Strategjike.

Por ish-ministrja Xhaçka këmbënguli se, as ajo, as bashkëshorti nuk kanë përfituar pasuri apo fonde publike.

Gjatë vitit 2022 dhe 2023 fraksionet e opozitës paraqitën në Kuvend dy mocione për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese si dhe ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e investimeve strategjike.

Ato u hodhën poshtë nga shumica socialiste, e cila përdori Këshillin për Legjislacionin dhe Këshillin për Mandatet për të shqyrtuar vetë çështjen pa e dërguar në Kushtetuese. Duke u konsultuar “me ekspertë të jashtëm” socialistët e konsideruan të sprovuar pretendimin e Xhaçkës se ajo nuk kishte shkelur Kushtetutën.

Opozita u ankua në gjykatë, e cila pavarësisht se u shpreh duke kërkuar që parlamenti të votojë dërgimin e çështjes për shqyrtim, hasi në vesh të shurdhët.

Qartësisht në një votim që tregoi hapur “mbrojtje politike” ndaj Xhaçkës, në prill të këtij viti, me forcën e votave, socialistët hodhën poshtë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.

Më herët deputeti Bledi Çuçi qe shprehur në media se do të votonte “si t’ia donte mendja” pasi ishte “i pavarur” ndërsa Klotilda Bushka theksoi se “Parlamenti nuk mund të detyrohet si të votojë”.

Në korrik të këtij viti Gjykata Kushtetuese e konsideroi shkelje kompetencash shqyrtimin e çështjes nga Këshilli për Legjislacionin dhe Këshilli për Mandatet. Ajo shfuqizoi vendimet e Kuvendit për mocionet dhe e urdhëroi t’ia dërgonte çështjen për shqyrtim.

Më herët, në janar 2023, kjo gjykatë qe shprehur se nuk mund ta shqyrtonte në themel çështjen e mandatit të deputetes Xhaçka “pasi për këtë kërkesë duhet të shprehet më parë Kuvendi”.

Pretendimet: Një “Opinion” dy interpretime

Në një seancë parlamentare të muajit shtator, socialistët paraqitën mosbindjen e dytë ndaj Gjykatës Kushtetuese duke bllokuar sërish me shumicë votash dërgimin e “Çështjes Xhaçka” në Kushtetuese.

Në qasjen e dytë të tyre, socialistët iu referuan një interpretimi të ftohtë të pikës 4 në Nenin 70 të Kushtetutës së Shqipërisë ku thuhet se është Kuvendi që e vendos dërgimin e çështjes në Kushtetuese:

  • Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
  • Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Nisur nga ky interpretim, pas votimit kundër në parlament, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, iu drejtua Komisionit të Venecias me pesë pyetje ku ndër më kryesoret ishte “A mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?”.

Në një raport prej 15 faqesh, Komisioni iu përgjigj këtë javë pyetjeve të Spiropalit duke theksuar edhe njëherë normën se “Kuvendi duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

“Theksojmë detyrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një element kyç i shtetit të së drejtës. Ky respekt nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare”, tha Komisioni në një deklaratë.

Por, edhe pse opinioni i Komisionit ishte i qartë në këtë pikë, shumica socialiste interpretoi si mbështetje të pretendimeve të saj përgjigjen se “nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetëve është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputetët nuk mund të detyrohen ligjërisht të votojnë në një mënyrë të caktuar”.

“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit”, tha përmes një reagimi Spiropali.

Nevoja për “Arbitër ndërkombëtar”

Komisioni i Venecias, zyrtarisht Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit, është organ këshillues i Këshillit të Evropës, i krijuar në vitin 1990 për të ndihmuar vendet në forcimin e institucioneve demokratike falë opinioneve nga ekspertë të njohur ndërkombëtar. Megjithëse të respektueshme, opinionet e tyre nuk janë detyruese.

Në Shqipëri përplasja e vazhdueshme për pushtet dhe kultura e dobët e respektimit të parimeve demokratike për institucione të pavarura ka bërë që palët t’i drejtohen shpesh Komisionit të Venecias.

Fillimisht, në vitin 1994, Komisionit iu kërkua mendim dhe bashkëpunim për Kushtetutën. Asokohe Shqipëria ishte në dalje nga sistemi diktatorial dhe vendi kishte tiparet e një Republike Presidenciale.

Në draftin e parë Presidentit i jepeshin kompetenca të zgjeruara në raport me qeverinë dhe parlamentin, por propozimi nuk u pranua me votë qytetare dhe u hodh poshtë me referendum. Në draftin e dytë, për projekt-kushtetutën e vitit 1998, Komisioni këshilloi në çështjet e ndarjes së pushteteve, veçanërisht në sistemin e drejtësisë.

Përplasja e herë-pas-hershme mes palëve politike në Shqipëri dhe adresimi për opinione Komisionit edhe për çështje madhore si zgjedhjet – Kodi Zgjedhor, – bëri që rëndomtë të konsiderohej si “arbitër ndërkombëtar”. Pikërisht ky arbitër “pagëzoi” si “në përputhje me kushtetutën” ndryshimet ligjore – të ashtuquajtura ligjet e vetingut – që u bënë në vitin 2016 që i dhanë nisje reformës në drejtësi.

Por pavarësisht pranimit të një roli të tillë mbi palët, fakti që opinioni i Venecias mbetet këshillimor, i lë vend rasteve për vijim të ndasive. Shpesh ndodh që palët e interpretojnë opinionin sipas agjendave të tyre.

Rastet janë të shumta, për shembull shqyrtimi nga Venecia i “vetingut në politikë” propozuar nga opozita dhe mënjanuar nga shumica socialiste. Socialistët e interpretuan opinionin si “manovër politike që u mbyt” ndërsa demokratët si “vlerësim me orientime për vijimin e procesit të dekriminalizimit”.

Herën e fundit çështje madhore e shqyrtuar në Venecia ishte përplasja e Kuvendit me Presidentin Ilir Meta lidhur me vendimin e tij për të anuluar ditën e zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Edhe në këtë rast palët patën qëndrime të ndara sa i takon interpretimit të opinionit të shprehur. Socialistët shpreheshin se Komisioni kishte vlerësuar njëjtë si ata “shkeljet e Presidentit”, ndërsa opozita theksonte se “në asnjë rresht nuk justifikohen veprimet për shkarkimin e tij”.

Në ditët e sotme “Çështja Xhaçka” nuk bën asnjë ndryshim për qasjen që i bëjnë palët “arbitrit ndërkombëtar”. Ngjashëm palët interpretojnë sipas agjendave përkatëse, por vlen të theksohet se kjo çështje rezulton një ndër shtatë rastet e përgjithshme ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë injoruar duke krijuar një situatë qartësisht jodemokratike.

Kuvendi i diktuar nga shumica socialiste injoroi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e ligjit që u garantonte emigrantëve të drejtën e votës, njësoj u injorua kërkesa për rishikimin e afatit të vendosur si detyrim pune për studentët e mjekësisë, rishikimin e Kodit Civil për çështjet e trashëgimisë, e më tej çështja e kamatëvonesave, herësit dhe pragut elektoral për kandidatët e pavarur në zgjedhjet parlamentare.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW