Citizens.al

Kauza të 2024: Ish-minatorët dhe pensionistët një vit në protestë

Citizens.al/Paraqitje grafike e protestës për pensionet.

Dy grupime treguan vlera të padiskutueshme qytetare gjatë vitit 2024 duke protestuar vazhdimisht për çështje kyçe si pensionet dhe statusi i minatorit.

Nisi si një vetë-organizim proteste mes shokësh tetorin e vitit 2023. Fillimisht ishin vetëm gjashtë ish-minatorë, të cilët lexuan një komunikatë para Kryeministrisë, por me vijimin e protestave dhe mbështetjen e Lëvizjes Bashkë u bënë më të numërt.

Kërkesa kryesore, “Miratimi i Statusit të Minatorit,” ka mbetur e paplotësuar pavarësisht përpjekjeve të tyre.

Gjatë kësaj kohe, ata nuk kanë reshtur së protestuari para Kryeministrisë, Parlamentit apo dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pavarësisht shpërfilljes nga pushtetarët.

Ish-minatorët në protestë para Parlamentit

Thuajse çdo të enjte të këtij viti, ata u mblodhën para Parlamentit për të pasur një mundësi për t’u dëgjuar, por asnjë ligjvënës nuk u dha mbështetje.

Aksioni i tyre i fundit ishte para Kuvendit, ku kërkuan edhe një herë miratimin e statusit.

Në dhjetor të vitit 2020, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i dorëzoi Kuvendit një peticion me 10,680 firma për këtë çështje, por katër vite më vonë nuk ka asnjë përgjigje.

Përmes statusit kërkohet siguri në punë, rritje pagash, përmirësim të pensioneve dhe kujdes shëndetësor.

Premtimet janë përsëritur ndër vite. Në vitin 2009, Kryeministri aktual Edi Rama, asokohe në opozitë, pati premtuar disa herë miratimin e tij. Por edhe pse Rama është Kryeministër që prej vitit 2013, ky premtim mbetet i parealizuar.

Në 2018, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se një draft ishte gati, por ai nuk u prezantua kurrë. Në të njëjtin vit, Rama e premtoi sërish gjatë një takimi me minatorë, por asgjë nuk ndryshoi.

Më herët, në vitin 2017, ish-deputeti i Dibrës, Përparim Spahiu, kishte paraqitur një propozim të ngjashëm me ata të minatorëve, por që shumica socialiste e rrëzoi me pretendimin se dëmtonte skemën e pensioneve.

Minierat mbeten ndër sektorët më të rrezikshëm të punës në Shqipëri. Sipas raportimeve të Policisë, shtatë minatorë janë plagosur vetëm gjatë vitit 2023, ndërsa aksidentet fatale janë të shpeshta.

Çështja e pensioneve

Grupimi i ish-minatorëve ka qenë aktiv edhe në rezistencën e pensionistëve në kauzën për pensione dinjitoze. Si një grup që marrin pensione të ulëta ata kanë qenë tejet aktivë në këtë çështje.

Një nga zërat më të fuqishëm është Qani Shino. Revolta që udhëhoqi protestat e tyre ishte vendimi i qeverisë për të indeksuar pensionet me vetëm 40 lekë në ditë. Vlerë që u konsiderua “tallje”.

Ishte ky grup ish-minatorësh që e ngriti dhe i ktheu si çështje pensionet.

Në shtator 2024, grupi organizoi protesta masive para Kryeministrisë, duke kërkuar pensione dinjitoze. Presioni i tyre detyroi qeverinë të ndryshojë retorikën dhe të trefishonte bonuset për fundvitin dhe pranverën.

Megjithatë, pensionistët i kanë cilësuar këto si “bonuse elektorale,” të pamjaftueshme për të adresuar problemet e tyre reale.

Citizens.al/ Gjatë protestës së pensionistëve para Kryeministrisë.

Deri më tani, ata kanë mbajtur pesë protesta çdo të mërkurë, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet në janar 2025. Për më tepër, grupi ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion, duke kërkuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, jo “lemosha.”

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW