Mungesa e dialogut mes palëve dhe protestat qytetare shoqëruan gjatë gjithë vitit 2024 rrafshin politik në Shqipëri. Teksa në Parlament mazhoranca dhe opozita vijuan përplasjet, jashtë pati protesta të vazhdueshme, por që në të shumtën e rasteve u shpërfillën.
Viti parlamentar nisi nën tensione politike. Socialistët kishin hedhur poshtë kërkesat e opozitës për riorganizim të komisionit të reformës zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore për investimet strategjike.
Opozita u përgjigj duke penguar seancat me zhurmues, tymuese dhe hedhje karrigesh. Pas përshkallëzimit të kësaj qasjeje, socialistët përjashtuan për 20 ditë, 19 deputetë. Vendimi u mor me kërkesë nga socialistët në një mbledhje jo-publike të Komisionit të Etikës.
Kjo nxiti më shumë tensione. Opozita u përplas me gardistët që nuk lejonin futjen e deputetëve të përjashtuar në seanca, teksa paralelisht u thirrën për protesta edhe mbështetës të PD-së.
Përgjatë gjithë vitit vendimmarrja për shkeljet e Kodit të Sjelljes mbeti e paqartë dhe jotransparente.
Kodi i Sjelljes detyron Byronë e Kuvendit të hartojë raporte vjetore për shkeljet e etikës dhe masat e marra. Por sipas një studimi të Institutit të Studimeve Politike (ISP), ky parashikim ligjor nuk gjeti zbatim.
Çështjet kryesore në Kuvend për vitin 2024
Seancat e trazuara parlamentare nuk e ndalën shumicën socialiste të vijonte agjendën e saj sa i përket nismave ligjore që kishte në plan. Paralelisht trysni politike u ushtrua ndaj Presidentit dhe po ashtu Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për Investimet Strategjike
Një nga çështjet më të debatuara në parlament ishte propozimi për shtyrjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, i cili skadoi në dhjetor 2023. Propozimi fillimisht u rrëzua, por u rikthye në dhjetor 2024, duke nxitur akuza për klientelizëm nga opozita.
Ky ligj u ofron mbështetje me investime infrastrukturore nga shteti projekteve turistike me mbi €5 milionë investim dhe që punësojnë të paktën 80 persona. Përfitimet përfshijnë qira simbolike prej 1 euro për tokën.
Ligji qe prezantuar si “i përkohshëm” nga qeveria e parë Rama në vitin 2015, por tanimë duket se po kthehet “i përhershëm” me përpjekjen për ta shtyrë afatin për herë të tretë nga viti 2018, që ishte në fillim, deri në vitin 2026 në propozimin e fundit.
Ligji për Komisionet Hetimore
Ndryshimi i ligjit mbi funksionimin e komisioneve hetimore u miratua me kontestime vetëm me votat e socialistëve. Ai u dekretua me rezerva nga Presidenti Bajram Begaj, i cili sidoqoftë u justifikua se “ai nuk mund të quhej ligj antikushtetues”. Kjo e përfshiu edhe Begajn në përplasjet mes palëve.
Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila në korrik rrëzoi thuajse gjysmën e neneve ku ndër më të debatuarat ishte neni që detyronte Kuvendin t’i merrte leje prokurorisë dhe gjykatës për pyetjen e dëshmitarëve nën hetim apo dhe të drejtën e dëshmitarëve për të refuzuar të dëshmojnë.
Kushtetuesja urdhëroi Kuvendin që t’i lihet hapësirë ligjore opozitës për të riformuluar kërkesat për komisione hetimore nëse i refuzohen nga mazhoranca. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Kuvendi kishte ngritur dy komisione hetimore: për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi.
Reforma Zgjedhore
Reforma Zgjedhore, e cila riktheu sistemin e listave pjesërisht të hapura, mbeti çështje e shumë-debatuar. Kodi qe ndryshuar në vitin 2020 me ndërmjetësim nga BE dhe SHBA, por socialistët dhe një grup deputetësh që i përkrahnin, e ndryshuan sërish duke ndërhyrë në Kushtetutë.
Ndaj, zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u zhvilluan me një sistem zgjedhor të padakordësuar mes palëve. Kjo bëri që edhe në 2024, Reforma Zgjedhore të ishte sërish në tryezë dhe diskutimi të ishte edhe njëherë me tensione.
Por përplasjet u shuan në korrik kur Kuvendi miratoi ndryshimet me 106 vota, por me të cilat procesi mbetej me lista jo tërësisht të hapura.
Vota e Diasporës
Nisma për Votën e Diasporës u miratua në të njëjtën seancë maratonë me ndryshimet zgjedhore, pas një viti debatesh dhe presioni qytetar jashtë Kuvendit.
Marrëveshja Rama-Meloni
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për të mbyllur dhe trajtuar me procedura të shpejtuara emigrantët që kapen në ujërat e Mesdheut shkaktoi debate të ashpra.
Marrëveshja qe bërë publike në nëntor 2023, por u kontestua nga opozita, e cila e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, por kjo e fundit e konsideroi të ligjshme marrëveshjen. Zbatimi i saj u prit me protesta nga shoqëria civile.
Projektligji për Zonat e Mbrojtura
Ky projektligj ndeshi kundërshtim të fortë nga organizatat mjedisore, të cilat e cilësuan“manovër për abuzime”. Pas presionit publik dhe kontestimeve nga opozita, qeveria e ndryshoi draftin.
Shumica socialiste pranoi se propozimi kishte “formulime të gabuara” ndërsa opozita e konsideroi në shkelje të rekomandimeve nga BE-ja.
Sidoqoftë rishikimet nuk përmbushën kërkesat e organizatave mjedisore, përkundrazi, me mekanizma proceduriale qeveria kërkoi ndryshim rrënjësor të ligjit duke i hapur rrugë mundësisë për “investime strategjike”.
Nisma anti-korrupsion e PS-së
“Rezoluta anti-korrupsion” e Partisë Socialiste ishte një nga nismat e shumta të qeverisë që u kalua me procedura të shpejtuara falë votave të shumicës: 76 vota “pro”.
Agron Shehaj dhe Dashnor Sula votuan kundër duke argumentuar se me këtë nismë socialistët “po tentojnë të kapin drejtësinë”. Por përveç rezolutës shumica socialiste ngriti dhe një komision të posaçëm parlamentar, që u konsiderua si përpjekje tjetër për të influencuar sistemin e drejtësisë.
Komisioni, i miratuar me 74 vota, “do të luftojë korrupsionin dhe do të thërrasë në seanca dëgjimore me institucionet e drejtësisë”.
Pensionet
Pensionet u kthyen çështje e rëndësishme në pjesën e dytë të vitit, pasi qeveria aplikoi indeksimin e tyre në bazë të inflacionit duke shtuar me 40 lekë dita pensionet bazë. Vendimi u konsiderua “tallje” dhe i pamjaftueshëm për të ndryshuar gjendjen.
Për këtë u organizuan protesta të vazhdueshme deri në muajin dhjetor. Përballë tyre qeveria e futi në diskursin publik këtë çështje duke nisur një seri takimesh me pensionistë. Nën justifikimin se nuk mund të ndërhynte në skemën e pensioneve ajo trefishoi shpërblimet e fundvitit për pensionistët me pensione të ulëta.
Qasja e qeverisë u konsiderua “shërbim elektoral” nga opozita dhe “lëmoshë” nga protestuesit, të cilët në dhjetor nisën mbledhjen e një peticioni për t’i adresuar më mirë kërkesat e tyre.
Buxheti i 2024
Buxheti ishte temë e nxehtë në parlament pasi në diskutimet për të u përfshi edhe kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili u kthye në sallë pas 11 muajsh “arrest në shtëpi”. SPAK e akuzon për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku përfitues rezulton dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Buxheti prej €8.2 miliardë u miratua me votat e socialistëve. Opozita e konsideroi “buxhet elektoral” ndërsa shumica i rrëzoi rreth 40 amendamente ku bënin pjesë: rritja e buxhetit për shëndetësi dhe arsim, apo dhe vendosja e një minimumi jetik.
Mandati i Olta Xhaçkës
Debatet për vlefshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka, përplasjet me opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese tensionuan gjithashtu veprimtarinë parlamentare.
Mbrojtja politike që PS i mundësoi Xhaçkës prej vitit 2022 kur opozita ngriti pretendimet për konflikt interesi në përfitimet e statusit investitor strategjik prej bashkëshortit, vijoi më tej.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi parlamentin t’i dërgojë çështjen për shqyrtim, ndërsa socialistët kundërshtuan duke argumentuar se “deputetët nuk mund të detyrohen se si të votojnë”.
Zgjidhje nuk dha as një opinion i Komisionit të Venecias, ku opozita e interpretoi ndryshe dhe mazhoranca gjithashtu ndryshe.
Lexo gjithashtu:
- Parlamenti i rrit pagat vetes pavarësisht akuzave për abuzim dhe thellim të pabarazisë
- Nismat ligjore të propozuara qytetarët mbeten në sirtarët e Kuvendit
- Kuvendi, transparencë vetëm në dukje
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.