Citizens.al

Sfidat e të rinjve drejt sipërmarrjeve “Startup”

Ilustrim i te rinjve ne krijimin e nje ideje per "start-up"

Autore: Oriada Dajko | Citizens.al

Përtej Tiranës, ku numri i banorëve sipas Censit 2023 arrin rreth 600 mijë, mundësitë për punësim apo sipërmarrje mbeten të kufizuara. Ky realitet ka shtyrë një pjesë të madhe të të rinjve të emigrojnë, duke reflektuar një rënie të popullsisë me 14.5% krahasuar me vitet e mëparshme.

Sidoqoftë, mes sfidave, disa të rinj të guximshëm po zgjedhin të investojnë në Shqipëri, duke ndërmarrë hapa drejt krijimit të “startup”-eve dhe iniciativave të reja. Sipërmarrjet e tyre janë frymëzuese dhe mund të shërbejnë si udhë për të tjerët.

Një dekadë më parë koncepti “startup” ishte pak i njohur në Shqipëri kur Aneida Bajraktari, asokohe studente, mori pjesë në “Startup Weekend”. Ajo fitoi çmimin e inovacionit me idenë e një platforme ku njerëzit mund të dizajnonin veshjet e tyre, por projekti vazhdoi vetëm për disa muaj.

“Në atë kohë nuk dija si të nisja një biznes, as nga ana financiare, as nga ana ligjore, ndërsa sistemi i startup-eve nuk ishte i pranishëm,” kujton Aneida, e cila gjykon se të rinjtë tani kanë më tepër mundësi për sipërmarrje.

“Kanë më shumë mundësi, përfshirë grante dhe mentorim, të cilat dikur mungonin,” vijon Aneida.

Pas përvojës në “Startup Weekend” Bajraktari ka sprovuar veten në shumë drejtime sipërmarrjesh. Aktualisht drejton Balkans Capital, Adams Chips dhe DollApp, teksa është organizatore e “Startup Grind Tirana”, që synon të bashkojë dhe frymëzojë sipërmarrësit e rinj.

Një tjetër histori suksesi mund të quhet përvoja e Gjyljana Bakallit, themeluese e Almanart, një hapësirë kulturore që ka në fokus artin dhe kulturën në Shqipëri. Almanart bën bashkë në një kalendar artistik të gjitha zhvillimet e qyteteve në Shqipëri, Kosovë dhe trevat shqipfolëse.

Ideja e Bakallit nisi me mbështetje financiare nga “Rise” dhe “Challenge Fund” përfshirë këtu çmimin e parë në projektin “From Zero to Hero”. Fillimisht ajo e kishte nisur me një faqe në rrjetet sociale ku promovonte aktivitetet në Tiranë, ndërsa sot ideja e saj është zhvilluar në një platformë e cila promovon të gjitha zhvillimet kulturore.

Përtej idesë së fillimit tanimë Almanart shërben edhe guida kulturore për të huajt në Tiranë dhe po përgatitet të hapë edhe shërbim shitjeje biletash për eventet.

Bazuar në përvojën e saj Bakalli thotë se të rinjtë duhet ta sprovojnë sa më shumë veten e tyre.

“Nuk mund ta dish nëse do ta fitosh një grant po nuk e provove. Sigurisht, është e lodhshme, ka momente kur them ‘Pse po investoj në diçka që ende nuk sjell shumë të ardhura’ por kur ka pasion, momentet e vështira shpesh rezultojnë momentet e duhura,” tregon Gjyljana.

Ana Mullanji, eksperte në fushën e sipërmarrjes rinore dhe drejtuese e organizatës “Përtej Barrierave,” ndan një perspektivë të qartë mbi sfidat e sipërmarrësve të rinj. Ajo përmend mungesën e skemave mbështetëse, si grantet apo kreditë bankare, dhe kulturën shqiptare që shpesh nuk e inkurajon frymën e sipërmarrjes, sidomos te vajzat dhe gratë.

“Të rinjtë kanë ide të shkëlqyera, por shpesh u mungon mbështetja dhe mjetet për të kthyer këto ide në biznese të qëndrueshme,” thekson ajo duke veçuar zonat rurale si më problematiket.

Bazuar në eksperiencën e saj me organizatën, Ana shprehet se “ndërkohë që Tirana është e mbushur me aktivitete të ngjashme, të rinjtë nga rrethet janë të etur për mundësi dhe informacion”.

Gjyljana dhe Aneida tregojnë se përveç mungesës së mbështetjes financiare në rrugëtimin e tyre drejt sipërmarrjes u përballën me disa sfida, si paragjykimi nga familja dhe shoqëria, apo dhe mangësitë në sistemin e edukimit.

“Familja ime nuk e kuptonte se çfarë po bëja në fushën e teknologjisë”, kujton Aneida se si reagoi familja vite më parë kur u prezantoi idenë e saj për sipërmarrje.

“Modeli është i njëjtë: do të shkosh në shkollë, do të marrësh nota të mira, do të gjesh një punë të mirë dhe do të martohesh. Ky është vizioni që prindërit kanë për vajzat, dhe një nga arsyet pse ato nuk inkurajohen të zhvillojnë bizneset”, vijon ajo sa i takon stigmës që i mban larg vajzat nga sipërmarrja.

Sa i takon edukimit, nisur nga përvoja, vajzat thonë se sistemi aktual nuk i përmbush nevojat e tregut modern. Librat dhe kurrikulat mbeten të vjetruara, pa përmbajtje mbi teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale apo realiteti virtual.

Sipas tyre, zgjidhja fillon me edukimin autodidakt, guximin për të dalë nga zona e komfortit dhe krijimin e një ekosistemi mbështetës që përfshin shkollat, institucionet dhe organizatat.

“Një taksim favorizues dhe një qasje më fleksibël ndaj startup-eve do të ndihmonte shumë në zhvillimin e sipërmarrjeve të reja,” sugjeron Gjyljana, duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes aktorëve kryesorë.

Ana Mullanji shton se mbështetja për të rinjtë nga zonat rurale dhe qytetet e vogla është jetike. “Tirana mund të jetë qendra e aktiviteteve, por potenciali në qytetet e tjera është i pafund,” thotë ajo, duke propozuar më shumë investime në informacion dhe mundësi për këto grupe.

Pavarësisht sfidave, të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të tregojnë që me vullnet, pasion dhe mbështetje, është e mundur të krijohen nisma të suksesshme që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

*Ky artikull është realizuar nga Oriada Dajko, pjesëmarrëse në akademinë “Voices for Change”, organizuar nga Citizens.al.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW