Citizens.al

“Urat për Shqipërinë 2030”: Projekte reale apo “3D elektorale”?

Citizens.al/Kryeministri Rama gjatë prezantimit të projekteve.

Qeveria synon të ndërtojë me privatin Bibliotekën e re Kombëtare, stadiumin “Selman Stërmasi” dhe zyra të reja për administratën. Në këmbim ajo zotohet t’u japë investitorëve leje për ndërtimin e të paktën tre kullave 25-40 katëshe në Tiranë.

Ideja u prezantua të enjten nën titullin “Urat për Shqipërinë 2030”. Ajo është pjesë e një modeli të diskutueshëm zhvillimi (PPP), të cilin qeveria e ka përdorur dhe më parë.

Ky model arsyetohet si mënyrë për të rritur pa kosto investimet publike. Ato i faturohen privatëve. Por shoqërohet pa transparencë të qartë rreth vendimmarrjes, përfitimeve publike dhe ndikimit afatgjatë.

Qeveria e aplikoi fillimisht në vitin 2016 për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar. Projekti përfundoi në një kompleks sportiv me kullë dhe mjedise tregtare, duke lënë si hapësirë publike vetëm fushën brenda stadiumit.

Modeli u tentua më pas edhe me Teatrin Kombëtar. Por protestat dhe tërheqja e privatit nga investimi detyruan qeverinë ta marrë vetë përsipër ndërtimin. Megjithatë ajo ia plotësoi dhe interesat privatit duke i dhënë të drejtën për ndërtimin e kullës ngjitur.

Nga kjo qasje Tirana humbi një objekt historik me arkitekturë të veçantë. Po kështu dhe hapësira të tjera që u ngopën me ndërtim rreth qendrës.

Së fundmi, modeli është ri-konceptuar me futjen në lojë të Korporatës së Investimeve. Kjo, në vitin 2024 mori në administrim për zhvillim 28 prona publike. Nga nëntori, ajo ka avancuar në synimet për zhvillimin e tetë prej tyre.

Megjithëse synohet tërheqja e investitorëve të huaj, përvoja me “Investimet Strategjike” sugjeron për të kundërtën.

Qasja e qeverisë me PPP kritikohet për anashkalim të konsultimeve publike, konkurrencës dhe planeve të përgjithshme të zhvillimit.

Dy thirrjet e para të Korporatës kishin gara të veçanta për projekt-idenë dhe për investitorët. Ato ishin për zhvillimin e zyrave të Kadastrës, Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Shpronësimeve.

Korporata ishte e gatshme që në këmbim të këtyre hapësirave t’u japë privatëve mundësi ndërtimi për dy kulla 25-40 kate.

Për më shumë lexo: Kulla, zyra dhe stadiumi i ri: Qeveria i jep privatëve 8 prona publike

Por pasi prezantoi fituesit e projekteve Korporata u detyrua të zgjasë garën për investitorë nga 6 janari më 20 janar. Si duket nuk pati interes.

Procedurat parashikojnë nënkontraktimin e zyrave të arkitektëve që shpallen fitues. Investitorët duhet ta ndjekin zhvillimin e idesë me ta. Por pak investitorë interesohen vetëm për zhvillim të projekteve. Përgjithësisht ata kanë vetë grupe apo zyra projektimi, të cilat i japin konceptit vizionin e tyre të të bërit biznes.

Në përpjekje për të tërhequr më shumë investitorë, Korporata ndryshoi procedurat për dy thirrjet e tjera. “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi” dhe “Biblioteka Kombëtare” u hapën në “garë duo” për projektin arkitektonik dhe për oferta investimi.

Megjithatë, afatet e kufizuara, të reduktuara nga 60 në 30 ditë, kanë ngjallur dyshime për seriozitetin e procesit dhe transparencën. Duket sikur përpara zgjedhjeve parlamentare, qeverisë i interesojnë më shumë prezantimet “3D”.

Projekte të ngjashme, si ato për stadiumet e Durrësit, Vlorës dhe Korçës, u prezantuan bujshëm para zgjedhjeve vendore të 2023. Konceptet fituese të studiove 51N4E, Xaveer De Geyter Architects dhe Cebra Architecture u prezantuan para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

E përbashkëta e projekteve ishte se ato parashikonin zhvillimin me ndërtime të larta edhe të zonës rreth stadiumeve.

Qeveria i pagoi €1.2 milionë studiot për t’u përpiluar “Planet e Detyruara Vendore” stadiumeve (vendimet: këtu, këtu dhe këtu). Megjithatë, ato nuk tërhoqën investitorë dhe aktualisht mbetën thjesht vizualizime “3D.”

Fundi i muajve janar-shkurt do të tregojë nëse kjo qasje do të përsëritet dhe për projektet e reja të “Urave për Shqipërinë 2030”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW