Konkursi për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) ka ngritur shqetësime për zgjedhjen në bazë të meritave në krye të një institucioni publik.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt u shpreh se sipas nenit 11 të Statutit të RTSH-së të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore duhet t’iu jepet mundësia të paraqesin platformat e tyre në një seancë dëgjimore.
“Megjithatë, vendimi i Këshillit Drejtues për skualifikimin e kandidatëve përpara fazës së dëgjimit bie ndesh me këto dispozita ligjore dhe shkel parimet e transparencës dhe drejtësisë,” deklaroi Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
Për postin e drejtuesit të RTSH-së ishin në garë 10 kandidatura: Harilla Koçi, Jetmir Shpuza, Enrik Mehmeti, Floriana Paskali, Eni Vaili, Ermal Hoxha, Aurora Polo, Kliton Rama, Flamur Buçpapaj dhe Laureta Roshi.
Tetë prej tyre u skualifikuan dhe gara po zhvillohet mes Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Sipas Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, raportet tregojnë se të tetë kandidatët plotësuan kriteret dhe e bëjnë vendimin e Këshillit Drejtues për të kufizuar pjesëmarrjen shumë të diskutueshëm.
“Po ashtu, mungesa e një shpjegimi të qartë dhe publik mbi skualifikimet ngre dyshime për integritetin e procesit”.
Gara është parë me shqetësim edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët kërkuan respektimin e ligjit për mediat audiovizive dhe statutin e RTSH-së.
“Ky veprim ka dëmtuar integritetin e procesit, pasi nuk janë verifikuar në mënyrë të hollësishme CV-të e kandidatëve. Më shqetësues është fakti që një anëtar i Këshillit, sipas mediave, ndodhej jashtë vendit, u lejua të votojë online, duke shkelur parimin e anonimatit të votimit dhe duke e bërë atë të parregullt,” thuhen në reagimin e AGSH-së.
Zgjedhja e kreut të RTSH-së ka bashkuar për herë të parë në një mendim përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa denoncoi procesin e ndjekur, ndërsa u shpreh se të tetë kandidatët e skualifikuar duhet të jenë në garë bashkë me dy kandidatët që kaluan votimin.
“Çdo anëtar i Këshillit në të drejtën e vet mund të votojë një kandidat kë preferon sipas platformës dhe aftësive por ska asnjë të drejtë skualifikuese nga gara kur plotësohen kriteret ligjore. Thjesht mos e voto për drejtor!” deklaroi Zhupa.
Evis Kushi, nënkryetare e Komisionit të Edukimit u shpreh se nuk i heq asnjë presje reagimit të Zhupës.
“I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë”, deklaroi Kushi.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).