Ora 7 e mengjesit të së martës i gjeti më shumë se 200 punëtorët e kompanisë “Altek” në Krujë në protestë.
Mos dhenia e shpërblimit të vitit ishte arsyeja kryesore që i mbledh në protestë prej së premtes të 3 janarit.
“Kam 27 vite që punoj këtu dhe ky është viti i parë që nuk marrim shpërblim”,- u shpreh një nga punonjëset, të cilën disa minuta vonesë e lanë pas derës së fasonerisë.
Deri më tani nga diskutimet që kanë pasur me administratorë të fasonerisë është propozuar prej tyre dhënia e demshpërblimit me këste.
“60% thanë që do të na e kalojnë me bankë brenda këtyre ditëve dhe pjesën tjetër në muajt në vijim”,– u shpreh një tjetër punëtore në kushtet e anonimatit.
Sipas punonjësve, shpërblimi është i ndryshëm për pozicione pune të ndryshme. Kësisoj, punonjësit manualë paguhen më pak se makinistët.
Shpërblimi është shqetësimi parësor i tyre, mirëpo pagesat për ditët e shtuna dhe mbingarkesa në punë për shkak të largimit të dhjetëra punonjësve një vit më parë janë shqetësime të tjera të tyre.
“Të shtunën na e ka dhënë ditë pune të plotë në fillim, tani na e jep me sa orë punojmë”, -u shpreh një nga punonjëset për Citizens.al.
Asnjë nga përfaqësuesit e kompanisë nuk pranoi të flasë për Citizens.al.
Sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Altek shpk” ushtron aktivitet në ish-ndërmarrjen Artistike të Krujës. Ajo u themelua në vitin 1995 nga familja italiane Cosimo Vitobello si filial i kompanisë së tyre në Barletta, Puglia (Itali). Veprimtaria kryesore mbetet import-eksporti i materialeve për prodhimin e këpucëve.
Filiali ka ndryshuar dy herë pronësi, por pa u larguar nga zotërimi familjar i Francesco, Giuseppe, Matteo dhe Felice Vitobellos. Në vitin 2005 i kaloi “Calzaturificio Odeon Shoes” ndërsa në vitin 2018 u ristrukturua nën pronësi të “Agricovit”.
Punonjësit shprehen se do të vijojnë të protestojnë deri në marrjen e shpërblimit të plotë dhe respektimin e Kodit të Punës.
Një vit më parë, shumë kompani të sektorit fason reduktuan aktivitetin e tyre në Shqipëri, – disa madje duke deklaruar falimentin. Arsyeja kryesore lidhej me rritjen e kostos së prodhimit dhe krahut të punës si pasojë e zhvlerësimit të euros në raport me lekun.
Efektet duket se ndikuan edhe te “Altek shpk” e cila thuhet se largoi nga puna 100 punonjës.
Përditësim: Në përfundim të ditës, kompania iu kaloi punonjësve 60% e shpërblimit përmes bankës, ndërsa pjesën tjetër i garantoi se do t’jua kalonte në datë 25 janar.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).