Quhet “Tirana Moons” dhe është një instalacion artistik me kosto rreth 390 mijë euro, të cilin Bashkia Tiranë synon ta ndërtojë në Sheshin Nënë Tereza.
Projekti është realizuar nga bashkëpunimi i studios lokale “UDV Architects” (zotëruar nga Dhimitri dhe Kostandin Jano) dhe studios “Precht” e arkitektit austriak Chris Precht, e cila në Shqipëri njihet për faktin se realizoi “Parkun Eden” – një “parajsë të gjelbër” prej 3.6 milionë eurosh – në brendësi të Kryeministrisë.
Ngjashëm si në rastin e “Parkut Eden”, edhe për “Tirana Moons” është e paqartë se si u përzgjodh studioja “Precht” për këtë instalacion e aq më tepër arsyeja që e justifikon një investim të tillë.
Projekti parashikon kthimin e qendrës së sheshit “Nënë Tereza” në një hapësirë “të optimizuar për ndërveprim me kupola në forma hënash që strehojnë aktivitete të ndryshme”.
Kupolat, përshkruar si “pavijone sferike” parashikohen të jenë në material druri dhe të mbuluara me tenda, disa prej tyre do jenë dhe me rafte librash. Paralelisht parashikohen mbi 100 vazo betoni, 50 stola dhe kthimi në zonë të gjelbër të rreth 260 metrave katror të sheshit, i cili rikonceptohet në zonë rekreative.
Gara për ndërtimin e instalacionit “Tirana Moons” u hap të hënën, më 6 janar, me afat konkurrimi deri më 21 janar. Projekti parashikohet të zgjasë 6 muaj për t’u kryer.
Në përshkrimin funksional të veprës citohet se dizajni nuk është vetëm estetik, por hapësira do të shërbej si ndërvepruese, duke funksionuar si strehë, për aktivitete të ndryshme.
Në pritje të hapjes së strehës së “Hënave të Tiranës” dhe shumë strehave të tjera të cilat ende qëndrojnë të mbyllura në kryeqytet, qytetarët nuk duket se kanë shumë alternative kulturore si “strehëza të hapura”.
Dyert e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë qëndrojnë “të mbyllura” teksa ajo nuk është e vetmja godinë që nuk mund të qaset momentalisht. Ngjashëm janë edhe Muzeu Kombëtar dhe Galeria e Arteve – të mbyllura për rikonstruksion – ndërsa kryeqytetit i mungojnë Cirku, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Kukullave.
Me një situatë të tillë instalacioni “Hënat e Tiranës” ka pak gjasë ta mbushë boshllëkun kulturor në kryeqytet.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.