Citizens.al

Kauza të 2024: Banorët e Lezhës, një fitore e pjesshme kundër INCA

Citizens.al/Paraqitje grafike e protestave kundër ndotjes nga fabrika INCA në Lezhë.

Për herë të parë u kontaktova nga banorët e lagjes “Skëndërbej” në Lezhë në gusht të 2023. Ankesat e tyre i adresoheshin fabrikës “INCA”, e cila përpunon mbetje shtazore dhe si pasojë e këtij aktiviteti, ndot ambientin, me shkarkimet në ujë dhe në ajër.

Ajo që përjetova kur u përpoqa të vizitoja fabrikën vetëm sa më bindi për shkallën e problemit: një aromë mbytëse që fliste më shumë se të gjithë ata që përpiqeshin ta mohonin.

Përfaqësues të INCA-s më thanë në telefon se “aroma e rëndë më ishte dukur mua”, pasi aromat ashtu janë: “perceptive”. Ky argument duket se e kishte ndihmuar biznesin për ta vijuar aktivitetin, pasi të njëjtin argument dhe të njëjtën fjalë më konfirmoi edhe drejtuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, Bardhok Frroku.

“Aparatura për matjen e aromave nuk ka. Nuk ka laborator në Shqipëri që mat aromat, aroma janë perceptive,” tha ai si justifikim për mosveprimin e AKM-së.

Një vit më pas, në shtator të 2024 një grup aktivistësh ndërmorën një nismë më të gjerë, për të angazhuar qytetarët e Lezhës, pasi aroma e keqe nuk ishte “dhuratë” veç për atë zonë, por përhapej dhe përtej në qytet.

Rreth 1700 qytetarë të Lezhës firmosën të ashtuquajturin “Peticion kundër fabrikës që qelb”, i cili iu dorëzua institucioneve përgjegjëse për mjedisin.

Më 12 tetor me banderolën “Na morët frymën” qindra qytetarë marshuan nga fabrika INCA deri në qendrën e qytetit Lezhë.

Pasi nuk pati reagim nga kompania apo autoritetet lokale, më 23 tetor, aktivistë dhe qytetarë të Lezhës e sollën rezistencën e tyre para dyerve të ministrisë së Mjedisit në Tiranë. Ministria premtoi se do ta shqyrtonte problemin dhe do të propozonte një zgjidhje për të gjitha palët e përfshira.

Kërkova vazhdimisht komente me telefonata dhe “e-mail”-e nga INCA. Në një prej tyre, Koordinatori i Përgjithshëm, Drini Zusi, më tha se “kompania bazohet 100% në ekonomi qarkulluese” dhe që të akuzohej “kompania kryesore e mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri për dëm mjedisor, është absurditet”.

Por dy kontrolle të AKM-së, zhvilluar një ditë pas protestës para ministrisë, e gjetën fabrikën në shkelje sa i takon derdhjes së ujërave në kanalin ujëmbledhës.

Analizat e AKM-së, të marra në dy orare të ndryshme të datës 24 tetor, treguan se shkarkimet ishin tej normave të lejuara dhe për këtë u vendosën dy gjoba nga 1 milionë lekë si dhe pezullim aktiviteti.

Kërkesa ime për koment nga kompania nuk gjeti përgjigje.

AKM u kërkoi autoriteteve lokale të zbatonin urdhrin e saj për pezullim aktiviteti. Por pavarësisht komunikimit të vendimit kompania vijoi normalisht aktivitetin.

“Nuk kanë vullnet ta zbatojnë vendimin” tha aktivistja Arilda Lleshi, nismëtare e peticionit dhe protestave.

Lleshi tregoi se kishte pasur komunikime me policinë, Ujësjellës-Kanalizimet apo Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, por që prej tyre kishte marrë justifikime.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Citizens.al (@citizens.al)

“Policia tha ‘Do t’i mbledhim institucionet dhe do të bëjmë diçka’… Nuk ndodhi gjë. Ujësjellës – Kanalizime tha ‘Ne s’kemi lidhje me këtë punë, thjesht i kemi bërë një lidhje uji për nevojat e punonjësve aty’ ndërsa këta të IKM-së thanë ‘Nuk kemi mjete’,” përmblodhi Lleshi.

Por pavarësisht se nuk gjeti zbatim, vendimi i AKM-së ishte një fitore e pjesshme për banorët, pasi konfirmoi se ata kishin të drejtë për pretendimet se fabrika ndoste mjedisin.

Lleshi, e cila ndan një konsideratë të ngjashme, më tha se “rezistenca do të vijojë”. Ajo më tregoi se po planifikojnë protesta të tjera në janar dhe se çështjen ia kanë kaluar dhe prokurorisë.

“E fundit fare, do të fillojmë të bëjmë çdo ditë protesta te fabrika, për t’i bllokuar punën. Ky është plani!” përmbledh Arilda Lleshi.

INCA zotërohet nga Alban Zusi, një sipërmarrës i njohur në industrinë e përpunimit të produkteve shtazore. Kompania rezulton të jetë mbështetur nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian përmes skemës së financimit nga programi “IPARD II”.

Ajo përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Zusi ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama. Ai ushtroi detyrën në kabinetin e ministrit të atëhershëm Edmond Panaritit deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW