Citizens.al

8 Dhjetori: Trashëgimia e së shkuarës dhe sfida e rinisë për të ardhmen

Citizens.al/Përpunim grafik i një faksimile të pamjeve nga "Lëvizja e Dhjetorit '90".

Autor: Ermal Spahiu | Citizens.al

Elta Milori është një nga studentet e lëvizjes së dhjetorit, e cila edhe sot e kësaj dite, mban kujtime të freskëta në organizimin më vendimtar që njohu Shqipëria në vitet ’90. Dikur dëshmitare si studente e Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike, ajo ndan prapaskenat se çfarë ndodhi më “8 Dhjetor 1990”.

“Kam qenë studente e vitit të fundit, fakulteti ynë u bë vatra e lëvizjes studentore, që vuri në lëvizje mekanizmin e fillimit të ndryshimeve nga sistemi i centralizuar dhe monopartiak në sistem pluralist me qasje perëndimore,” kujton Milori.

“Leksionet kishin kohë që ishin kthyer në orë debati, ‘Doni leksion apo debat’ ishte pyetja që na drejtohej nga pedagogët,” vijon ish-studentja e drejtësisë.

Të njëjtën histori rrëfen dhe Geron Kamberi, po ish-student i viteve ’90.

“E kam përjetuar drejtpërdrejtë atë moment që ishte i mbushur me idealizëm e entuziazëm, por dhe me dyshimet dhe pasiguritë e një sistemi të ri politik e ekonomik, që e kishim lexuar nëpër libra apo kishim parë imazhe të tij nëpër filma, por nuk e dinim se si funksiononte,” tregon Kamberi.

Milori përmend Azem Hajdarin, si udhëheqësin e këtij marshimi, të cilin e cilëson si figurë lideri. Më tej, ish-studentja përshkroi pjesëmarrjen në demonstratë “emocion që nuk përshkruhej dot”.

“Mbështetja e grevistëve deri në orët e vona të natës në qytetin studenti do të jenë të paharruara,” rrëfen Milori.

Përplasje brezash, portrete të rinjsh që dallojnë

Në sytë e Milorit, gjërat kanë ndryshuar, sidomos mes brezave. Rinia e sotme nuk gjen të krahasuar me atë të viteve ’90 pasi kushtet bëjnë diferencën.

“Ka më shumë liri mendimi dhe rinia është më mendjehapur,” thotë ajo.

Megjithatë, për ish-studenten e dhjetorit, brenda gjithë këtyre ndryshimeve, ka dhe zhgënjime të mëdha.

“Për një vend që 50 vite ka qenë në diktaturë, 34 vite janë pak për ndryshimet që ne kërkojmë, por edhe shumë për aq sa kemi arritur,” shton ajo.

Tjetër këndvështrim sjell Kamberi, i cili e quan 8 dhjetorin e vitit ’90 pikë kthese dhe moment që ndryshoi historinë e Shqipërisë me përmbysjen e diktaturës duke ndarë dy epoka: rënien e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë përmes miratimit të pluralizmit politik.

“8 dhjetorin e shoh si një datë simbolike që mishëron përpjekjen e  një brezi që u përpoq të ndryshonte, duke parë atë që po ndodhte në të gjithë Europën Lindore,” thotë Kamberi.

“Megjithatë, entuziazmi e idealizimi i atyre të rinjve,” vijon Kamberi, “nuk mund të fajësohet për tranzicionin e vështirë që pasoi në Shqipëri dhe që ishte i lidhur me shumë faktorë, ku shpesh roli i individidit ndërthurej me atë të rrethanave në nivel rajonal e më gjerë”.

Sakaq, Milori nuk vendos shenja barazimi për “matjen e diktaturës”, pasi para viteve 90, mekanizmi shtetëror vihej në lëvizje nga një dorë dhe kishte një strukturë, e cila ishte e sanksionuar në Kushtetutën dhe ligjet e kohës.

“Diktatura ishte e ligjëruar. Sot ndodh e kundërta. Nuk kemi atë situatë, së pari për periudhat kohore që jetojmë. Së dyti jetojmë në një sistem tjetër, ku ka pavarësi pushtetesh dhe fjala e lirë është pa censurë. Sigurisht aty ku shkelet ligji ka dhe sanksione, por asnjëherë nuk mund të barazojmë diktaturën apo kufizimet e para viteve 90 me kohët që jetojmë sot”, shpjegon juristja.

Facebook/Elta Milori

Kamberi elaboron dhe qasjet që diferencojnë dy brezat, duke iu referuar përkufizimit të UNICEF, ku shkruhet se të rinj konsiderohen ata që i përkasin moshës 14-29 vjeç.

Në ekspertizën e tij nga studimet e kryera, rezulton se përkundrejt këtij përcaktimi vihet re se tashmë në Shqipëri, brezi i ri ka lindur i gjithë pas viteve 90 dhe po rritet në një sistem tërësisht të ndryshëm politik, ekonomik e social.

“Për rrjedhojë ata kanë ndryshuar të gjithë qasjen e tyre sesi e shohin shoqërinë, familjen, politikën, të ardhmen, nëse e krahasojmë me brezin tonë që u rrit në një kohë tjetër apo u ndodh në një fazë të vështirë për të rindërtuar sistemin e tij të vlerave, pasi kishtë kaluar një pjesë të rinisë së tij në një sistem tjetër”, sqaron analisti i politikave.

Larg, por jo të harruar

Ata u larguan për një mundësi më të mirë. Marjana Çiku dhe Gëzim Hilaj janë dy nga studentët, të cilët rrugën drejt Europës e provuan disa vite më parë. Të dy zgjodhën destinacione të ndryshme, të cilat krahas mundësive të shumta për investim në profesion, iu ofruan dhe një jetë më të sigurt.

Marjana jeton në Gjermani, aty ku përfundoi masterin e dytë universitetin më të mirë të Gjermanisë (TU), ku qëllimi i saj është të punojë në fushën e marketingut. Zgjedhja për t’u larguar nga Shqipëria erdhi për Marjanën pasi nuk mundi të gjejë dot veten në hapësirat e tregut, kjo si pasojë e mospërputhjes arsimore.

“U largova nga Shqipëria si studente, sepse pavarësisht arsimimit dhe përvojës sime të punës nuk e gjeta kurrë veten! U përpoqa të gjeja mundësi premtuese pune por ndjeja që nuk mjaftonin. Kjo më bëri të kërkoja perspektiva më të mira jashtë vendit,” shprehet Çiku.

Më tej ajo shton se mjedisi në të cilin jeton është favorizues për ëndrrat e saj.

“Përshtatja me jetën në Mynih, një sfidë por jo e vështrë, pasi e gjeta veten shumë shpejt. Mjedisi akademik këtu është shumë i pasur dhe mundësitë e punësimit janë më të mëdha se në Shqipëri,” vijon Çiku.

Në krahun tjetër qëndron Gëzimi, i cili zgjodhi Anglinë si destinacionin për të investuar për të ardhmen. Ai përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Gazetari, teksa mbylli studimet master në Londër për Gazetarinë Digjitale.

Hilaj tregon mbi arsyet që e bënë të largohej nga Shqipëria, duke zgjedhur mos t’i besojë cilësisë arsimore dhe nivelit të përgatitjes për tregun e punës në vendin tonë.

“Praktikisht ka qenë si rrjedhim i dëshirës sime për të kryer studimet në Angli. Për një edukim më të mirë dhe të ardhura më të mira,” thotë Hilaj, i cili ndalet tek jeta studentore, ajo që i mungoi në trojet e veta.

“Shqipërisë i mungon ekonomia, njerëzit e duhur, intelektualët, të rinjtë dhe një vend i së drejtës ku të udhëheqë demokracia,” thotë më tej gazetari me origjinë nga Kukësi i cili tregon çfarë gjeti në Londër.

“Sistemi universitar i pakorruptuar, logjistika që gjendet në vendet si rajonet perëndimore, Mbretëri e Bashkuar, cilësia e arsimit, shkolla praktikisht…”.

LinkedIn/Gëzim Hilaj.

Shqipëria, një “djep” i rënë arsimor

Pikë shqetësuese mbetet niveli i formimit të të rinjve në Shqipëri, me këtë të fundit që u rendit e 62-ta dhe e dyta nga fundi ndër 6 vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ky regres i arsimit u kuptua në tri subjektet si leximi, matematika dhe shkenca.

Një brez me një analfabetizëm të theksuar dhe njohuri të mangëta në fushat shkencore, reflekton pikën e dobët të një prej institucioneve më të rëndësishme në vend.

Për Elta Milorin, diferenca qëndron tek përgatitja e nivelit të mësimdhënëseve.

“Duhet një revolucion i vërtet dhe të përgatiten programe e strategji, si afatshkurtra dhe afatgjata për forcimin,” thotë juristja.

Ndryshe e gjykon analisti Kamberi, ku në kritikën e bërë mbi gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i formimit kalon fokusin tek prania e rrjeteve sociale.

“Shpesh të rinjtë i largohen leximit apo aktiviteteve si sporti, arti, muzika që rrisin inteligjencat e shumëfishta dhe ndikojnë tek forcimi i kohezionit social mes tyre. Politikat që duhet të ndiqen në këtë rast janë të lidhura, jo vetëm me përmirësimin e cilësisë së edukimit, por me krijimin e mundësive që të rinjtë të zhvillojnë vetveten përmes tyre”.

Disa duan të ikin, ajo zgjedh Shqipërinë

Historitë e së kaluarës mbeten ende të prekshme nga brezi i ri. Një shembull i tillë vjen nga Erika Elezi, e reja e cila ka nisur studimet në Tiranë.

Edhe pse të dhënat shprehin me shqetësim udhën në të cilin po i drejtohet Shqipëria të ardhmes, Elezi mbetet optimiste për rrugën që sapo ka ndjekur, mbështetur dhe nga historia frymëzuese e studentëve të dhjetorit.

“Kam dëgjuar për 8 Dhjetorin kur isha e vogël. Edicionin e lajmeve e shihja me babin dhe mbaj mend që zhvilloheshin gjithmonë diskutime në familje. Të ftuarit në studiot televizive flisnin me nostalgji dhe shpresë për guximin që kishin treguar atë kohë,” thotë Elezi teksa vazhdon duke thënë se e ka njohur lëvizjen nga pasioni me të cilin e shpjegonin mësuesit e saj të historisë.

“Ata tregonin se ishte një lëvizje e gjerë që nisi në Tiranë dhe mori me vete gjithë Shqipërinë. Mbaj mend që ndër kërkesat kryesore të studentëve me në krye Azem Hajdarin, ishte vendosja e pluralizmit dhe një sistemi demokratik, vendosja e një ekonomie të tregut të lirë dhe zbatimi i të drejtave dhe lirive te njeriut”.

Kjo lëvizje pati suksesin e saj, nënvizon Elezi, dhe arriti të bënte ndryshimet ligjore të nevojshme, duke kthyer frymën e një jetese normale dhe demokratike.

“Njerëzit me të vërtetë e donin dhe po përpiqeshin ta bënin Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet më tutje e reja.

Sa vlen një diplomë në reflektimin e rinisë?

Këtë pyetje bën thuajse çdo i ri kur sheh se diploma e ka humbur vlerën e saj. Mungesa e meritokracisë dhe fryma e nepotizmit i shtyn të rinjtë të shohin si zgjidhje largimin e menjëhershëm.

“Në shoqërinë shqiptare”, sipas Erika Elezit, “sheh të rinj me shumë potencial, të zgjuar dhe me plot ëndrra, por ajo që dominon tek ta është zhgënjimi dhe pesimizmi, ndaj shoqëria është edukuar me këtë frymë dhe mentalitet”.

Elezi sheh përgjegjëse institucionet të cilat nuk investojnë aq sa duhet në përgatitjen e tyre.

“Të rinjtë dalin në përfundime duke u nisur nga vëzhgimet e përditshmërisë, pa provuar të bëjnë një ndryshim vetë”, reflekton e reja.

Në anën tjetër juristja Milori tregon se cilës formulë duhet t’i përmbahet qeveria për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri.

“Për ta mbajtur rininë në atdhe duhet krijimi i mundësive, hapja e vendeve të punës, promovimi dhe krijimi i strategjive si dhe programeve të mirëstudiuara e mirëpaguara për të rinjtë, duke bërë që produkti më pas të jetë i garantuar.”

Geron Kamberi është baba i dy djemve, të cilët kanë drejtime të ndryshme në formimin arsimor. Sipas tij, ata po investojnë që të formohen dhe të krijojnë të ardhmen e tyre në tokën shqiptare.

“Duhet të kemi parasysh se Shqipëria pas 4-5 vjetësh mund të jetë vend anëtare e BE dhe si rrjedhojë mund të ndryshojnë dinamikat e tregut të punës në vend çfarë do të thotë se tregu i punës do të bëhet më i hapur qoftë, për të rinjtë shqiptarë, por edhe ata të vendeve të tjera,” thotë Kamberi.

“Rrënjët nuk braktisen”, studentja: Vetëm një emër më mban këtu

Largimet masive të shqiptarëve përtej Adriatikut shërbejnë si kambana alarmi. Është një histori që s’ndalon kurrë. Janë ëndrra që nuk pengohen nga oferta alternative ku mund të mbështetesh për hapjen e një kapitulli të ri për të formuar identitetin tënd.

Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtat perspektiva. E tillë është Erika, vajza që ka zgjedhur Universitetin Bedër si institucionin për të ndërtuar profilin e saj profesional.

“Më kanë quajtur naive, idealiste, kur them se dua të qëndroj në Shqipëri,” thotë fillimisht e reja për mënyrën se si e quajnë bashkëmoshatarët e saj.

Pavarësisht epiteteve të cilat ata i kanë vënë, statusi i zgjedhjes së saj mbetet i pandryshuar, duke marrë përsipër këtë drejtim. 

“Është e vërtetë që Shqipëria nuk ofron të njëjtat mundësi si Europa apo Amerika, por unë besoj se nëse do ta ndihmoja Shqipërinë që të ofronte një eksperiencë të ngjashme, kënaqësia ime do të ishte dyfish më e madhe. Zgjedh të qëndroj në Shqipëri, për arsye edhe më të thjeshta”.

Në vazhdën e argumenteve të saj mbi zgjedhjen e qëndrimit në Shqipëri, ajo thekson se nuk ka ndërmend të provojë trajtimin si një shtetase e huaj në një vend të largët dhe të bëhet e huaj për familjarët e saj.

“E di që kam një vend që më përket dhe ku mund të jem varianti im më i mirë. Një pjesë e imja gjithashtu ndihet që i detyrohet sadopak atyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka që ne mund të jemi kaq të lirë në Shqipërinë tonë sa mund të heqim dorë prej saj. Ata kishin një qëllim dhe ëndërr që duhet vazhduar. Unë dua të jem shumë njëra nga ata që ecën në rrugën e tyre”.

Dita e Rinisë, Shqipëria në shinat e reflektimit drejt portës europiane 2030.

Viti 2030 shihet me optimizëm nga qeveria shqiptare si hapja e një porte të re, të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por çfarë po ndodh me Shqipërinë në të vërtetë, përtej angazhimit të politikës shqiptare për të bërë realitet një ëndërr për të cilën po investohet prej më shumë se 10 vitesh?

A është Shqipëria, vendi i cili mund t’i garantojë vetes një të ardhme të suksesshme në një pikë ku plaga e emigrimit vijon ende të përhapet?

Të tilla pyetjeve iu përgjigjet vetë Elta Milori, e cila provoi dorën e hekurt të komunizmit para viteve ’90, teksa sot e gjen veten në profilin e juristes dhe me shumë ngjarje për të rrëfyer.

“Sigurisht, Dita e Rinisë duhet të kthehet në një ditë reflektimi për të gjithë, pasi është e vërtetë që për mundësi dhe një jetë më të mirë ka një largim të rinisë, por guri i rëndë rëndon në vendin e vetë dhe unë më tepër e shikoj si një largim të përkohshëm, pasi jam e bindur që të gjithë do të kthehen një ditë në atdhe”, citon Milori.

MCN/Geron Kamberi

Mesazhin në emër të Ditës Kombëtare të Rinisë, e jep edhe Geron Kamberi.

“Në kushtet e lirisë së lëvizjes e zgjedhjes do të ketë gjithmonë të rinj që do të zgjedhin të studiojnë, punojnë e jetojnë në vende të tjera, por kjo nuk duhet të shndërrohet në qëllim në vetvete. Është e kuptueshme që mosha biologjike e një të riu nuk përputhet me moshën politike që i duhet një shteti të zhvillohet, por gjithmonë ka hapësira që të rinjtë ta përshpejtojnë zhvillimin e një vendi”, përfundon analisti i politikave, Geron Kamberi.

Gëzim Hilaj, me profesion gazetar si dhe një prej shembujve të freskët të emigrantëve të rinj që kanë ikur prej Shqipërisë për standarde për të mira jetese, thotë se investimet për një karrierë të suksesshme nuk duhet të konsiderohen si pikë vendimtare për tu shpërngulur plotësisht nga Shqipëria drejt një vendi më të mirë të Europës apo Mbretërisë së Bashkuar.

“Si në çdo vend të botës, çdokush ka të drejtë të lëviz. Si eksperiencë nuk ka asgjë të keqe, por të rinjtë duhet ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Nga perspektiva e një gazetari shqiptar dhe qytetari që jeton jashtë Shqipërisë, mendoj se ka njëfarë shprese për të bërë ndryshimin”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW