Protesta e studentëve të mjekësisë gjatë vitit 2023 që kundërshtonin projektligjin që i detyronte të punonin 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, u përmbyll në vitin 2024 me miratimin në Kuvend. Ky miratim erdhi me disa ndryshime të arritura nga protesta që vazhdoi në rrugë prej qershorit të 2023.
Dy ngjarje kryesore shoqëruan këtë kauzë gjatë vitit 2024: në janar 2024, Gjykata Kushtetuese konsideroi ligjin si “kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim,” duke e rrëzuar pjesërisht dhe duke kërkuar ndryshime brenda tre muajve.
Në tetor 2024, shumica socialiste e miratoi versionin e rishikuar të ligjit me votat e saj. Ligji i ri, që hyn në fuqi në vitin akademik 2025-2026, detyron studentët të punojnë tre vite në Shqipëri ose të paguajnë tarifën e plotë të studimit.
Përpos ndryshimeve, studentët e mjekësisë vazhduan të kundërshtonin ligjin.
Dea Guri, Rei Haluli dhe Trevor Xhixha thanë për Citizens.al se ligji vazhdon të jetë i papranueshëm dhe kundër lirisë së zgjedhjes. Ata theksuan se ndryshimet nuk reflektuan kërkesat që studentët patën paraqitur në protestë.
Çështja tani është në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku ata shpresojnë të gjejnë drejtësi.
“Në momentin që ne nuk gjejmë drejtësi me shtetin tonë, me gjykatat tona, ka gjykata te tjera, të cilat janë të pavarura dhe shpresojmë dhe besojmë se do të bëjnë drejtësi për ne,” tha asokohe Haluli për Citizens.al.
Si erdhi procesi deri këtu?
Në 16 qershor 2023, ish-Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi idenë e detyrimit të studentëve të mjekësisë për të punuar tre vite në Shqipëri për të tërhequr diplomën. Nisma u argumentua si politikë për të frenuar emigrimin e mjekëve.
Por ky propozim u kundërshtua ashpër nga studentët, të cilët organizuan protesta masive më 20 dhe 23 qershor.
Në 5 korrik 2023, Kryeministri Rama e zgjati periudhën nga tre në pesë vite, duke rritur pakënaqësitë.
Pavarësisht protestave të vazhdueshme, projektligji u miratua në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe u votua më 20 korrik 2023 me 71 vota “pro” dhe 23 “kundër”.
Studentët paralajmëruan bojkot të vitit akademik dhe ngritën një padi në Gjykatën Kushtetuese më 20 tetor.
Në janar 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pjesërisht ligjin dhe urdhëroi Kuvendin të përpunonte ndryshimet brenda tre muajve. Në tetor 2024, Kuvendi miratoi versionin e rishikuar të ligjit, por pavarësisht ndryshimeve, studentët e mjekësisë mbetën të pakënaqur.
Për çfarë protestuan studentët e mjekësisë?
Studentët gjatë protestave ligjëruan një sërë nevojash qoftë në sistemin universitar edhe në atë mjekësor.
Gjatë protestave, ata kërkua:
- Vendosjen e degës së mjekësisë si prioritet kombëtar për të frenuar largimin e mjekëve të rinj.
- Pagesën e periudhës së stazhit me 50% të pagës së mjekut të përgjithshëm.
- Rritjen e pagesës për mjekët roje dhe mbulimn e plotë të shpenzimeve të specializimeve afatgjata.
- Investime në infrastrukturën universitare, duke përfshirë laboratorët dhe bibliotekat.
- Buxhet të posaçëm për trajnime jashtë vendit për teknika mjekësore të avancuara.
Studentët vazhdojnë të ndjekin çështjen e tyre në nivele të tjera gjyqësore dhe mbeten kritik ndaj politikave që kufizojnë liritë dhe të drejtat e tyre.
Lexo gjithashtu:
- Ligji i ri nuk përmbushi kërkesat e studentëve të mjekësisë
- Qeveria ka fryrë tarifat për studentët e mjekësisë që largohen nga Shqipëria
- Studentët e mjekësisë i rikthehen protestave
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).