Një tjetër ish-punonjës i kompanisë “Alba Call” në sektorin e thirrjeve telefonike fitoi të drejtën në gjykatë, duke përfituar shpërblim prej gjashtë pagash.
Në prill të vitit 2022, “Alba Call” pushoi nga puna 188 punonjës përmes një procedure pushimi kolektiv.
Sipas Kodit të Punës, gjatë pushimit kolektiv duhet thirrur sindikata, procedurë që nuk u ndoq nga kompania në fjalë.
Dymbëdhjetë prej punonjësve, të mbështetur nga “Qendra për Fuqizimin Ligjor”, iu drejtuan gjykatës, ndërsa ky rast është i dyti që fitohet.
“Në këtë rast një djalë përfitoi gjashtë paga dëmshpërblim për mos respektim të procedurës. Alba Call duhet ta diskutonte me ne pasi ishim sindikatë përfaqësuese, dhe gjykata e ka njohur këtë pjesë”, u shpreh për Citizens.al, Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë (SKOT).
Sipas Xhemalajt, deri më tani janë fituar gjashtë padi nga gjashtë ish-punonjës të kompanisë “Alba Call”, mirëpo janë apeluar nga ana e kompanisë.
“Normalisht që do të duhet një kohë e gjatë edhe në Apel për të përfunduar si çështje. Nuk kemi një vendim të formës së prerë, por jemi në pritje,” u shpreh Xhemalaj për Citizens.al.
Fillimisht, padia në gjykatë është dorëzuar kolektive, e firmosur nga 12 punonjës, por u nda nga gjykata në 12 çështje më vete.
Fitorja e parë u shënua në korrik të vitit 2023, ku njëri prej punonjësve fitoi gjithashtu shpërblimin prej gjashtë pagash.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).