Citizens.al

Qeveria ul me 1 lek çmimin energjisë

Google/Foto ilustruese.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi të mërkurën të ulë me 1 lek çmimin e energjisë elektrike për familjet që shpenzojnë më pak se 700 kWh në muaj.

Në daljet e tyre publike, përfaqësues të qeverisë kishin deklaruar se ulja e çmimit do të fillonte më 1 janar 2025. Megjithatë, me vendimin e fundit, ulja do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, por me një diferencë më të vogël nga sa ishte premtuar.

“Kemi marrë një porosi dhe prej kohësh po punojmë me OSHEE-në, KESH-in dhe OST-në për të bërë të mundur uljen e çmimit të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025,” deklaroi kryeministri Edi Rama në një dalje më herët gjatë vitit që shkoi.

Aktualisht, çmimi për familjet është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH (11.4 lekë me TVSH). Sipas vendimit të ri, për familjet që konsumojnë më pak se 700 kWh, çmimi do të ulet në 8.5 lekë për kilovat. Ky vendim do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2025.

Në të njëjtën dalje, kryeministri Rama foli edhe për pensionistët, duke nënvizuar nevojën për ulje të çmimit të energjisë për këtë kategori. “Kam kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që pensionistët të përfitojnë një ulje, sado e vogël qoftë ajo,” pati thënë Rama.

Megjithatë, vendimi i fundit nuk përfshin asnjë ndryshim për pensionistët.

Kjo ka shkaktuar zhgënjim te kjo kategori, e cila ka protestuar për javë të tëra për pensione më të larta dhe përballimin e kostove të energjisë elektrike, – megjithëse për ta fatura aplikohet pa TVSH.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW