Dhjetëra punonjës të fasonerisë “Altek shpk” në Krujë lanë sot punën në shenjë proteste për mos-marrjen e shpërblimit të fundvitit.
Sipas punonjësve, shpërblimi ka qenë një praktikë e përvitshme e kompanisë. Përpos kësaj, ata parashtruan edhe shqetësime të tjera, si mos-pagesa e orëve shtesë dhe ditëve të festave me 25% mbi vlerën e pagës, siç e parashikon Kodi i Punës.
Ferdez Onuzi, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë e angazhuar për çështjet e punëtorëve dhe organizimin sindikal të tyre, tha se punëtorët u përfshinë në diskutime me drejtuesit e kompanisë.
Sipas saj, fillimisht u tha se shpërblimi do të jepej muaj për muaj i shtrirë në të gjithë vitin, por më pas u ofrua ndarja e tij në tre këste.
“Oferta e fundit ishte që shpërblimi të jepej si 50% e pagës bruto, e ndarë në dy këste”, tha Onuzi për Citizens.al.
Të pranishëm në protestë ishin edhe përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, që sipas Onuzit ka mbajtur qëndrim në favor të kompanisë.
“Ju kanë thënë punëtorëve se kompania ka të drejtë dhe se nuk ka arsye për pretendime për shpërblimin”.
Sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Altek shpk” ushtron aktivitet në ish-ndërmarrjen Artistike të Krujës. Ajo u themelua në vitin 1995 nga familja italiane Cosimo Vitobello si filial i kompanisë së tyre në Barletta, Puglia (Itali). Veprimtaria kryesore mbetet import-eksporti i materialeve për prodhimin e këpucëve.
Filiali ka ndryshuar dy herë pronësi, por pa u larguar nga zotërimi familjar i Francesco, Giuseppe, Matteo dhe Felice Vitobellos. Në vitin 2005 i kaloi “Calzaturificio Odeon Shoes” ndërsa në vitin 2018 u ristrukturua nën pronësi të “Agricovit”.
Punonjësit shprehen se do të vijojnë të protestojnë deri në marrjen e shpërblimit të plotë dhe respektimin e Kodit të Punës.
Një vit më parë, shumë kompani të sektorit fason reduktuan aktivitetin e tyre në Shqipëri, – disa madje duke deklaruar falimentin. Arsyeja kryesore lidhej me rritjen e kostos së prodhimit dhe krahut të punës si pasojë e zhvlerësimit të euros në raport me lekun.
Efektet duket se ndikuan edhe te “Altek shpk” e cila thuhet se largoi nga puna 100 punonjës.
![](https://citizens.al/wp-content/uploads/2024/10/Erisa-Kryeziu-1x1-1.jpg)
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).