Citizens.al

Kauza të 2024: “Gjysmë fitore” për banorët pranë rrugës Thumanë – Kashar

Citizens.al/Paraqitje grafike e projektit të rrugës Thumanë-Kashar.

Pas muajsh protesta dhe bllokime të autostradës Thumanë – Kashar, qindra banorë të kësaj zone e transferuan kundërshtinë e tyre përpara parlamentit. Qëndresa e banorëve të Thumanës përballë dhunës policore, gazit lotsjellës dhe arrestimeve kulmoi me një zgjidhje të përkohshme për problemin që i detyroi të protestojnë, mungesën e aksesit në autostradën e re.

Gjatë interpelancës në Parlament, në datën 12 shtator Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh: “Në mënyrë provizore ata do ta aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramzës, me një rampë të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim,” u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

“Si u kthye autostrada e vjetër në një rrugë për askund?”

Autostrada e re ka prerë në mes një rrethrrotullim ekzistues, që ishte ndërtuar me qëllimin që të bënte lidhjen e rrugës me aksin e re që do pasonte. 80 mijë banorëve të Krujës dhe rrethinave ju mbetën dy mundësi, ose të ktheheshin në Kashar ose të kalonin në rrugicë dytësore që të çon drejt Thumanës.

Sipas raportit teknik të ndërtimit të rrugës “Thumanë – Vorë – Kashar” nyjet e propozuara do të ishin katër në Thumanë,  në Fushë – Krujë, në aeroportin e Rinasit dhe një për Tiranë –  Durrës.

Në dokumentet e marrëveshjes koncensionare të publikuara në vitin 2018, Raporti Teknik përmban një dalje në zonën e Thumanës e cila nuk është realizuar.

Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive “Gener 2 sh.p.k parashikon një koncesion 35 vjeçar. Ndërsa projekti ka kushtuar rreth 267 milionë euro, financimi i aksit është bërë nga koncensionari, që planifikon të mbledhë të paktën 1.3 miliardë euro të ardhura bazë për 35 vite.

Përveç raportimit të protestave në video live, Citizens realizoi një vëzhgim në terren, ku banorët e Thumanës rrëfyen si rruga e re u kthye në një mallkim për bizneset dhe jetën e tyre. Kështu, vëllezërit Gjoka rrëfyen sesi me ndërtimin e autostradës biznesi i tyre u nda në mes, duke i lënë serat nga një anë dhe qendrën e shitjes së luleve nga ana tjetër e rrugës.

Sot, tre muaj pas zgjidhjes provizore të ofruar nga qeveria, banorët shprehen se kanë marrë një gjysmë zgjidhje: “Ata kanë premtuar që do të bëjnë rotondë, do bëj dalje në Gramzës, mashtrime zgjedhore. Po prej hallit mund të themi se jemi ok!”- tha Andi Gjoka, pronar i një biznesi pranë autostradës.

Por nga data 4 janar e 2025, të gjithë automjetet që do të aksesojnë autostradën Thumanë – Kashar do të taksohen. Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo u lajmërua nga vetë kompania koncesionare “Gener 2” më 13 dhjetor. Banorët shpesh kanë denoncuar koston që i bie mbi kurriz, për shkak të lidhjes së pushtetit me oligarkët.

“Asnjë lekë, nuk futem andej! S’do kaloj andej. S’dua ti jep lekë atij, do kaloj nga rruga vjetër” –  shprehet Andi, i pyetur nëse do të paguajë pas datës 4 janar.

Ai tregon se ka më shumë leverdi të bëj 10 kilometër më tepër nga rruga e vjetër për në Tiranë sesa të paguajë tarifën.

“Kjo nuk është rrugë e re, kjo është rruga vjetër, aty ku hymë ne, nuk e ka ndërtuar Bashkim Ulaj këtë”- shton ai për të shpjeguar se rruga ekzistuese ka qenë edhe më parë.

Pavarësisht sesi do të shkojnë ndryshimet në infrastrukturë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, e sigurt është që rreth 100 mijë banorët e Fushë – Krujës që për disa javë mbetën të izoluar, falë këmbënguljes së tyre në protesta dhe rezistencë ja dolën të fitojnë “rrugën”, edhe pse lëvizja është e drejtë e pamohueshme për çdo qytetarë.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW