Për të shtatën herë në pak muaj grupimi “Pensionistët Bashkë” mbështetur nga Lëvizja Bashkë u mblodh sot para Kryeministrisë duke protestuar për pensione dinjitoze. Ata u zotuan se do t’i vazhdojnë protestat në janar teksa nisën mbledhjen e firmave për një peticion kombëtar.
Në fokus të protestës dhe peticionit janë kërkesat e artikuluar prej disa javësh për përkrahje sociale dhe rishikim pensionesh. Sipas Luçiana Xhuvelit, pjesëmarrëse dhe aktiviste për kauzën, “protestat nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave”.
“Po mbledhim firma në çdo qytet dhe sheshe, dhe Lëvizja Bashkë po na ndihmon shumë,” tha Xhuveli për Citizens.
Pensionistët kërkojnë:
- Vendosjen e një minimumi jetik prej 20,000 lekësh në muaj si bazë për pensionin minimal.
- Indeksimin e pensioneve dy herë në vit, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve dhe pagës mesatare.
- Uljen e moshës për përfitimin e pensionit social në 65 vjeç.
- Miratimin e “Statusit të Minatorit”, një kërkesë e kahershme për këtë kategori.
Peticioni përfshin gjithashtu kërkesa për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale:
- Rritjen e buxhetit për shëndetësinë në 5% të PBB-së dhe rimbursimin e plotë të ilaçeve.
- Ofrimin e shërbimit shëndetësor falas në shtëpi për personat me vështirësi në lëvizje.
- Krijimin e infrastrukturës sociale: ndërtimin e parqeve, klubeve kulturore, bibliotekave, ofrimin e transportit urban falas dhe ndërurban me gjysmë çmimi për pensionistët.
Ish-minatorët janë një nga grupet më aktive në protestat e pensionistëve. Qani Shino, një ish-minator, aktivist dhe organizator i grupimit “Pensionistët Bashkë”, theksoi se Statusi i Minatorit mbetet një kërkesë e panegociueshme.

“Kemi dorëzuar mijëra firma [për këtë çështje] dhe do të vazhdojmë të protestojmë deri në miratimin e kësaj kërkese,” tha ai, duke njoftuar një protestë të ardhshme para Parlamentit.
Në përfundim të peticionit, pensionistët theksojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata do të intensifikojnë protestat dhe aksionet e tyre paqësore.
Dokumenti pritet të dorëzohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, ndërsa firmat e mbledhura deri tani tregojnë mbështetjen e gjerë të qytetarëve për këtë kauzë jetike.
Kauza e pensionistëve dëshmon një angazhim të palëkundur për drejtësi sociale dhe kushte më të mira jetese në Shqipëri.
Lexo gjithashtu:
- Revolta e Luçiana Xhuvelit – Një zë për pensionistët dhe drejtësinë sociale
- Një ditë në protestë me Qani Shinon, ish-minator e pensionist
- Të rinjtë krah pensionistëve: ‘Të mos mendojmë vetëm për sot!’

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.