Beteja e banorëve të 36 fshatrave të luginës së lumit Vlorë në mbrojtje të lumit Shushicë po vijon prej më shumë se një viti. Projekti i ujësjellësit të Himarës, i cili do të marrë ujin e lumit hasi me kundërshtime nga komuniteti.
Gjatë vitit 2024, banorët patën një rezistencë të gjatë ku kundërshtuan projektin, pasi pritet t’i përgjysmojë prurjet lumit. Ata kanë protestuar disa herë, në dimër e në verë, në urën e Bratajt, në urën e Lakos në Kuç si dhe në kryeqytet ku sollën një peticion kreativ para Kryeminsitrisë.
Përmes një tubi, – i cili simbolizonte tubat që po marrin ujin e Shushicës, – ata mblodhën firmat e banorëve të zonës dhe i sollën para Kryeminsitrisë ku kërkuan ndalimin e projektit.
Në qershor, të mbështetur nga EcoAlbania dhe Res Publica, 54 banorë paditën Këshillin e Basenit Vlorë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Bashkinë Himarë.
Shushica rrjedh nga Mali i Thatë dhe Mali i Gjoshnikoshit në lindje të fshatit Kuç. Ky lum përshkon rreth 82 kilometra nga jugu në veri duke kaluar në mbi 30 fshatra e duke iu bashkuar Vjosës si një nga degët kryesore të saj.
Kjo është beteja e dytë për mbrojtjen e Shushicës. E para, kundërshton ndërtimin e 4 hidrocentraleve dhe shënoi këtë vit fitore në shkallën e parë të Gjykatës Administrative.
Banorët dhe organizatat që i mbështesin shpresojnë që ky sukses të përsëritet edhe në betejën e dytë.
Kundërshtitë për projektin e radhës që shkel legjislacionin për zonat e mbrojtura nisën verën e vitit 2023 kur ujëmbledhësi filloi të vihej në zbatim. Ai u hartua në kohën kur ende nuk ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës.
“Mund të themi se një fitore banorët e kanë arritur, sepse falë këmbënguljes së tyre u pezulluan punimet, është një arritje e vogël, por e dobishme për këtë fazë,” tha për Citizens Besjana Guri nga EcoAlbania.
Çështja për Shushicën mori vëmendje ndërkombëtare duke fituar mbështetje nga organizata si Riverwatch, Euronatur si dhe nga një komunitet lokal i Bosnjë e Hercegovinës.
“Nëse ata do ta finalizojnë këtë projekt, Shushica do të përgjysmohet, do të thahet” tha për Citizens drejtuesi i Riverwatch, Ulrich Eichelman, i pranishëm gjatë një prej protestave të banorëve.
Sipas Eichelman, nëse ujësjellësi i Himarës ndërtohet do të jetë një katastrofë për të ardhmen e ekosistemit të Shushicës dhe Parkut Kombëtar të Vjosës.
Si u hartua projekti brenda Parkut Kobmëtar
Ujësjellësi i Himarës parashikon devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës, – nga ku rrjedh Shushica – duke e futur për rreth 20 kilometra në tuba me synim furnizimin e zonave bregdetare.
Leja për ujin u lëshua më dhjetor 2021, por burimi ndodhet brenda një zone të mbrojtur: “Pylli i Dushkut të Zercit”. Ky territor është një monument natyre që i përket një formacioni të veçantë dushqesh të gjelbra, habitatet e të cilit, në rang kombëtar, janë klasifikuar në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara, duke qenë kështu një burim i mbrojtur.
Por hartuesi i projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), thotë se “impakti do të jetë minmal në luginën e Shushicës”.
Investimi vjen në kuadër të programit të “Ujësjellësve Rural IV” dhe synon shërbimin me ujë për bashkitë Himarë dhe Orikum ku numërohen si përfitues rreth 80 mijë banorë dhe turistë.
Përveçse për ujë të pijshëm, FSHZH shprehet se projekti do të ketë ndikim pozitiv edhe falë ndërtimit të dy HEC-eve të vegjël në Himarë,por pa dhënë informacion se sa do të jetë kapaciteti i tyre dhe se kush do t’i ndërtojë ato.
Por ekspertë nga organizatat mjedisore që janë rreshtuar krah banorëve mendojnë ndryshe. Ata shprehin shqetësim për zhvillimin e hidrocentraleve dhe për vetë projektin e ujësjellësit thonë se ndërtimi dhe operimi i tij pritet të ketë:
- ndikim negativ në peizazhin e zonës
- ndikim negativ në florën dhe faunën ujore
- ndikim të pakthyeshëm në rrjedhën e ujit dhe sedimenteve
Ndër argumentet më të forta lidhen me cenimin e integritetit ekologjik të Parkut Kombëtar të Vjosës që këto ndikime do të reflektojnë te rrjedha e Shushicës.
Në vitin 2022 projekti i ujësjellësit fitoi të gjitha lejet, përfshirë këtu “Lejen e Përdorimit të Ujit” dhe “Lejen e Ndërtimit”. Zyrtarisht punimet nisën më 10 janar 2023 me një afat kohor prej 18 muajsh.
Lexo gjithashtu:
- “Larg duart nga Shushica”, thirrja e banorëve kundër projektit shkatërrues
- “Ujësjellës apo Park Kombëtar?”; Banorët e Shushicës në protestë për mbrojtjen e natyrës
- Mbrojtja e Vjosës, gjykata anulon kontratën e hidrocentraleve në Shushicë
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.