Thirrra, një fshat në Njësinë Administrative Fan të Mirditës, është kthyer vitet e fundit në qendër rezistence për banorët e saj dhe dy fshatrave të tjerë Sang dhe Hebë.
Rezistenca lidhet me ndërtimin e një hidrocentrali dhe një fabrike uji nga kompania “Lajthiza sh.p.k”.
Projekti ka ngjallur kundërshtime të forta nga banorët, të cilët thonë se burimet jetike ujore të fshatrave të tyre do të shfrytëzohen në dëm të komunitetit.
Viti 2024 pati zhvillime për çështjen. Banorët e drejtuan kundërshtinë e tyre në rrugë ligjore, por pavarësisht rezistencës, hidrocentrali u ndërtua dhe nisi punën.
Në tetor, kërkesa për sigurim padie e ngritur nga avokatët e çështjes u rrëzua nga Gjykata e Apelit. Për këtë ata iu drejtuan Gjykatës së Lartë. Franc Terihati, avokati i çështjes, shpjegon se një pranim nga kjo gjykatë mund të përshpejtojë procesin.
“Jemi në kushtet kur kërkesa është rrëzuar. Ne bëmë rekurs në Gjykatë të Lartë dhe tani presim Gjykatën e Lartë,” tha Terihati teksa banorët shprehen të gatshëm t’i shkojnë çështjes deri në Strasburg.
Banorët akuzojnë kompaninë për vijimin e punimeve pa dokumentacion të rregullt. Sipas Besnik Paçit, një prej iniciatorëve të protestave, fabrika e ujit nuk ka përparuar, ndërsa hidrocentrali është përfunduar dhe ka nisur prodhimin e energjisë.
Paçi shton se vendimi i Gjykatës së Apelit për rrëzimin e sigurimit të padisë ishte i padrejtë, duke pretenduar se punimet ende vazhdonin në terren në kohën e dhënies së vendimit.
“Ne i kishim dërguar dokumente nga Bashkia Mirditë që konfirmonin punimet, por ato nuk u morën parasysh. Kemi ankimuar çështjen në Gjykatën e Lartë dhe presim vendimin,” shpjegoi ai për Citizens.al.
Rezistenca ligjore dhe qytetare
Protestat e banorëve të Thirrës, Sangut dhe Hebës kanë nisur që në fillim të vitit 2021. Kompania kontraktore “Sang 1” kishte dy vite që ishte licensuar për tregtinë e energjisë elektrike me një afat 5-vjecar.
Banorët denoncuan se nuk ishin thirrur në dëgjesa publike dhe pretenduan se kompania u kishte falsifikuar firmat.
Më 25 shkurt 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë rrëzoi vendimin për ndërtimin e hidrocentralit. Çështja u apelua nga kompania. Mirëpo edhe pse ajo ishte në gjykim, punimet vazhduan e kësisoj edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.
Pas tre muajsh, në qershor, Gjykata Administrative e Apelit pezulloi punimet deri në përfundim të gjykimit. Ky vendim u zbatua tre muaj më vonë, në shtator.
Por në shkurt të vitit 2024 makineritë e kompanisë “Sang 1” u rikthyen në terren pasi Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për rishqyrtim në Apel.
Banorët thanë se nuk iu vu në dispozicion asnjë vendim i zbardhur, ndërsa Bashkia Mirditë konstatoi mungesë dokumentacioni dhe e gjobiti kompaninë “Lajthiza shpk” me 300,000 lekë duke pezulluar për dy muaj punimet e fabrikës së ujit.
Në shenjë proteste, në mars banorët ngritën një cadër “për të ruajtur” kompaninë që zhvillonte punimet në paligjshmëri. Ndërkohë Gjykata Administrative e Apelit u tërhoq nga shqyrtimi i çështjes pasi trupa e saj qe shprehur njëherë për të.
Në qershor hidrocentrali i Thirrës u testua dhe nisi prodhimin e energjisë. Për këtë Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi kërkesën e banorëve për sigurim padie teksas ata pritet t’i drejtohen Gjykatë të Lartë.
Rezistenca qytetare në Thirrë është një shembull i përplasjes së interesave të komunitetit dhe projekteve industriale.
Pavarësisht pengesave, banorët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre për të garantuar që burimet natyrore të zonës të mos shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë.
![](https://citizens.al/wp-content/uploads/2024/10/Erisa-Kryeziu-1x1-1.jpg)
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).