Citizens.al

Kauza të 2024: Përpjekjet për më shumë të drejta për punëtorët

Citizens.al/Foto ilustrim nga protesta e punëtorëve në 1 Maj 2024

Për punëtorët në Shqipëri, viti 2024 ishte një periudhë sfidash të vazhdueshme për më shumë të drejta, respektim të Kodit të Punës dhe përpjekje për organizim sindikal.

Siparin e rezistencës e mbyllën këtë vit punëtorët e kompanisë “Alba Shoes” në Vlorë, të cilët denoncuan për mos pagesë sigurimesh, pagat e parregullta dhe detyrimin për të punuar në një pikë tjetër të fasonerisë, në Nartë. Edhe pas takimit me praninë e Inspektoratit të Punës dhe premtimeve për shlyerjen e detyrimeve, situata mbeti e pandryshuar.

“Nuk është respektuar asgjë. Tani jam në shtëpi,” tha Arben Sinani, një nga punëtorët. Ai shtoi se nuk janë paguar sigurimet që nga shkurti dhe që zhvendosja e makinerive drejt Nartës ka nisur. Për ata që refuzojnë të transferohen, kompania ka kërkuar dorëheqjen.

“Unë nuk do të iki në Nartë. Po të ishte gjithçka në rregull, mund të kisha shkuar, por nuk iki sepse kompania nuk ka qenë korrekte,” shtoi ai.

Dorëheqja e detyruar i vë punëtorët në pasiguri për marrjen e pagesave të mbetura. Arbeni dhe bashkëshortja, të punësuar për tre vite te “Alba Shoes”, do të presin vitin e ri pa punë, në kërkim të një punë tjetër me kushte më dinjitoze.

Për çfarë protestuan punëtorët në 2024?

Protestat e sektorit fason shënuan një prej viteve më të vështira në Shqipëri. Rënia e fortë e euros dhe ulja e porosive nga tregu evropian çuan në mbylljen e dhjetëra kompanive, duke lënë mijëra të papunë. Shumë kompani zhvendosën aktivitetin në Tunizi dhe Egjipt, ku kostot e prodhimit janë më të ulëta.

Në sektorin e Call-Center, përmes Sindikatës Kombëtare të operatorëve Telefonikë (SKOT), punëtorët kërkuan njohjen ligjore të profesionit, duke mbledhur firma për një peticion që synonte njohjen e sëmundjeve profesionale dhe mundësinë e daljes në pension të parakohshëm. Në fund, për shkak të mos plotësimit të numrit të nevojshëm, nisma mbeti pezull.

Megjithatë, punonjësit e organizuar pranë sindikatës SKOT vijojnë ende të advokojnë për më shumë të drejta në këtë sektor.

Protesta e 1 Majit bashkoi punëtorë nga sektorë të ndryshëm – fasoneri, call-center, shëndetësi, pastrim, arsim, naftë dhe miniera – në një thirrje të përbashkët: “Dinjitet në punë”. Ata denoncuan pagat e ulëta, mungesën e kontratave dhe mosrespektimin e ditëve të pushimit.

Në korrik, Kuvendi miratoi ndryshime në Kodin e Punës, duke reduktuar me gjashtë ditë pushimet vjetore të punëtorëve. Ky ndryshim u kritikua nga sindikatat për mungesë konsultimi dhe transparence.

Lëvizja Bashkë, një parti e cila ka në fokus punëtorët, protestoi para Kryeministrisë për ndryshimet që kaluan në heshtje, pa asnjë konsultim me publikun.

Lëvizja Bashkë dhe organizata të tjera denoncuan kushtet e vështira të punës në ndërtim dhe fasoneri, sidomos në temperatura të larta gjatë verës. Deri në tetor 2024, u raportuan 138 aksidente në punë, nga të cilat 26 me pasojë vdekjen. Ndërtimi ishte sektori me më shumë aksidente, ndjekur nga minierat dhe sektorë të tjerë.

Për punëtorët shqiptarë, viti 2024 ishte i mbushur me sfida dhe protesta për të drejtat e tyre. Megjithëse disa nisma dhe protesta nxitën debat publik, kushtet e punës dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve mbeten ende larg standardeve të dëshiruara.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW