Citizens.al

Riorganizimi në hartën e re futi në kaos sistemin gjyqësor

Citizens.al/Paraqitje grafike e konceptit të drejtësisë.

Autore: Marlina Jaho | Citizens.al

Prej 1 shkurtit 2023, sistemi i drejtësisë është përfshirë nga ndryshime të mëdha pas miratimit të hartës së re gjyqësore, vendim që shkaktoi reagime të forta nga avokatët dhe qytetarët. Por pavarësisht kundërshtive, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk u tërhoq nga vendimi.

Harta e re solli bashkimin e disa gjykatave vendore, duke ulur ndjeshëm numrin e institucioneve që ofrojnë shërbime gjyqësore. Gjykata e Matit u bashkua me atë të Dibrës, Kavaja dhe Kruja me Durrësin, Lushnja me Fierin, Saranda dhe Përmeti me Gjirokastrën, Tropoja me Kukësin, Pogradeci me Korçën, Kurbini me Lezhën dhe Puka me Shkodrën.

Ndërkohë, gjykatat administrative të shkallës së parë u përqendruan vetëm në dy qytete: Tiranë dhe Lushnjë, ndërsa Gjykata e Apelit u kufizua vetëm në Tiranë.

Kjo reformë çoi në mbylljen e nëntë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorive të rretheve.

Shumë punonjës u detyruan të zhvendosen në rrethet përkatëse, ose të udhëtojnë vajtje-ardhje për të ndjekur postet e punës. Prej rreth dy vitesh kostot e këtij ndryshimi bien mbi kurrizin e punonjësve. Disa prej punonjësve qëndruan në “zyrat e shërbimeve” të gjykatave fillestare duke  shërbyer në pozicione për të cilat nuk ishin trajnuar.

Miratimi i hartës së re gjyqësore u bë pa marrë parasysh efektet që do të kishte në sistem dhe pa një rregullore mbi funksionimin e gjykatave të riorganizuara. Kjo solli një sërë problematikash. Dosje të shumta iu shtuan listave të pritjes nëpër gjykata. Mungesa e mjediseve, stafit, apo gjyqtarëve çorientoi gjithë sistemin që ishte ngritur tanimë.

QarkuNr. i gjykataveÇështje periudha
Janar-Maj 2023
Çështje periudha
Maj-Dhjetor 2023
DibërIshin dy, ka një807 çështje1,385 çështje
GjirokastërIshin tre, ka një2,725 çështje2,952 çështje
KorçëIshin dy, ka një1,585 çështje2,325 çështje
KukësIshin dy, ka një471 çështje1,666 çështje
LezhëIshin dy, ka një2,168 çështje5,602 çështje
Totali Ishin 11, janë 57,756 çështje13,930 çështje

Statistikat e marra përmes kërkesave për informacion tregojnë një rritje shqetësuese të çështjeve të pazgjidhura. Në pesë qarqe të marra në shqyrtim, gjatë vitit 2023, u shtuan 6,174 çështje – nga 7,756 në 13,930. Përballë këtij volumi nuk ishin më 11 gjykata por 5 që duhet t’i shqyrtonin.

Vetëm Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë pati 4,772 çështje shtesë nga shkurti deri në fund të verës së 2023 – nga 2,824 në 7,596 çështje. Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm përjetoi një fluks prej 33,731 çështjesh të reja brenda një muaji.

GjykataÇështje periudha
Janar-Shkurt 2023
Çështje periudha
Korrik-Shtator 2023
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë2,824 çështje7,596 çështje

Por problematikat e shumta nuk u hasën vetëm në gjykata. Avokatët kanë qenë ndër kritikët më të mëdhenj të kësaj reforme.

Besjana Kadriu, avokate nga Berati, tha për Citizens.al se “harta e re po aplikohet në një kohë kur sistemi vuan mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve pas procesit të vetingut,”. Ajo shprehet se në këtë situatë stoku i dosjeve është shtuar.

“Ky riorganizim i hartës ka sjellë rritje të kostove dhe vonesa në marrjen e drejtësisë,” vijon Kadriu.

Avokatja Kadriu tregon se dosjet e saj të depozituara në vitin 2023 në Gjykatën e Apelit ende nuk kanë marrë datë shqyrtimi, pasi aktualisht trajtohen çështje të viteve 2018-2019. Kjo vonesë ka krijuar ndjenjë frustrimi te qytetarët.

Ngjashëm mendon dhe avokati Denis Jaho. Ai thotë se harta gjyqësore ka pasur ndikim në punën e përditshme dhe thekson se situata aktuale ka stepur qytetarët që të kërkojnë drejtësi.

“Kur bëhet fjalë për të apeluar një vendim, shumë palë tërhiqen. Jo më shumë për largësinë fizike, por sepse e dinë situatën në Gjykatën e Apelit dhe vetëm mendimi se mund t’iu duhet të presin disa vite i tremb dhe i largon nga mbrojtja e të drejtës së tyre,” shprehet Jaho teksa thekson se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Ndërsa qëllimi i hartës së re gjyqësore ishte të rritej efikasiteti i sistemit, realiteti në terren tregon për kaos dhe një sistem drejtësie që po kaplohet nga burokracia dhe mbingarkesa.

*Ky artikull është realizuar nga Marlina Jaho, pjesëmarrëse në akademinë “Voices for Change”, organizuar nga Citizens.al.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW