Rezistenca kundër ndryshimit të zonave të mbrojtura vijoi gjatë gjithë vitit 2024, duke nxjerrë në pah një përplasje të fortë mes qeverisë dhe organizatave mjedisore.
Çështja ka zanafillë muajin nëntor 2023, kur dymbëdhjetë deputetë të Partisë Socialiste propozuan ndryshime në ligjin që i jep mbrojtje zonave me cilësi të veçanta natyrore. Pavarësisht protestave të shoqërisë civile, në shkurt të këtij viti, shumica socialiste i miratoi ndryshimet ligjore.
Shqipëria numëron 12 parqe kombëtare, 23 parqe natyrore, 516 monumente natyre, 5 Zona të Mbrojtura me interes ndërkombëtar, 5 Peizazhe të mbrojtura dhe 1 rezervat të biosferës, të cilat me ndryshimet e fundit kërcënohen nga ndërtimet.
Ndryshimet shpërfillën grupet e interesit
Ligji ndryshoi pas dy draftesh të propozuara. Në draftin e parë, që gjithashtu i hapte rrugë ndërtimeve, i jepej më shumë kompetenca bashkive, por që theksohej se, në çdo rast ato do të administronin “jo më pak se 20% të sipërfaqeve”.
Opozita dhe organizatat mjedisore e kundërshtuan këtë propozim duke argumentuar se ndryshimet cenonin frymën e përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe se autoritetet lokale nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.
Kundërshtitë u depozituan në faqen online të konsultimeve publike. Akademikë dhe aktivistë mjedisorë kërkuan zhvillimin e seancave dëgjimore në komisionet parlamentare.
Pas kritikave, qeveria bëri disa dëgjesa publike dhe pretendoi se kishte përgatitur një draft tjetër më të përmirësuar. Por në fund propozimet e grupeve të interesit nuk u morën në konsideratë teksa drafti i ri nuk u publikua për t’u konsultuar nga publiku.
Në draftin e dytë Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) kthehej “Zot i Zonave të Mbrojtura” duke i lënë bashkive “dhitë dhe delet” pasi “de facto” kompetencat i kalonin qeverisë. Kjo tërheqje nga “20%-shi” që në fillim do menaxhohej nga bashkitë dhe kalimi i tyre qeverisë, u cilësua “manovër hileqare”, pasi kështu i hapej rruga tjetërsimeve të zonave të mbrojtura nën skemën e ndërtimeve strategjike.
Me draftin e ri organizatat mjedisore theksuan se “u kalua nga shiu në breshër”.
Ky qëndrim nisej nga përvoja negative në aspektin e ndikimit në mjedis me aplikimin e investimeve strategjike në zonën e Rivierës dhe fakti se ligji që i favorizon këto investime u propozua të shtyhej deri në vitin 2027.
Tkurrja e zonave të mbrojtura synim i mirëfilltë
Qeveria kishte punuar që në vitin 2022 për t’i hapur rrugë investimeve strategjike në zonat e mbrojtura. Kjo kuptohet nga dy vendimet që ajo mori asokohe përmes së cilave u tkurri me 20% sipërfaqen.
Asokohe qeveria tha se e kishte rritur sipërfaqen totale të zonave të mbrojtura me 27%, por në fakt zonat e shtuara ishin zona të thella malore, ndërsa ishin hequr mijëra hektarë vijë bregdetare, për të cilat kishte pasur interes ndërtimi: bregdeti i zonës së Velipojës, Divjakë-Karavastasë, Vjosë-Nartës, plazhi i Manastirit, Pasqyrave, Pulëbardhave, Gjiri i Hartës e më tej Gjiri i Marinës, Pema e Thatë etj.
Prej marsit 2023 dy vendimet e qeverisë janë në shqyrtim nga Gjykata Administrative të Apelit, e cila ka legjitimuar si palë paditëse 11 organizata mjedisore. Gjatë vitit 2024 seancat gjyqësore kanë provuar se qeveria shpërfilli vlerësimet shkencore në vendimet e saj për tkurrjen e parqeve dhe se vendimi u mor për t’i hapur rrugë ndërtimeve dhe hidrocentraleve.
Që tkurrja e zonave të mbrojtura ishte synim i mirëfilltë i qeverisë mund të themi se e tregoi dhe hapi tjetër që ajo mori. Në mars 2024 – një muaj pas miratimit të ndryshimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, – shumica socialiste i zgjeroi kompetencat KKT-së duke e kthyer në “Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit”.
Qeveria u shndërrua kështu në përcaktuese të projekteve apo mënyrës së zhvillimit edhe për Zonat e Mbrojtura në hapësirat detare.
Pas këtij ndryshimi organizatat mjedisore janë shqetësuar për fatet e parqeve detare si Karaburun-Sazan, ku ndodhen 36 specie detare me rëndësi të jashtëzakonshme, disa prej të cilave të rrezikuara.
Për Sazanin në vitin 2019 pati kërkesë nga “Hotel Regina-Group” për ta zhvilluar si pikë turistike, por ajo u refuzua pasi binte ndesh me ligjin për zonat e mbrojtura.
Tanimë që ky ligj është ndryshuar, në horizont si “investitor strategjik” në Sazan është shfaqur Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të ardhshëm të SHBA, Donald Trump.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.