Dhjetëra banorë të Lezhës protestuan sot përpara Kryeministrisë për mbylljen e fabrikës “INCA” në Lezhë. Edhe pse kompania e përpunimit të mbetjeve shtazore ka marrë urdhër për pezullimin e shkarkimeve nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ajo vijon aktivitetin normalisht.
Institucionet lokale përgjegjëse për ekzekutimin e vendimit të AKM-së nuk veprojnë teksa Bashkia Lezhë nuk ka dhënë asnjë reagim publik për këtë çështje.
Arilda Lleshi, aktiviste e cila ka organizuar shumicën e protestave, shpjegon se kryetari i Bashkisë Lezhë i ka premtuar komunitetit se do ta largojë fabrikën nga aty, por ende nuk ka ndodhur asgjë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është shprehur se nuk ka mjete, ndërsa Ujësjellës Kanalizime Lezhë pohon se nuk ka lidhje me këtë proces.
“Të gjithë shpallin mos-kompetencë, ndërkohë fabrika vazhdon punën,” thekon Lleshi.
Aktivistët u pritën në një takim nga drejtori i platformës së bashkëqeverisjes, i cili u premtoi qytetarëve që do të marrin përgjigje dhe përfaqësues të tyre do të mbërrijnë në terren për të vëzhguar situatën.
“Shpresoj që [çështja] mos të bjerë në vesh të shurdhët, pra ta marrin vesh problemin tonë, shqetësimin tonë ekzakt. Uroj që [fabrika] të mbyllet dhe të jetë me rezultat, shpresoj këtë herë,” tha Agustin Biba, një prej banorëve të pranishëm në protestë.
Prej katër muajsh banorët e Lezhës kanë protestuar rregullisht. Jashtë fabrikës në Lezhë, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë, apo dhe sot para Kryeministrisë, si hallka e fundit shpresëdhënëse për zgjidhjen e kësaj çështje.
Rreth 1,700 qytetarë të Lezhës firmosën të ashtuquajturin “Peticion kundër fabrikës që qelb”, i cili iu dorëzua institucioneve përgjegjëse për mjedisin me kërkesa konkrete që të shihej mundësia e spostimit apo mbylljes së fabrikës.
Në fillim të nëntorit, dy kontrolle të AKM-së e gjetën fabrikën në shkelje sa i takon derdhjes së ujërave në kanalin ujëmbledhës. Analizat e marra në dy orare të ndryshme (11:30-16:30; 12:00-16:30) të datës 24 tetor, treguan se shkarkimet ishin tej normave të lejuara dhe për këtë u vendos pezullim aktiviteti dhe dy gjoba me nga 1,000,000 lekë.
Kompania “INCA”, themeluar dhe drejtuar nga Alban Zusi, ka si aktivitet kryesor përpunimin e mbetjeve shtazore. Ajo u mbështet nga qeveria shqiptare dhe BE-ja me financim nga programi “IPARD II”.
“INCA” përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Zusi ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama. Ai ushtroi këtë detyrë deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”.
Lexo gjithashtu:
- “Na morët frymën!”: Lezha proteston kundër fabrikës së mbetjeve shtazore
- Ministria e Mjedisit pranon të shqyrtojë kërkesat për fabrikën INCA
- Banorët kishin të drejtë, fabrika INCA gjobitet për ndotje

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.
3 responses