Dy partitë kryesore të Shqipërisë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kanë arritur një marrëveshje për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, në mënyrë që votat e diasporës të numërohen brenda afateve ligjore.
Amendamentet e propozuara, të paraqitura në Kuvend nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, pritet të miratohen javën e ardhshme. Nëse kalojnë, ndryshimet do të hyjnë në fuqi në fillim të shkurtit, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për t’u mbajtur më 11 maj 2025.
Sipas propozimeve është rënë dakord që të afrohet me dhjetë ditë afati për regjistrimin e kandidatëve, gjë që do të mundësojë më shumë kohë për printimin e fletëve të votimit. Gjithashtu, shteti do të mbulojë plotësisht kostot postare dhe do të sigurojë prodhimin e fletëve të votimit të paktën 10 ditë më parë.
Një ndryshim i rëndësishme është dhe dakordësia për të lejuar votimin e shqiptarëve të diasporës pavarësisht faktit se mund të jenë me dokumente identifikimi të skaduara. Ky ndryshim, që prek qindra mijëra shqiptarë jashtë vendit, do të kërkojë një akt normativ në vend të një rishikimi të Kodit Zgjedhor.
Komisioneri Celibashi tha se janë 400 mijë shqiptarë të cilëve u skadon karta ID dhe rreth 600 mijë të cilëve u skadon pasaporta.
“Duke marrë në konsideratë këto numra dhe çfarë është diskutuar me përfaqësues të partive politike, vlerësojmë që është e përligjur që t’i kërkojmë qeverisë që të zgjasë me akt normativ afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë”, tha Celibashi.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, sfidat vazhdojnë. Deri tani, 10,497 regjistrime të diasporës për zgjedhjet e 11 majit janë refuzuar. Refuzimet përfshijnë 3,887 nga Italia, 2,357 nga Greqia, 1,276 nga Gjermania, 356 nga Shtetet e Bashkuara dhe 251 nga Mbretëria e Bashkuar.
Florian Haçkaj nga lëvizja “Diaspora për një Shqipëri të Lirë” shprehu për Citizens zhgënjimin për vonesat dhe kufizimet në reformimin e procesit.
“Kemi katër muaj që kërkojmë zgjatjen e afateve edhe me shkresa zyrtare te KQZ,” tha Haçkaj për Citizens. “Një kërkesë thelbësore që nuk është adresuar ka qenë ankimimi online.”
Sipas Hackaj nëse një votuesi nga diaspora i listohen arsyet pse nuk mund të votojë, ai ose ajo duhet të gëzojë të drejtën të shkojë në gjykatë, por duke qenë jashtë Shqipërisë, 7 ditë janë të pamjaftueshme fizikisht, përveç rasteve kur janë nga vende fqinje si Greqia apo Italia.
Komisioneri Celibashi sqaroi se shumica e refuzimeve ndodhën sepse votuesit ngarkuan dokumente identifikimi të lëshuara nga qeveria italiane, që nuk përmbanin informacion mbi adresën e banimit.
“Gjej rastin për të sqaruar që gjatë ngarkimit të dokumentit është shumë e rëndësishme që dokumenti të përmbajë adresën,” theksoi Celibashi.
Më 27 dhjetor, “Platforma Elektronike e Regjistrimit” (PER) për votën e diasporës u prezantua dhe testua në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Platforma, e aksesueshme përmes aplikacionit të KQZ-së në telefon dhe faqes së internetit të KQZ-së, synon të thjeshtësojë procesin e regjistrimit për votuesit jashtë vendit.
Afati përfundimtar për miratimin e fletës së votimit është data 1 mars 2025. Fletët e votimit do të dërgohen votuesve të regjistruar në diasporë përmes shërbimit postar.
Citizens ka publikuar më herët edhe një podkast që trajton përfshirjen historike të votës së diasporës në zgjedhjet parlamentare të majit 2025.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.
One Response
Votoj per PD