Citizens.al

Një muaj pas vdekjes së Martin Canit, asnjë dorëheqje

Citizens.al/Foto nga protesta e qytetarëve për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Një muaj pas vdekjes së 14-vjeçarit Martin Cani, asnjë funksionar publik nuk ka dhënë dorëheqjen, ndërsa asnjë titullar nuk ka shfaqur qëndrime reflektuese për ndryshime të mundshme në sigurinë në shkolla. I vetmi debat shterpë i zhvilluar, me qeverinë si moderues, ka qenë ai i mbylljes së platformave sociale Tik-Tok dhe Snapchat, debat që rezultoi i frytshëm për të tërhequr vëmendjen, por jo për të dhënë zgjidhje.

“Ai që ka faj të dorëhiqet me çdo kusht, nga dera e shkollës deri në Ministri. Dua drejtësi për Martinin dhe për Luisin”- tha gjatë protestës (protesta e pestë e mbajtur nga kolektivi i “Prindërve për Arsim Cilësor”), nëna e Martinit, Florina Cani.

Martin Cani u vra më 18 nëntor 2024 pasi u qëllua me thikë pak metra larg shkollës ku mësonte pas një sherri mes moshatarësh. Policia arrestoi njërin prej tyre, të cilin e akuzoi “për vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Prokuroria e rikualifikoi akuzën në “vrasje në rrethana cilësuese”, që parashikon dënim deri në burgim të përjetshëm.

Pas ngjarjes shkolla 9-vjeçare “Fan Noli” u mjaftua me një status në Facebook, i cili shprehte tronditje, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu shmangu përgjegjësinë duke u shprehur se gjithçka “ndodhi jashtë rrethimit të shkollës”, ndërsa Kryeministri pretendon se shkollat janë të sigurta dhe “vrasja po fryhet për interes politik apo klikime”.

“Te shkolla Fan Noli nuk është marrë asnjë masë akoma. Është thënë se ka nisur një hetim administrativ, por nuk kemi asnjë lloj rezultati” – tha një nga prindërit gjatë fjalës në protestë, Ermelidna Hoxhaj.

Tre ditë pasi ndodhi ngjarja, qytetarët marshuan nga shkolla përpara ministrisë së Arsimit, me parullën “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”. Kjo ishte protesta e parë e mbajtur, e shoqëruar nga katër të tjera, të cilat ndoqën të njëjtin itinerar dhe të njëjtat kërkesa drejtuar institucioneve.

Përveç dorëheqjes së ministres së Arsimit Manasterliu, grupimi i prindërve dhe qytetarëve kërkon që buxheti për arsimin të rritet në nivelin 5% të GDP-së, më shumë oficerë sigurie dhe psikologë, vendosje të filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje për moshën nën 18 vjeç në hapësirën digjitale, etj.

“Po na vrasin edhe ne si prindër duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët,” – shkruan dje prindërit e Martinit, në një letër që i dërguan Ambasadës Amerikane.

Pavarësisht pretendimit të prindërve, aktualisht nuk po hetohet askush tjetër i implikuar në vrasje, përveç Mario Përlleshit, i cili është në burg, masë e cila të martën iu la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Epsiodet e dhunës nuk ndalen

Vrasja e 18 nëntorit nuk është ngjarje e izoluar. Nevoja për të adresuar çështjen e ngritur me shqetësim nga prindërit dhe qytetarët duket e domosdoshme.

Një sërë konfliktesh kanë përshkallëzuar më tej në përplasje me armë të ftohta mes të miturve ku vetëm në javën e fundit pati të paktën tre raste të tjera.

Më 10 dhjetor, pas përfundimit të një loje basketbolli, dy grupe tifozerie janë konfliktuar me njëri – tjetrin. Pas shoqërime në komisarit u bënë kontrolle dhe në oborrin e pallatit të personave të përfshirë, ku u gjetën 3 thika, të cilat nuk janë përdorur gjatë sherrit por janë dërguar për ekspertim. Tre të mitur janë në hetim, ndërsa nga sherri mbetën të lënduar një 10-vjeçar dhe një 14-vjeçar.

Më 13 dhjetor, një 17 vjeçar plagosi me thikë shokun e tij të shkollës, në Cakran në Fier. Konflikti midis dy të rinjve nisi në Snpachat dhe më pas u zhvendos në korridoret e gjimnazit “Mustafa Hoxha”.

Më 13 dhjetor, një 14-vjeçar  mbante të fshehur një pistoletë me 130 fishekë në një moto mjet pranë banesës. Policia e Vlorës ndërhyri falë bashkëpunimit me prindërit, psikologët dhe punonjësit socialë. Gjykata e shkallës së parë në Vlorë vendosi për 14-vjeçarin të ndryshojë masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje.

Më 17 Dhjetor, një 15 vjeçar është arrestuar nga policia në Kamëz pasi kërcënoi me armë zjarri  një 16 vjeçar. “Gjatë operacionit u arrestua një shtetas 15-vjeç, pasi dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 19:00, në Valias të Ri, ka kanosur me armë zjarri një shtetas 16 vjeç”, informoi policia.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW