Qytetarë të shumtë iu përgjigjën pasditen e sotme thirrjeve për protestë përpara Ministrisë së Brendshme në mbështetje të policit Azbi Spahiu, i cili tentoi të vetëvritej në rrethana të paqarta.
Raportime të ndryshme japin idenë e presioneve për shkak të detyrës ku Spahiu thuhet të jetë shantazhuar pas arrestimit të Martin Manes, djalit të sipërmarrësit Samir Mane, i cili pak ditë më parë qe ndaluar pasi shkaktoi një aksident me makinë në Tiranë.
Redi Muçi, Mirela Ruko dhe Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë shprehën shqetësimet lidhur me ngjarjen dhe reagimin aspak serioz të Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, për të cilin ata kërkuan dorëheqjen, pasi sipas tyre po mundohet të manipulojë ngjarjen.
“Jemi këtu për të thyer heshtjen! Heshtja ju bën me turp, ju bën bashkëfajtor, e vërteta ju bën të lirë, kërkojmë dorëheqjen e ministrit,” thirri Muçi gjatë protestës.
“Ministri ka dështuar, në shërbim të kujt është kur në fjalën e tij të parë për ngjarjen nuk përqendrohet te arsyet, shkaku apo pasoja, por te protestuesit,” theksoi Ruko, sipas së cilës ai nuk kërkon zbardhjen e ngjarjes por fshehjen e saj.
Protestuesit hodhën akuza ndaj shtetit si të lidhur me okigarkët, duke pretenduar se rasti në fjalë është duke u kërkuar për t’u kaluar në heshtje.
“Ne do të jemi këtu për të vërtetën, transparencën dhe shtetin e së drejtës, çdo ditë deri sa të shkarkohet ministri,” u zotua Qori, i cili theksoi se duhet një angazhim i fortë dhe me guxim për barazi para ligjit dhe jo ndasi dhe privilegje për një grup njerëzish pranë pushtetit.
“Nëse nuk e gjejmë të vërtetën për Azbi Spahiun, nesër nga ballkoni do të bjerë një tjetër nga ne,” vijoi Qori.
“Sot jeni jetim, sot shteti ju ka braktisur,” u shpreh Adriatik Lapaj, teksa mbështetës të tij vijuan protestën krah ministrisë duke dënuar gjithashtu veprimet e ministrisë lidhur me rastin.
Protesta e sotme u organizua falë rrjeteve sociale. Ajo u thirr nga tre partitë e reja Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje dhe vjen pas një heshtjeje të zgjatur nga autoritetet.
Për tre ditë, as Policia e Shtetit dhe as zyrtarë të lartë të qeverisë nuk ofruan një sqarim të qartë mbi motivet që mund të kenë çuar policin Spahiu drejt përpjekjes për vetëvrasje.
Përpjekja për t’iu shmangur përgjegjësisë
Spahiu, 57 vjeç, me detyrë specialist i qarkullimit rrugor, u hodh nga një pallat 11 katësh pranë rrugës “Kongresi i Manstirit” në Tiranë pasditen e 15 janarit.
Sipas burimeve nga gazetarë të kronikës, incidenti i oficerit lidhet me arrestimin e djalit të Samir Manes, një prej sipërmarrësve të promovuar nga qeveria si ndër më të suksesshmit në Shqipëri.
Në një reagim të shpërndarë për mediat pesë ditë më vonë, të pretenduar si reagim i familjes Spahiu, raportimet u cilësuan “aludime të pavërteta” të cilat “rëndojnë” ndaj dhe u kërkua që “të mos spekulohet”.
Akuzat për presione mbetën të pasqaruara, ndërsa opozita dhe mediat kryesore zgjodhën të ishin kryesisht të heshtura për këtë ngjarje.
Kjo u kuptua edhe gjatë protestës ku shumica e mediave tradicionale po transmetonin betimin e Presidentit amerikan Donald Trump, apo çështje nga aktualiteti politik dhe jo protestën.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi të dielën përmes një deklarate në Facebook, ku mohoi çdo aludim për presion ndaj Spahiut. Pa dhënë asnjë të dhënë apo dokument lidhur me hetimet e kryera nga organet e Shërbimit për Çështjet e Brendshme, ministri akuzoi organizatorët e protestës për “manipulim të situatës” dhe “shfrytëzim politik.”
“Është bërë tanimë zakon të deformohen ngjarje për qëllime politike,” deklaroi ministri, duke i quajtur akuzat një “furtunë në gotë.”
Por kritikat ndaj kësaj deklarate nuk vonuan. Aktivistët dhe qytetarët online e cilësuan reagimin si një përpjekje për të minimizuar një ngjarje të rëndë dhe për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë.
Incidenti me policin Azbi Spahiu sjell në mendje rastet e tjera ku policia dhe qeveria janë treguar dashakeqe në komunikimin me publikun duke u përpjekur të minimizojë apo manipulojë ngjarjet e rënda me rendin.
Vrasjet e Martin Canit (2024), Egli Progës (2024) apo dhe Klodian Rashës (2020) janë rastet e shkuara.

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.